Nga Nandan Nilekani, Ashish Khanna – Për pjesën më të madhe të Jugut Global, energjia elektrike është fat. Ndërsa tranzicioni energjetik shpesh kornizohet në terma klimatikë, miliarda njerëz e kuptojnë atë kryesisht si një mjet për të zgjeruar mundësitë, për të garantuar përballueshmëri dhe për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve.
Për këtë arsye, faza e ardhshme e revolucionit të energjisë së pastër nuk do të udhëhiqet nga vendet që ndërtojnë më shumë panele diellore, por nga ato që modernizojnë rrjetet, tregjet dhe institucionet e tyre në përputhje me këtë realitet. Modernizimi do të jetë prioriteti kryesor, sepse rrjetet më të gjelbra janë më të ndërlikuara.
Modeli i vjetër i energjisë elektrike ishte i thjeshtë: centralet prodhonin energji që rrjeti e transmetonte drejtpërdrejt te bizneset dhe familjet. Modeli i ri është ndryshe. Energjia po decentralizohet, ndërsa shtëpitë, fermat dhe ndërmarrjet private adoptojnë panele diellore në çati, sisteme baterish për ruajtje dhe pajisje elektrike dhe qytetarët nuk janë më konsumatorë pasivë, por “prosumatorë” që prodhojnë dhe konsumojnë energji njëkohësisht.
Decentralizimi dhe burimet e rinovueshme sjellin kompleksitet, sepse ndërkohë që pritshmëritë për cilësi të qëndrueshme shërbimi mbeten të njëjta, energjia diellore dhe ajo e erës janë më të ndryshueshme, ndërsa asetet e sistemeve energjetike janë më të shpërndara. Për të ecur me këtë ritëm, rrjetet e pastra kanë nevojë për “shina” digjitale të përbashkëta, njësoj si interneti ku asetet e ndryshme komunikojnë përmes një boshti të hapur dhe të ndërveprueshëm.
Në fakt, rrjetet e gatshme për inteligjencë artificiale (AI), të ndërtuara mbi platforma të ndërveprueshme me të dhëna reale dhe kapacitete operacionale, do të jenë po aq vendimtare për zhvillimin e Jugut Global sa infrastruktura tradicionale si rrugët dhe portet. Shfrytëzimi i aplikacioneve të AI në shpërndarjen e energjisë është pothuajse i vetëkuptueshëm. Teknologjia është e përshtatur në mënyrë perfekte për të përmirësuar parashikimin e kërkesës; për të racionalizuar proceset e blerjes dhe furnizimit; dhe për të reduktuar humbjet teknike. Ajo tashmë po lehtëson mirëmbajtjen parandaluese për të shmangur ndërprerjet, po thjeshton faturimin dhe arkëtimin, si dhe po forcon shëndetin financiar të ndërmarrjeve energjetike.
Përfitimet e mundshme janë të konsiderueshme. Për shumë kohë, joefikasitetet operacionale dhe humbjet në shpërndarje kanë krijuar një taksë të nënkuptuar mbi ekonomitë në zhvillim, duke rritur kostot e energjisë dhe duke ulur besueshmërinë e shërbimit. Në këtë kontekst, një rrjet i integruar me AI mund të luajë një rol kyç: ta shndërrojë energjinë e pastër në përfitime konkrete për qytetarët, në formën e cilësisë më të lartë të shërbimit, shpenzimeve më të ulëta, më pak ndërprerjeve dhe lidhjeve më të shpejta. Energjia do të demokratizohet si kurrë më parë.
Për më tepër, sistemet e mundësuara nga AI kërkojnë një gamë të gjerë aftësish, ndaj adoptimi i tyre do të zgjerojë mundësitë për sipërmarrësit dhe punonjësit që kontribuojnë në rritjen e sektorit. Por zhbllokimi i këtyre përfitimeve kërkon një qasje më gjithëpërfshirëse. Aktualisht, peizazhi i mbështetur nga AI është i fragmentuar: një pilot për një panel të ri kontrolli në një qytet, një model parashikues në një ndërmarrje të vetme, një “matës inteligjent” në një tjetër. Këto projekte rrallë “bisedojnë” me njëra-tjetrën dhe zakonisht varen nga sisteme pronësore, çka i bën të vështira për t’u shkallëzuar. Rezultati është dublikim dhe kosto më të larta.
Lexo edhe: Shpend Lila: Mungesa e domenit shtetëror po i kushton Kosovës miliona euro
Jugu Global e ka parë këtë problem më parë, veçanërisht gjatë ndërtimit të infrastrukturës bazë digjitale. Ajo përvojë tregoi se modernizimi pa baza të ndërveprueshme mund të të mbajë të bllokuar në sisteme të ngurta, të shtrenjta për t’u përmirësuar, të vështira për auditim dhe të cenueshme ndaj rreziqeve kibernetike.
Prandaj, shfrytëzimi i duhur i AI në sektorin energjetik është njëkohësisht sfidë teknike dhe imperativ strategjik. Nëse modernizimi i energjisë do t’u shërbejë interesave më të mira të prosumatorëve varet nga fakti nëse sistemet do të jenë të ndërveprueshme apo të fragmentuara.
Për t’u vendosur në drejtimin e duhur, India ka nisur një iniciativë të madhe strategjike për krijimin e India Energy Stack (IES), si pjesë e ndërtimit më të gjerë të infrastrukturës së saj publike digjitale. IES po projektohet mbi korniza të zgjerueshme globalisht, si Digital Energy Grid i propozuar nga Networks for Humanity, që do të garantonte ndërveprueshmëri në të gjithë zinxhirin e vlerës energjetike. Kjo punë hedh themelet për të ardhmen, ashtu si edhe iniciativa e Ministrisë indiane të Energjisë për të instaluar 200 milionë matës inteligjentë, duke mundësuar matje në kohë reale në mbarë vendin.
Në përgjigje të rritjes shpërthyese të paneleve diellore në çati, IES do të krijojë bazat digjitale për përdorime dhe tregje të reja, përfshirë tregtimin “peer-to-peer”. Njësoj si teknologjitë e pagesave digjitale, platformat energjetike të ndërveprueshme mund t’u mundësojnë miliona sipërmarrësve, instaluesve, agregatorëve, pronarëve të baterive dhe agjentëve të shërbimeve energjetike të krijojnë burime të reja të ardhurash, veçanërisht në rajonet Tier-2 dhe Tier-3 (më pak të zhvilluara). Po aq e rëndësishme, kjo bazë digjitale do ta forcojë rrjetin, sepse platformat e ndërveprueshme dhe identitetet e standardizuara të aseteve u lejojnë operatorëve të optimizojnë miliona burime të shpërndara në kohë reale.
Kjo pasqyron qasjen e përgjithshme të Indisë ndaj infrastrukturës publike digjitale, e cila synon të krijojë ekosisteme të reja konkurruese. Platformat publike të vendit do t’u mundësojnë startup-eve dhe ofruesve të shërbimeve të nxisin inovacionin pa nisur nga zeroja, ndërsa ndërmarrjet energjetike do të kenë qasje në zgjidhje modulare që i ndihmojnë të shmangin varësinë nga një furnizues i vetëm. Synimi është përmirësimi i sistemeve ekzistuese, jo një përmbysje totale e tyre.
India ofron një model për pjesën tjetër të Jugut Global. Mënyra se si vendet në zhvillim e konceptojnë arkitekturën themelore të tregjeve do të përcaktojë nëse ato mund të kalojnë drejtpërdrejt në fazën tjetër të revolucionit digjital, apo do të mbeten të varura digjitalisht nga të tjerët. Natyrisht, vendet më pak të zhvilluara dhe shtetet e vogla ishullore përballen me pengesa të shumta, nga tregjet e fragmentuara dhe ekonomitë e brishta te buxhetet e kufizuara. Por International Solar Alliance mund të ndihmojë në kapërcimin e këtyre barrierave. Me 125 vende anëtare të angazhuara për bashkëpunim në përhapjen e energjisë diellore, ISA premton të bëhet një motor global për transformime të rrjeteve të drejtuara nga AI dhe të fokusuara te qytetarët, përmes një misioni global mbi AI për energjinë.
Receta bazë për sukses nuk është sekret. Nevojiten programe të strukturuara për modernizimin e rregullimit, ndërtimin e kapaciteteve, pilotimin e sistemeve digjitale të ndërveprueshme, nxitjen e financimit fillestar për inovacionin dhe mobilizimin e financave të kombinuara për të mbështetur zgjidhje të shkallëzueshme. Të gjitha këto hapa duhet të ndërmerren së bashku, si pjesë e një misioni kombëtar apo edhe rajonal. Vetëm kështu Jugu Global mund të kalojë nga pilotë të izoluar në ndërtimin e sistemeve në shkallë të gjerë.
Tranzicioni drejt energjisë së pastër po hyn në epokën e platformave. Jugu Global nuk ka nevojë të kopjojë modelin e vjetër të rrjetit (që vendet e pasura po e modernizojnë me kosto të mëdha). Përkundrazi, ai mund të kapërcejë faza duke kombinuar burimet e rinovueshme me AI dhe infrastrukturën publike digjitale. India tashmë po tregon rrugën.
*Nandan Nilekani është themelues i Networks for Humanity. Ashish Khanna është Drejtor i Përgjithshëm i International Solar Alliance.
Copyright: Project Syndicate, 2026. www.project-syndicate.org
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto