Red Bull dhe AlphaTauri janë në kërkim të një furnizuesi të ri të motorëve pas njoftimit tronditës që Honda do të tërhiqet nga Formula 1 në fund të vitit 2021.
Prodhuesi japonez i motorëve u kthye në kampionat në 2015 me McLaren, pasi ishte frymëzuar nga pajisjet që u përqëndruan në teknologjinë hibride dhe rigjenerimin e energjisë.
Ata patën një partneritet të vështirë dhe të pasuksesshëm, duke kulmuar në ndarjen e tyre. Honda bashkoi forcat me Toro Rosso në 2018 dhe një vit më vonë filloi të punonte me Red Bull. Me këto ekipe, Honda ka fituar 5 gara në dy vite e gjysmë.
Honda tha se vendimi ishte marrë sepse industria e automobilave po kalonte një “periudhë të transformimit të madh”.
“Honda do të punojë së bashku me Red Bull Racing dhe Scuderia AlphaTauri për të vazhduar garën me përpjekjet e saj maksimale për më shumë fitore deri në fund të sezonit 2021,” shtoi kompania japoneze në një deklaratë.
Vendimi do ta lërë Formulën 1 me tre furnizues të motorëve- Mercedes, Ferrari dhe Renault. Sipas rregullave aktuale, Renault do të detyrohet të furnizojë me motorë ekipet Red Bull dhe AlphaTauri, pasi për momentin kanë më pak klientë sesa furnizuesit e tjerë.
“Ne shpresojmë të fillojmë një epokë të re të inovacionit, zhvillimit dhe suksesit”, tha shefi i Red Bull, Christian Horner, i cili tha se e kuptonte dhe respektonte vendimin e Honda.
“Si një grup, tani do të marrim kohën që na duhet për të vlerësuar dhe për të gjetur zgjidhjen më konkurruese të furnizimit të motorëve për 2022 e më tej.”
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto