Google zbulon aksidentalisht detaje mbi gjuhën e re të dizajnit për Android! - Business Magazine Albania

Google zbulon aksidentalisht detaje mbi gjuhën e re të dizajnit për Android!

Google zbulon aksidentalisht detaje mbi gjuhën e re të dizajnit për Android!

Google pritet të prezantojë një version të ri të gjuhës së dizajnit për Android në konferencën e ardhshme të zhvilluesve Google I/O, sipas një agjende të publikuar në faqen zyrtare të eventit, si dhe një postimi në blog që u publikua gabimisht. Titulli i një sesioni të Google I/O tregon për ndryshime të mëdha në sistemin e dizajnit të Android-it, që do të evoluojë nga “Material 3” në “Material Design 3 Expressive”. Postimi i zbuluar tregon se dizajni i përditësuar i Google do të fokusohet në krijimin e ndërfaqeve që “lidhen emocionalisht me njerëzit”.

Përditësime të tilla të sistemit të dizajnit ndikojnë në mënyrën se si zhvilluesit ndërtojnë aplikacionet dhe personalizojnë përvojën për përdoruesit, duke ndikuar ndjeshëm në ndjesinë e përgjithshme të përdorimit të një pajisjeje Android. Edhe pse ende dihet pak mbi mënyrën konkrete se si do të implementohet Material 3 Expressive, postimi i blogut ofroi disa detaje të përgjithshme, duke theksuar se sistemi i ri do të karakterizohet nga “përdorimi i guximshëm i formave dhe ngjyrave  për të krijuar përvoja të këndshme për përdoruesin.” Material Design, i prezantuar për herë të parë në vitin 2014, është sistemi i dizajnit me burim të hapur i Google që përcakton mënyrën e krijimit të ndërfaqeve për aplikacionet Android, duke përfshirë dizajnin vizual, lëvizjen dhe ndërveprimin. Përditësimi tjetër i madh u prezantua në maj 2021 me “Material You” (i njohur ndryshe si Material 3), që solli një ndërfaqe adaptive, duke i lejuar përdoruesit të personalizonin pamjen e Android-it sipas preferencave të tyre. Për shembull, nëse ndryshoje sfondin e telefonit, e gjithë përvoja vizuale e pajisjes përputhej me ngjyrat e reja.

Lexo edhe:GTA 6 po zgjat dhe kushton më shumë se ndërtimi i Burj Khalifa

Material 3 Expressive duket se nuk do të jetë një revolucion i plotë si Material You, por një përmirësim dhe pasurim i mëtejshëm i gjuhës ekzistuese të dizajnit. Postimi i zbuluar fokusohej më shumë në kërkimin dhe arsyetimin pas këtij azhurnimi, duke vënë në dukje se njerëzit preferojnë një dizajn më ekspresiv që përmirëson edhe përdorshmërinë. Ky lloj dizajni ndihmon në theksimin e elementeve kryesore dhe veprimeve të rëndësishme për përdoruesin, çka, sipas Google, sjell “rritje të ndjeshme të performancës”. Gjithashtu, kompania thekson se dizajni ekspresiv lehtëson përdorimin e aplikacioneve për të rriturit më në moshë, duke barazuar përvojën për përdorues të të gjitha moshave. Megjithatë, Google paralajmëron se ky stil dizajni nuk është një “zgjidhje universale”, dhe zhvilluesit do të duhet të respektojnë modelet dhe standardet e tjera të dizajnit kur përshtasin ndërfaqet e aplikacioneve të tyre. Postimi i Google u zbulua fillimisht nga 9to5Google dhe është ruajtur nga Wayback Machine, edhe pse kompania e hoqi shpejt. Megjithatë, sesioni i titulluar “Ndërto përvoja UX të nivelit tjetër me Material 3 Expressive” në agjendën e I/O tregon se Google do të zbulojë zyrtarisht sistemin e përditësuar të dizajnit gjatë konferencës që zhvillohet këtë muaj. Sipas përshkrimit të sesionit, zhvilluesit do të mësojnë si të përdorin “modele të reja dizajni emocional” për të rritur angazhimin, përdorshmërinë dhe dëshirën për produktet e tyre. Gjithashtu, Google do të shpërndajë skedarë dhe kod në fazën alfa për zhvilluesit, që të mund të eksperimentojnë me ndryshimet përpara publikimit zyrtar.
techcrunch

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0