INSTAT: Në Shqipëri, personat me arsim të mesëm përballen me normën më të lartë të papunësisë - Business Magazine Albania

INSTAT: Në Shqipëri, personat me arsim të mesëm përballen me normën më të lartë të papunësisë

Personat me arsim të mesëm zakonisht kanë një zanat ose pajisen me njohuri të forta bazë, që mund të integrohen mirë në tregun e punës, në krahasim me ata që kanë arsim bazë. Por në Shqipëri, forca e punës me arsim të mesëm ka një normë papunësie më të lartë se personat me arsim të lartë dhe ata me arsim bazë.

Sipas të dhënave të INSTAT, shkalla e papunësisë te forca e punës me arsim të mesëm ishte 13.4% në tremujorin e fundit 2024, ndërsa tek ata me arsim 8-9-vjeçar ishte 10.6% dhe tek ata me arsim të lartë 8.4%.

Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, në tremujorin e katërt të 2024-ën, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 8,8%, duke shënuar një ulje vjetore me 0,8 pikë përqindje.

Në nivelin e mesëm arsimor të vendit tonë, arsimi profesional mbetet i pazhvilluar. Kjo degë bën një përgatitje më të fortë për profesionet dhe integrimin më të mirë në tregun e punë.

Në vitin akademik 2023-2024, vetëm 18% e nxënësve në arsimin e mesën ishin në shkollat profesionale. Studimet tregojnë se ata që përfundojnë arsimin profesional kanë norma më të larta punësimi se ata me gjimnaz.

Lexo edhe : Inteligjenca Artificiale po kërcënon tregun e punës, 89% e punonjësve amerikanë në frikë për të ardhmen

Në BE shtetet, sidomos Gjermania japin stimuj për të integruar nxënësit drejt arsimit profesional dhe tregut të punës. Por në vendin tonë duke qenë se sistemi i arsimit nuk është i lidhur me tregun e punës, ndodh që me rritjen e nivelit arsimor të shtohen vështirësitë për të gjetur punë.

Sistemi arsimor dhe tregu i punës prej vitesh janë në një rreth vicioz, teksa bizneset akuzojnë qeverinë se nuk po përgjigjet me sisteme arsimore që i vlejnë tregut të punës.

Nga ana tjetër, në qarqet universitare profesorët mendojnë se bizneset shqiptare nuk po zhvillojnë degë të ekonomisë që kërkojnë kualifikim të lartë.

Një pjesë e madhe e studentëve apo të rinjve që mbarojnë universitetet punojnë në profesion që nuk kërkojnë arsim të lartë, si call center, arkëtar, kamarier etj.

Ekonomia shqiptare ende ka si avantazh konkurrues krahun e lirë të fuqisë punëtore dhe si rrjedhojë, kompanitë prodhojnë dhe eksportojnë kryesisht produkte me vlerë të shtuar të ulët (si p.sh fasoni) për të cilat nuk nevojitet fuqi punëtore e kualifikuar.

Mungesa e vendeve të punës me vlerë të shtuar, që kërkojnë angazhimin e profesionistëve dhe paguajnë mirë, vlerësohet si një nga arsyet se pse ka një emigracion të shtuar të njerëzve të aftë. Këto kushte pengojnë të rinjtë të integrohen në tregun e punës.

Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2024, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,6%.

Ky tregues është rritur me 2,0 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023, dhe është ulur me 2,4 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e tretë 2024. / B.Hoxha

 

Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0