Nga Fatima Gorezi
Shqipëria ka nisur zyrtarisht një udhëtim transformues drejt krijimit të një identiteti kombëtar digjital, një hap i rëndësishëm dhe në të njëjtën kohë sfidues për modernizimin e shërbimeve publike dhe që ndihmon kalimin drejt një ekonomie më të formalizuar dhe transaparente duke shmangur abuzimin në zinxhirin ekonomik të vendit dhe reduktuar informalitetin. Që në prezantimin e nismën kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare janë zotuar që ta përmbyllin projektin vitin e ardhshëm, ndoshta edhe përpara disa shteteve të Bashkimit Europian (kujtojmë se afati i paravendosur për BE-në është viti 2027).
“…Identiteti digjital, është një instrument i domosdoshëm për të realizuar planin e kalimit nga paraja ‘cash’ në transaksionet digjitale. Kjo do të thotë më shumë siguri për konsumatorët, transparencë për biznesin dhe më shumë të ardhura nga ajo pjesë që i takon konsumatorit dhe që në një masë të madhe mbetet jashtë duarve të tij për shkak të informalitetit dhe trukeve të ndryshme, që do të reduktohen, në mos të asgjësohen, falë transaksioneve digjitale dhe tatimit mbi vlerën e shtuar”, u shpreh Rama në tetor të këtij viti në një takim me ekspertë, partnerë, media dhe përfaqësues të IdetiTek, kompania shtetorore e cila ofron regjistrimin, prodhimin dhe shpërndarjen e dokumenteve biometrike në Republikën e Shqipërisë.
Për të kuptuar më mirë hapat kritikë, detyrat, përgjegjësitë dhe mësimet që duhen nxjerrë për suksesin e këtij procesi, Business Magazine bisedoi me Steffen Schwalm, ekspert europian i lartë për Identitetin Digjital dhe Besueshmërinë, i njohur për përvojën e tij me projektet EUDI dhe eIDAS në Europë. Sipas Schwalm, suksesi i një identiteti kombëtar digjital varet nga balancimi i kujdesshëm mes kërkesave ligjore, teknike dhe ekonomike, nga përfshirja e hershme dhe e vazhdueshme e të gjithë aktorëve të rëndësishëm duke nisur nga rregullatorët, shoqërinë civile dhe industrinë; si dhe nga përafrimi me standardet dhe kornizat europiane.
Në këtë intervistë, Schwalm ndan pikëpamjet e tij për rrugën që po ndjek Shqipëria, pengesat më të zakonshme të vërejtura në Europë dhe zgjedhjet strategjike që mund ta ndihmojnë vendin të ndërtojë një zgjidhje të sigurt, miqësore për përdoruesit dhe të gjerë në përdorim.
Z.Schwalm, Shqipëria ka nisur zyrtarisht nismën për krijimin e identitetit kombëtar digjital. Nga përvoja juaj me projektet EUDI dhe eIDAS në BE, cilat elemente teknike, ligjore apo organizativë duhet të ketë prioritet Shqipëria në fazën e parë për të siguruar ndërveprueshmëri të qetë me sistemet europiane?
Rekomandoj që, përveç krijimit të ekipit qendror të projektit, të përfshihen të gjithë aktorët e nevojshëm që në fillim. Kjo do të thotë ndërtimin e një rrjeti rreth ekipit qendror që do të projektojë dhe ndërtojë identitetin kombëtar digjital.
Këta aktorë zakonisht përfshijnë:
- Përfaqësues politikë
- Autoritetet rregullatore përkatëse, përfshirë autoritetin kombëtar të sigurisë kibernetike
- Ofertuesit e shërbimeve të besuara
- Përfaqësues të shoqërisë civile si zë i përdoruesve
- Akademinë dhe shkencën
- Industrinë kryesore si përfaqësuese e “Relying Parties”; pra subjekteve që do të përdorin identitetin kombëtar (p.sh. administrata publike, bankat, sigurimet, sektori i shëndetësisë, pushteti vendor etj.)
Qëllimi është të merren në konsideratë nevojat e tyre që në fillim dhe ata të ndihen bashkëpërgjegjës për suksesin e përbashkët të sistemit.
Kërkesat duhet të përfshijnë aspektet ligjore, teknike dhe organizative, duke reflektuar nevojat e aktorëve për të ndërtuar një perspektivë me konsensus të gjerë. Rekomandohet gjithashtu krijimi i bashkëpunimeve me partnerë ndërkombëtarë, si Komisioni Europian, shtetet anëtare të BE/EEA që kanë përmasa dhe struktura të ngjashme me Shqipërinë, apo me të cilat ekzistojnë më shumë ndërveprime (p.sh. Kroacia, Estonia), si dhe me organe të vlerësimit të konformitetit. Këto bashkëpunime mund të përdoren për testim të ndërveprueshmërisë dhe për vlerësime të pavarura të përputhshmërisë me rregulloren eIDAS.
Lexo edhe: Banka e Shqipërisë feston 100-vjetorin, emeton monedhën e re përkujtimore
Zhvillimi duhet të bëhet me hapa të vegjël, duke nisur me një zgjidhje funksionale bazë për identifikim dhe disa raste konkrete përdorimi (p.sh. hapja e një llogarie bankare, bileta elektronike, regjistrim në bashki). Testimi real ndihmon në përmirësimet e mëtejshme.
Në çdo rast, kërkesat dhe zgjidhjet duhet të jenë sa më të përafruara me rregulloren e re eIDAS dhe aktet e saj zbatuese, që sigurojnë një kornizë të përbashkët ligjore dhe teknike. Ky proces duhet të përfshijë edhe Architecture and Reference Framework të zhvilluar nga grupi eIDAS Toolbox i ekspertëve të shteteve anëtare. Përshtatja me këto korniza nuk duhet të jetë mekanike, por të përfshijë vlerësime periodike për të identifikuar çfarë funksionon për Shqipërinë dhe çfarë kërkon përmirësim, në bashkëpunim me aktorët vendas dhe ndërkombëtarë.
Vendi ynë synon t’i bashkohet ekosistemit të EUDI Wallet, ndërsa disa vende të BE-së tashmë po testojnë zgjidhje të avancuara. Si mundet Shqipëria të përshpejtojë zbatimin dhe shmang gabimet e zakonshme?
Nga përvoja europiane, rekomandoj përfshirjen e të gjithë aktorëve përkatës dhe partnerëve të jashtëm që në fillim, për të siguruar që nevojat e tyre të merren parasysh dhe të garantohet përputhshmëria me standardet europiane. Për të shmangur punën e dyfishtë dhe për të lehtësuar adoptimin, duhet të përdoren sa më gjerësisht standardet europiane dhe ndërkombëtare të ETSI dhe CEN-CENELEC, duke shmangur specifikat kombëtare që mund të kufizojnë ndërveprueshmërinë.
Ekspertët shqiptarë janë të mirëpritur të kontribuojnë në zhvillimin e kornizës europiane. Po ashtu, është e rëndësishme që rregulloret sektoriale (p.sh. në bankë, sigurime, administratë publike) të përputhen me përdorimin e identitetit kombëtar dixhital.
Lexo edhe:
Një aspekt kyç është përdorshmëria: siguria dhe privatësia duhet të balancohen me lehtësinë e përdorimit. Nëse procesi është shumë i ndërlikuar, përdoruesit do të preferojnë shërbimet e Google apo Apple, edhe nëse këto kanë më pak siguri. Prandaj, qëllimi duhet të jetë balanca midis sigurisë dhe thjeshtësisë, për të siguruar pranueshmëri të gjerë.
Një sfidë kryesore në Shqipëri është mungesa e besimit të qytetarëve te menaxhimi i të dhënave personale dhe te institucionet. Pse duhet t’i besojmë një sistemi të tillë digjital? Si mund të zbutet ky perceptim?
E njëjta sfidë ekziston edhe në shumë vende europiane. Kjo mund të zbutet përmes një procesi zhvillimi të hapur dhe transparent, me përfshirjen e të gjithë aktorëve përkatës.
Një ide e mirë është që rezultatet e fazave të zhvillimit të sistemit të publikohen si “open source”, për t’u verifikuar nga ekspertë të pavarur dhe për të krijuar mekanizma reagimi publik.
Specifikimet duhet të mbështeten në parimin privacy by design, në përputhje me kornizën e eIDAS. Po ashtu, testimet me përdoruesit fundorë dhe partnerët ndërkombëtarë në çdo fazë ndihmojnë për ndërtimin e besimit.
Në fund, Shqipëria duhet të adoptojë modelin e besimit të eIDAS, që përfshin trupa mbikëqyrëse të pavarura, organe të akredituara të vlerësimit të konformitetit dhe trupa të pavarura akreditimi. Certifikimi fillestar i sistemit shqiptar duhet të bëhet në bashkëpunim me një organ europian, për të garantuar pavarësinë dhe besueshmërinë ndërkombëtare.
Kryeministri Rama ka deklaruar se Shqipëria do të ketë identitetin kombëtar dixhital brenda vitit të ardhshëm, madje përpara BE-së. Mendoni se ky afat është realist?
Po, afati është realist, me kusht që projekti të zhvillohet hap pas hapi, me përfshirjen e aktorëve dhe testime të vazhdueshme ndërkombëtare për cilësi dhe përmirësim. Përgatitja e përdoruesve dhe institucioneve që do ta përdorin identitetin duhet të fillojë që tani.
Në fazat e mëvonshme, sistemi duhet të zgjerohet për të përfshirë kredenciale shtesë, si diploma, patenta, prokura dhe dokumente të tjera elektronike.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.