Një operator ukrainas pretendon se është kompania e parë në Europë që teston internetin satelitor që lidhet drejtpërdrejt me telefonin celular pa nevojën për pajisje shtesë. Kyivstar, kompania më e madhe celulare në Ukrainë, njoftoi këtë muaj se ka nisur testimin e teknologjisë “direct to cell” (DTC) në bashkëpunim me SpaceX, kompania mëmë e Starlink, në pronësi të Elon Musk.
Gjatë testimeve, telefonat celularë me rrjet 4G ose LTE janë lidhur drejtpërdrejt me satelitët në orbitë, duke mundësuar dërgimin dhe marrjen e mesazheve pa ndërmjetësimin e një infrastrukture tokësore.
Ky partneritet, në përfundim, do t’u ofrojë qytetarëve ukrainas akses në internet në të ashtuquajturat “zona të bardha” – rajone ku nuk ka mbulim nga rrjetet tradicionale mobile, si zonat malore dhe ato rurale.“Kjo lloj lidhjeje është veçanërisht e rëndësishme në kohë lufte, kur infrastruktura mund të dëmtohet ose kur ndodhin ndërprerje të energjisë,” – tha kompania në një deklaratë zyrtare.
Internet përmes satelitit, edhe gjatë luftës
CEO i Kyivstar, Oleksandr Komarov, konfirmoi për Reuters se lidhjet celulare të fuqizuara nga Starlink do të jenë të disponueshme për përdoruesit ukrainas deri në mesin e vitit 2026.
Starlink ka qenë aktivisht në përdorim nga ushtria dhe civilët ukrainas që nga marsi 2022, kur Elon Musk vendosi të dërgonte pajisje për lidhje interneti direkt në shtëpitë ukrainase. Por përdorimi i Starlink gjatë luftës është shoqëruar edhe me polemika.
Në shkurt, Reuters raportoi se Musk kishte kërcënuar të çaktivizonte satelitët nëse Ukraina nuk do të arrinte një marrëveshje me SHBA-në për mineralet e rralla. Musk e mohoi më pas këtë pretendim, duke deklaruar se Starlink “nuk do t’i çaktivizojë kurrë terminalet në Ukrainë.”
Lexo edhe: Sa kushton një iPhone në Europë? Vendet ku do të paguani më shumë (dhe më pak)
Europa në kërkim të alternativave ndaj Starlink
Ndërkohë që Starlink po thellon praninë e tij në Ukrainë, autoritetet europiane po testojnë alternativa për të zvogëluar varësinë nga kompania e Musk.
Në mars, Euronews Next raportoi se operatori francezo-britanik Eutelsat ishte në bisedime për të zgjeruar kapacitetet e veta satelitore në Ukrainë, në përgjigje të pasigurisë që lidhet me Starlink. Eutelsat ka mbi 630 satelitë në orbitë të ulët, që sipas një zëdhënësi të kompanisë, ofrojnë të njëjtat kapacitete dhe kohë reagimi si Starlink.
Kompania konfirmoi se tashmë po përdoret në Ukrainë për të mbështetur komunikimet qeveritare dhe institucionale.
Projekti IRIS2 – një tjetër alternativë europiane
Një tjetër opsion në tavolinën e Europës është projekti IRIS2, një rrjet me 290 satelitë në orbitë të ulët dhe të mesme, i cili pritet të ofrojë shërbime transmetimi me shpejtësi ultra të lartë për përdoruesit civilë dhe publikë.
Eurodeputeti Christophe Grudler, raportues i projektit në Parlamentin Europian, deklaroi më parë për Euronews se IRIS2 do të jetë funksional në vitin 2028, dy vjet përpara datës fillestare të planifikuar në 2030.
Nuk është ende e qartë nëse zgjerimi i Starlink do të ndikojë në afatet ose ambiciet e projekteve europiane. Euronews Next ka kontaktuar për koment Eutelsat dhe konsorciumin që qëndron pas IRIS2, por nuk ka marrë ende përgjigje.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto