Ja cilët janë sektorët e ekonomisë shqiptare që preken direkt nga konflikti Rusi-Ukrainë - Business Magazine Albania

Ja cilët janë sektorët e ekonomisë shqiptare që preken direkt nga konflikti Rusi-Ukrainë

konflikti Rusi-Ukrainë

Banka e Shqipërisë ka realizuar një vrojtim të posaçëm gjatë gjatë muajit mars 2022 për të analizuar projeksionet se si lufta Ukrainë-Rusi mund të ndikojë në situatën ekonomike në vend.

Nga përgjigjet ka rezultuar se bankat vlerësojnë që lufta në Ukrainë dhe sanksionet ndaj Rusisë do të kenë ndikim mbi ekonominë shqiptare, kryesisht në formën e ngadalësimit të rritjes ekonomike, rritjes së inflacionit, rritjes së deficitit buxhetor dhe përkeqësimit të bilancit tregtar, për një periudhë kohe që shkon përtej vitit 2022.

“Sektorët ekonomikë më të ekspozuar negativisht janë energjia, drithërat, ndërtimi dhe turizmi. Në veprimtarinë bankare, ndikimi më i madh pritet në rënien e cilësisë së portofolit të kredisë, që mund të shtrihet përtej vitit 2022. Bankat shfaqin një ndjeshmëri të lartë edhe ndaj mundësisë së cenimit të sigurisë kibernetike. Në tërësi, ndikimi nuk pritet të dëmtojë ndjeshëm treguesit e likuiditetit dhe të kapitalit. Bankat janë duke monitoruar ecurinë e situatës dhe pritet të zhvillojnë vlerësime më konkrete në të ardhmen afatshkurtër” shkruhet në raportin e Stabilitetit Financiar të publikuar nga BSH, ku janë përfshirë edhe rezultatet e vrojtimit të realizuar në muajin mars të këtij viti.

Ndikimet e drejtëpërdrejta

Raporti i Stabilitetit Financiar analizon edhe ndikimin direkt dhe indirekt që konflikti ushtarak mund të ketë në Shqipëri.

Sa i përket ndikimit të drejtëpërdrejtë, në fund të vitit 2021, aktiviteti tregtar i Shqipërisë me këto Ukrainën dhe Rusinë (importe dhe eksporte, në mallra dhe shërbime), vlerësohet në rreth 1.5% të vlerës totale të importeve dhe të eksporteve.

Vetëm për mallrat, raporti i  importeve dhe eksporteve nga këto dy vende me totalin e importeve dhe eksporteve, është rreth 2.5%. Për shërbimet, raporti është në vlerën 0.2%. Në tërësi, aktiviteti tregtar me këto dy vende është i vogël.

Ekspozimi i drejtpërdrejtë i ekonomisë shqiptare ndaj Rusisë dhe Ukrainës, në formën e eksporteve në këto dy vende, është pothuaj i pandjeshëm. Shqipëria eksporton kryesisht produkte bujqësore, minerale dhe shërbime turizmi në këto vende dhe ka ekspozime minimale financiare. Duke iu referuar eksporteve të mallrave, ato shkojnë kryesisht drejt Ukrainës, por vlerat e ekspozimit të Shqipërisë ndaj të dy vendeve janë të papërfillshme.

Për eksportet e shërbimeve, edhe duke konsideruar vlerat e vitit 2019 si viti më i mirë (për eksportet e shërbimeve të turizmit), vlerat mes të dy vendeve janë më të balancuara por vlerësohet se nuk kapërcejnë 1% të vlerës totale të eksporteve të shërbimeve, apo 2% të vlerës së eksporteve të shërbimeve të udhëtimit. “Pra, vlerat potencialisht të humbura për shkak të konfliktit nuk janë të rëndësishme dhe tërheqja e këtyre vëllimeve nga tregje të tjera është e mundshme” vlerëson Banka e Shqipërisë.

Lexoni: Krizë humanitare/ Ekonomia e Ukrainës mund të tkurret deri në 35% për shkak të luftës

Ndikimet e tërthorta

Ndikimi i tërthortë për Shqipërinë, në kuadër të importeve nga këto dy vende, është më i dukshëm, por përsëri nuk është kritik. Më konkretisht, importet e mallrave nga Rusia dhe Ukraina, në fund të vitit 2021, zinin rreth 3% të vlerës totale të importeve të mallrave.

Vlera e importeve nga Rusia është rreth 4 herë më e lartë sesa ajo e importeve nga Ukraina, dhe sipas rëndësisë është e përqendruar tek drithërat dhe produktet vegjetale, lëndët djegëse minerare (karburantet), metalet bazë dhe produktet e industrisë kimike (fertilizuesit). Si peshë specifike, importet e lëndëve djegëse dhe minerare, dhe importet e drithërave dhe produkteve vegjetale, zinin respektivisht rreth 4.1% dhe 41% të totalit të këtyre importeve të vendit tonë gjatë vitit 2021.

Importet e këtyre grupmallrave nga Ukraina janë të parëndësishme. Nga Ukraina importohen kryesisht metale bazë, yndyrna, e më pak drithëra dhe produkte vegjetale. “Duke konsideruar peshat specifike të zërave kryesorë të importeve nga këto dy vende, vlerësohet që ndikimi mbi vendin tonë në sferën e çmimeve dhe të ofertës, është i lidhur kryesisht me koniunkturën (lëvizjet e çmimit) e tregjeve ndërkombëtare kur është fjala për lëndët djegëse e minerare (karburantet). Ndërsa kur bëhet fjalë për drithërat dhe produktet vegjetale, apo për metalet bazë, ndikimi prej agresionit ushtarak në Ukrainë dhe sanksioneve ndaj Rusisë është edhe më i drejtpërdrejtë” evidentohet më tej në raport.

Rritja e çmimeve dhe kriza energjetike

Lufta në Ukrainë dhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë, janë shoqëruar me rritjen e presioneve inflacioniste dhe të kostove të prodhimit në ekonomi, kryesisht për shkak të rritjes së kostove të energjisë, të ushqimeve dhe të metaleve.

Sipas BSH-së, këto zhvillime pritet të japin një ndikim negativ në kërkesën konsumatore dhe investimet private. Në të njëjtën kohë, situata hidrike në hidrocentrale, ka diktuar uljen e ndjeshme të prodhimit të energjisë elektrike brenda vendit dhe rritjen e vëllimit të importeve të saj me çmime të jashtëzakonshme, sipas bursave ndërkombëtare.

Në këto kushte, politika fiskale ka riorientuar një pjesë të të ardhurave dhe të shpenzimeve drejt nevojave më prioritare, duke përfshirë edhe ndihmën për përballimin e goditjes ndaj shtresave më të dobëta të shoqërisë.

“Zhvillimet ndërkombëtare dhe plotësimi i nevojave të energjisë, me shumë gjasa do të mbeten sfida të forta për ecurinë e ekonomisë në vend përgjatë gjithë vitit. Përballimi i tyre do të evidentojë edhe më shumë rëndësinë e miradministrimit fiskal dhe të koordinimit të politikave ekonomike e financiare në afat më të shkurtër, si edhe nevojën për reforma më të thella në fushën e alternativave të sigurisë energjetike dhe ushqimore, në afat më të gjatë” shkruhet në raport.

/scan

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0