Një korriku shënoi fundin e përdorimit të qeseve plastike në kryeqytet. Me ligj, çdo subjekt që i prodhon dhe nxjerr ato në qarkullim, gjobitet me 1-1.5 milionë lekë. Por, kjo nuk do të thotë që shqiptarët do t’iu rikthehen trastave.
Vendimi i qeverisë parashikon përdorimin e qeseve të degradueshme dhe me trashësi më të vogël se 35 mikron. Me pak fjalë, ato që nuk ndotin. Në ditën e parë të implementimit, supermarketet dhe dyqanet e kryeqytetit vijojnë përdorimin e tyre.
MASAT
Prodhuesit, importuesit dhe tregtarët duhet të ruajnë informacionin për qeset plastike për jo më pak se 36 muaj, me qëllim identifikimin e tyre, në të kundërt do të penalizohen.
Ndërkohë që fushata ndërgjegjësuese ka dy muaj që ka nisur, Këshilli i Ministrave i ka dhënë dy muaj kohë biznesit të rinovojë teknologjinë, ndërsa janë bërë jo pak takime informuese me grupet e interesit, prodhues e importues të qeseve, duke i paralajmëruar se do të ketë penalizime në rast se nuk i binden vendimit.
Sipas Këshillit, çdo qese duhet të jetë e gjurmueshme. Duhet të ketë të gdhendur firmën e prodhimit dhe të ketë material të degradueshëm në masën mbi 56 %. Por parashikohen edhe përjashtime, siç janë qeset për përdorim higjieno-sanitar dhe ato që përdoren në spitale. Qeset plastike janë bërë armiku numër një i mjedisit në mbarë botën.
Iniciativa që ka ndërmarrë Shqipëria është në koherencë me nismat globale për të ndaluar përdorimin e produkteve plastike. Sipas të dhënave, në vendin tonë përdoren mbi 1 milion qese në ditë.