Infermierët e së ardhmes, a do të kujdesen robotët për të moshuarit - Business Magazine Albania

Infermierët e së ardhmes, a do të kujdesen robotët për të moshuarit në Japoni?

Në një laborator në Tokio, një robot me inteligjencë artificiale i quajtur AIREC kryen një veprim delikat, vendos një dorë mbi gjurin dhe tjetrën mbi supin e një burri të shtrirë dhe e rrotullon me kujdes në njërën anë, një manovër thelbësore për shërbimet e higjienës apo parandalimin e plagëve nga shtrati. Ky humanoid 150-kilogramësh është një prototip që mund të revolucionarizojë kujdesin për të moshuarit në Japoni, një vend që po përballet me një krizë të madhe të fuqisë punëtore në sektorin e infermierisë.

Një shoqëri që po plaket me shpejtësi

Japonia është vendi me popullsinë më të vjetër në botë. Brezi i “baby boomers”, të lindur midis viteve 1947-1949, ka mbushur tashmë të paktën 75 vjeç, duke rritur kërkesën për punonjës në qendrat e kujdesit për të moshuarit. Por realiteti është alarmant: për çdo vend të lirë pune në këtë sektor ka vetëm 1 aplikant për 4.25 vende të disponueshme.

Ndërkohë, numri i të lindurve në Japoni ka rënë për të nëntin vit radhazi, duke prekur nivelin më të ulët historik prej 720,988 foshnjash në vitin 2024. Me një fuqi punëtore në rënie dhe politika të ashpra të emigracionit, Japonia ka nisur të kërkojë zgjidhje alternative, dhe robotika po shihet si opsioni më premtues.

A mund të zëvendësohen infermierët nga robotët?

Ndërsa teknologjia po përparon, disa qendra të kujdesit për të moshuarit kanë nisur të eksperimentojnë me robotë që ndihmojnë pacientët me ushtrime fizike apo i argëtojnë me këngë pop. Po ashtu, sensorët e gjumit të vendosur nën dyshekë tashmë monitorojnë kushtet e të moshuarve gjatë natës, duke zvogëluar nevojën për kontrolle të shpeshta nga stafi.

Megjithatë, profesor Shigeki Sugano nga Universiteti Waseda, i cili drejton kërkimet për AIREC, thotë se zhvillimi i një roboti që mund të ketë ndërveprim fizik të sigurt me njerëzit është shumë më kompleks. “Robotët humanoidë po zhvillohen në mbarë botën, por shumica e tyre nuk kanë kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit. Ata bëjnë punë shtëpie ose ndihmojnë në fabrika. Në momentin që hyn në lojë një njeri, dalin në pah sfida të reja si siguria dhe përshtatja me lëvizjet individuale të secilit pacient,” shpjegon ai.

AIREC, përveç ndihmës për lëvizjen e pacientëve, mund të ndihmojë edhe në aktivitete të përditshme si gatimi, veshja e çorapeve apo palosja e rrobave. Por pavarësisht potencialit të madh, profesor Sugano parashikon se ky robot nuk do të jetë i gatshëm për përdorim në spitale apo qendra për të moshuarit përpara vitit 2030. Për më tepër, kostoja fillestare pritet të jetë e lartë, të paktën 10 milionë yen (rreth 67,000 dollarë).

E ardhmja, robotët dhe njerëzit, krah për krah

Teksa sfidat mbeten, punonjësit e kujdesit shëndetësor në Japoni janë të hapur ndaj inovacionit. Takaki Ito, një infermier në një qendër të kujdesit për të moshuarit, shpreh me optimizëm: “Nëse robotët me inteligjencë artificiale mund të përshtaten me nevojat individuale të pacientëve, atëherë mund të kenë një të ardhme në këtë fushë. Por besoj se kujdesi infermieror është më shumë sesa thjesht ndihmë fizike. Një e ardhme ku robotët dhe njerëzit punojnë së bashku për të përmirësuar kujdesin është ajo që shpresojmë.”

A është kjo zgjidhja për krizën e infermierisë në Japoninë e së ardhmes? Për momentin, teknologjia premton shumë, por ende nuk mund të zëvendësojë plotësisht përkujdesjen njerëzore.

Reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0