Guvernatori Sejko në forumin “Euromoney”: Borxhi i lartë publik rrezik për normalizimin e politikës monetare - Business Magazine Albania

Guvernatori Sejko në forumin “Euromoney”: Borxhi i lartë publik rrezik për normalizimin e politikës monetare

Në datat 24-25 maj 2022, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë mori pjesë në punimet e Forumit për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL) – një organizim i përvitshëm i “Euromoney” që mbledh së bashku figura të njohura të fushës politike, akademike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL-së – për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike në vendet e Evropës dhe më gjerë.

Guvernatori Sejko ishte i ftuar si diskutant në panelin me temë “Rimendimi i rolit të bankierëve qendrorë”, së bashku me zj. Anita Angelovska Bezhoska, Guvernatore e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Vojtěch Benda, Anëtar i Bordit të Bankës Kombëtare të Çekisë, z. Mihály Patai, Zëvendësguvernator i Bankës Qendrore të Hungarisë, dhe z. Boris Vujčić, Guvernator i Bankës Kombëtare të Kroacisë.

Gjatë këtij paneli, guvernatorët diskutuan mbi disa çështje kryesore si: reagimin e bankave qendrore dhe aftësinë e tyre për të respektuar objektivin e stabilitetit të çmimeve; përgjigjen dhe masën e reagimit të ekonomive të vendeve të EQL-së ndaj sfidës së inflacionit të lartë; stimulin fiskal dhe koordinimin e politikave midis autoriteteve me qëllim shmangien e recesionit ekonomik; rritjen e borxhit publik në raport me PBB-në për shkak të pandemisë dhe konfliktit ushtarak Rusi – Ukrainë që paraqitet si një konsideratë shtesë për bankat qendrore në procesin e tyre të normalizimit të politikës monetare, etj..

Në ndërhyrjet e tij, Guvernatori Sejko diskutoi mbi zhvillimet më të fundit në ekonominë shqiptare dhe ndikimet e krizave të viteve të fundit. Ai u shpreh se stabiliteti i çmimeve ka qenë dhe duhet të mbetet objektivi më i drejtë i politikës monetare. Gjithashtu, një regjim inflacioni i shënjestruar ofron kuadrin më efektiv dhe eficient për hartimin e politikës monetare, ndërkohë që vetë kuadri i instrumenteve të politikës monetare duhet të vlerësohet dhe përditësohet vazhdimisht.

Guvernatori shtoi se kriza aktuale globale, e krijuar nga pandemia, nga konflikti Rusi-Ukrainë dhe nga kriza e çmimeve, i përballi bankat qendrore me një sërë sfidash për të cilat duhet të merreshin masa dhe të reagohej në kohë.

Ai u shpreh se detyra e bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të ekonomive bëhet më komplekse, në prani të goditjeve të vazhduara, të forta dhe të zgjatura në kohë, si dhe të kufizimeve që politika fiskale ka si pasojë e nivelit relativisht të lartë të borxhit publik.

Në veçanti, reagimi i politikës monetare kushtëzohet nga pasojat komplekse që sjellin goditjet e ofertës, por dhe nga nevoja e kujdesit që duhet treguar për të mos dëmtuar qoftë dhe indirekt, procesin e rimëkëmbjes ekonomike. Regjimi i politikës monetare të aplikuar nga Banka e Shqipërisë, ai i shënjestrimit fleksibël të inflacionit, ofron diskrecionin e duhur në vendimmarrje, për sa kohë ai mban parasysh si objektivin final të stabilitetit të çmimeve ashtu dhe nevojën për zbutjen e pasojave të goditjes në ekonomi. Po ashtu, Guvernatori Sejko theksoi se regjimet alternative të politikës monetare, si psh. shenjestrimi i cmimeve apo kursit të kembimit, nuk gjejnë zbatim në rastin e Shqipërisë, kjo dhe për faktin se kostot që mund të mbartin në formën e uljes së kredibilitetit dhe të eficiencës janë të konsiderueshme.

Më tej, Guvernatori u shpreh se Banka e Shqipërisë ka si objektiv kryesor në mandatin e saj stabilitetin e çmimeve të ndjekur nga stabiliteti financiar. Si rregullator dhe mbikëqyrës i sistemit bankar dhe institucioneve jobankare (të cilat përbëjnë rreth 95% të aktiveve financiare në treg), Banka e Shqipërisë në mënyrë të nënkuptuar ka si detyrë të ruajë stabilitetin financiar në çdo kohë.

Ruajtja e stabilitetit financiar është komplekse dhe kërkon përfshirjen aktive të aktorëve të tjerë institucionalë. Ndaj, nevojitet një koordinim dhe bashkëpunim i vazhdueshëm me institucionet e tjera të përfshira në këtë proces. Paralelisht me të, Guvernatori theksoi se qëndrueshmëria e financave publike të vendit është rrjeta finale e sigurisë për stabilitetin financiar, dhe për këtë arsye ajo duhet të jetë një konsideratë primare e politikës fiskale.

Për rrjedhojë, duhet të krijohet një mekanizëm efektiv koordinimi midis politikave dhe instrumenteve, brenda e ndërmjet institucioneve, si dhe një komunikim i qartë dhe transparent për të shpjeguar plotësisht alternativat dhe zgjedhjet e politikave të ndërmarra nga bankat qendrore.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0