Google ka pranuar se sistemi i saj i paralajmërimit për tërmete në pajisjet Android (AEA) nuk arriti të informojë në kohë shumicën dërrmuese të njerëzve përpara tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë në shkurt të vitit 2023, duke shkaktuar mbi 55,000 viktima dhe plagosjen e më shumë se 100,000 personave.
Edhe pse sistemi kishte potencialin të dërgonte alarme të nivelit të lartë tek rreth 10 milionë njerëz brenda një rrezeje 158 kilometrash nga epiqendra, vetëm 469 paralajmërime të tipit “Merr masa” (Take Action) u shpërndanë përpara goditjes së parë me magnitudë 7.8. Ky nivel alarmi është konceptuar për të zgjuar përdoruesit që flenë dhe për t’i shtyrë të marrin masa të menjëhershme për sigurinë e tyre.
Në vend të kësaj, Google konfirmoi për BBC se rreth 500,000 përdorues morën njoftimin më të lehtë “Ji i vetëdijshëm” (Be Aware), që njofton vetëm për lëkundje të lehta dhe nuk ka fuqinë të anashkalojë opsionin “Mos shqetëso” të telefonit.
Sistemi kishte nënvlerësuar ndjeshëm madhësinë e tërmetit, duke e vlerësuar fillimisht si vetëm 4.5 deri në 4.9 ballë sipas shkallës së magnitudës momentale , shumë më poshtë se magnituda reale prej 7.8. Sipas një zëdhënësi të Google, kompania është duke përmirësuar vazhdimisht algoritmet e saj në bazë të mësimeve të nxjerra nga secili tërmet.
Hetimi i BBC-së pas fatkeqësisë zbuloi se asnjë prej të intervistuarve në zonat e prekura nuk kishte marrë alarmet e nivelit “Merr masë” përpara se të fillonin lëkundjet. Kjo ishte veçanërisht e rëndë, pasi tërmeti ndodhi në orën 4:17 të mëngjesit, kur shumica e njerëzve ishin në gjumë brenda ndërtesave që më pas u shembën.
Lexo edhe: AI kundër vetes, si po përpiqet teknologjia të ndalojë valën e “deepfake”
Në fillim, Google pretendoi se sistemi kishte funksionuar mirë, por më vonë, në një publikim në revistën Science, pranoi kufizimet e algoritmeve të zbulimit që çuan në këtë dështim. Edhe tërmeti i dytë i fortë që ndodhi po atë ditë u nënvlerësua fillimisht, por gjithsesi gjeneroi 8,158 alarme “Merr Masë” dhe gati katër milionë njoftime “Ji i Vetëdijshëm”.
Pas ngjarjes, Google rishikoi algoritmet e tij dhe kreu një simulim të tërmetit të parë. Sipas kompanisë, nëse versioni i ri do të kishte qenë aktiv në atë kohë, do të ishin dërguar 10 milionë alarme “Merr Masë” dhe 67 milionë njoftime “Ji i Vetëdijshëm”.
“Çdo sistem paralajmërimi për tërmete përballet me të njëjtën sfidë – kalibrimin e algoritmeve për tërmete me magnitudë të lartë,” tha Google për BBC.
Megjithatë, ekspertët janë të shqetësuar për vonesën në publikimin e informacionit.
“Jam vërtet e zhgënjyer që u desh kaq shumë kohë,” tha Elizabeth Reddy, profesoreshë në Colorado School of Mines. “Nuk po flasim për një incident të vogël, njerëz kanë vdekur dhe performanca e sistemit nuk ishte ajo që duhej.”
Sistemi AEA, i disponueshëm në 98 vende, funksionon në mënyrë të pavarur nga qeveritë kombëtare dhe menaxhohet drejtpërdrejt nga Google. Ai detekton lëkundjet përmes sensorëve të vendosur në pajisjet Android, të cilat përbëjnë mbi 70% të telefonave celularë në Turqi.
Google thekson se AEA është vetëm një shtesë ndaj sistemeve kombëtare të paralajmërimit dhe nuk duhet të konsiderohet si zëvendësim i tyre. Megjithatë, disa shkencëtarë shqetësohen se vendet mund të mbështeten tepër në këtë teknologji.
“A do të ketë vende që do të thonë: ‘Po e bën Google, nuk kemi pse ta bëjmë ne’?” pyet Harold Tobin, drejtor i Rrjetit Sizmik të Paqësorit Veriperëndimor. “Transparenca për sa mirë funksionon kjo teknologji është thelbësore.”
BBC ka kërkuar gjithashtu informacion nga Google për mënyrën se si AEA funksionoi gjatë tërmetit në Myanmar në vitin 2025, por deri tani nuk ka marrë një përgjigje.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto