Në moshën 27-vjeçare, Nick Woodman ishte i thyer emocionalisht dhe financiarisht. Startup-i i tij i parë, një platformë lojërash online e quajtur Funbug, kishte dështuar keq, duke “djegur” 3.9 milionë dollarë para investitorësh. I turpëruar, pa ide dhe i rraskapitur, Nick bëri atë që shumë njerëz bëjnë pas një humbjeje të madhe, u largua për të marrë frymë.
Ai dhe e dashura e tij u nisën për një udhëtim surfimi në Indonezi, me shpresën për të pastruar mendjen dhe për të kapur disa dallgë të mira. Por edhe larg biznesit, mendja e një sipërmarrësi nuk pushon kurrë.
Problemi që ndryshoi gjithçka
Nick donte të filmonte veten duke bërë surf. Ishte viti 2002: nuk kishte smartphone, as kamera të vogla, as “selfie stick”. Çdo zgjidhje ishte e rëndë, e shtrenjtë ose e papërshtatshme për ujë.
Atëherë ai bëri atë që bëjnë shpikësit, improvizoi.
Bleu një kamerë të vogël 35mm rezistente ndaj ujit dhe e lidhi në kyçin e dorës me llastikë gome. Pamjet nuk ishin perfekte, por ishin ndryshe. Dhe mjaftueshëm të mira për të ndezur një ide.
Kur i tregoi fotot miqve surferë pasi u kthye në shtëpi, ata e pyetën menjëherë:
“Ku mund ta blejmë edhe ne këtë?”
Në atë moment, diçka “klikoi”.
Biznesi që nisi nga një furgon
Nick iu rikthye punës. Mori 200 mijë dollarë hua nga i ati dhe 35 mijë dollarë nga e ëma. Prototipi i parë serioz ishte një kamerë e lidhur me një rrip dore prej neopreni dhe Velcro.
Ai e quajti GoPro, sepse besonte se surferët do të paguanin për t’u ndjerë “profesionistë” dhe për të përmirësuar performancën e tyre.
Në fillim, kamerat i shiste nga furgoni i tij Volkswagen, në panaire surfimi dhe evente sportive. As zyrë, as ekip, as marketing luksoz, vetëm ide, këmbëngulje dhe një problem real për t’u zgjidhur.
Momenti i artë
Kthesa erdhi kur revista Surfer Magazine publikoi një foto të realizuar me GoPro. Ai ishte momenti i artë.
Papritur, dyqanet nisën të telefononin. Pastaj erdhën snowboarder-ët, çiklistët malorë, skydiver-ët, skateboarder-ët dhe sportistët amatorë. GoPro nuk ishte më një lodër për surferë, po krijonte një kategori krejt të re.
Nga dështimi te miliardat
Në vitin 2014, GoPro u hodh në bursë. Nick Woodman u bë miliarder. Por më shumë se një kompani, ai kishte krijuar një mënyrë të re për të kapur përvojat ekstreme dhe aventurat personale.
Dhe gjithçka nisi nga një djalë i lodhur, pa para, që donte thjesht të mbante mend dallgën perfekte.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto