Investimet shqiptare jashtë vendit ishin 241 milionë euro për 2024 - Business Magazine Albania

Investimet shqiptare jashtë vendit ishin 241 milionë euro për 2024

Investimet shqiptare jashtë vendit pësuan një rënie të lehtë vitin e kaluar, por duke qëndruar pranë niveleve më të larta në 15 vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për vitin 2024, vlera e investimeve të kompanive shqiptare jashtë vendit ishte 241 milionë euro, dy milionë euro më pak krahasuar me një vit më parë.

Në pjesën më të madhe, investimet shqiptare janë kanalizuar në kontribute direkte në kapitalin e shoqërive të kontrolluara jashtë vendit. 58% e vlerës totale të investimeve të huaja direkte në 2024 ishin injektime të reja kapitali, ndërsa pjesa e mbetur ishin kryesisht fitime të riinvestuara të shoqërive të kontrolluara jashtë vendit. Një pjesë shumë e vogël e investimeve (6 milionë euro ose 2.5% e totalit) konsistonte në hua të dhëna për kompanitë bija jashtë vendit.

Investimet direkte dalëse sidoqoftë kanë ende një peshë të ulët në raport me investimet e huaja hyrëse në Shqipëri, me rreth 15% të tyre. Bilanci neto i investimeve të huaja direkte ishte negativ (investimet hyrëse tejkalojnë ndjeshëm ato dalëse), për një vlerë të përgjithshme prej 1.34 miliardë eurosh, në rritje me 7% krahasuar me vitin 2023.

Informacioni statistikor për investimet e sipërmarrjes tonë jashtë vendit kufizohen vetëm në të dhënat e Bilancit të Pagesave dhe nuk ekzistojnë të dhëna më të detajuara për shpërndarjen e tyre gjeografike apo sektoriale. Megjithatë, dihet që një pjesë e grupeve të mëdha të biznesit në Shqipëri i kanë shtrirë një pjesë të aktiviteteve të tyre edhe jashtë vendit, si pjesë e strategjisë së zgjerimit dhe diversifikimit të tregjeve.

Lexo edhe: Alarm nga Frankfurti: Banka Qendrore ul normën bazë, tensionet me SHBA trazojnë tregjet

Grupi Balfin, grupi Kastrati, grupi Union, Gener 2, etj zotërojnë aktivitete jashtë vendit në sektorët e tregtisë, shërbimeve financiare, pasurive të paluajtshme apo akomodimit/hotelerisë. Gjithashtu, disa prej distributorëve të mëdhenj të artikujve të konsumit në Shqipëri kanë shtrirë aktivitetin e tyre edhe në vendet fqinje, kryesisht në Kosovë.

Të dhënat e Bankës Qendrore të Kosovës japin një informacion për investimet shqiptare në Kosovë, që vlerësohet se është shteti me përqendrimin më të madh të investimeve shqiptare.

Shifrat e BQK-së tregojnë se deri në fund të vitit 2024, stoku i investimeve shqiptare në Kosovë kishte vlerën e 468 milionë eurove. Me këtë shifër, Shqipëria është investitori i pestë më i madh në Kosovë.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në ndarjen sektoriale, investimet shqiptare janë të përqendruara kryesisht në ndërtim, pasuri të paluajtshme, tregti dhe prodhim./ E.Shehu

Burimi: Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0