Një trup gjyqësor prej tre anëtarësh në Gjykatën e Tregtisë Ndërkombëtare të SHBA ka vendosur se presidenti Donald Trump e ka tejkaluar autoritetin e tij kur shpalli tarifat e ashtuquajtura “të Ditës së Çlirimit” më 2 prill.
Gjykata rrëzoi gjithashtu tarifat e vendosura ndaj importeve nga Meksika, Kanadaja dhe Kina, të cilat Trump i justifikoi me nevojën për të luftuar trafikimin e drogës dhe krizën e fentanilit.
Në një vendim të pa nënshkruar, i bërë publik të mërkurën, gjykatësit vendosën që tarifat të shfuqizohen dhe të ndalohet përgjithmonë zbatimi i tyre nga qeveria. Ata i dhanë paditësve një vendim përmbledhës, jo thjesht një ndalim të përkohshëm pasi, sipas gjykatës, “nuk kishte asnjë mosmarrëveshje të vlefshme për faktet kryesore”. Vendimi do të zbatohet në të gjithë vendin, pasi “tarifat e paligjshme nuk mund të mblidhen nga askush, askund”.
Departamenti i Drejtësisë ka apeluar menjëherë vendimin. Ky vendim me ndikim të gjerë, i cili rrëzon shtyllat kryesore të politikës tregtare të Trumpit, erdhi si përgjigje ndaj një padie të ngritur nga 12 prokurorë të përgjithshëm shtetesh dhe një grup biznesesh të vogla amerikane, të cilët kërkuan që tarifat të shpalleshin të paligjshme.
Prokurorja e përgjithshme e Arizonës, Kris Mayes, e cila ishte ndër paditëset kryesore, reagoi në rrjetin X mbrëmjen e së mërkurës:
“Lajm i madh! Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare sapo e shpalli skemën e tarifave të Trumpit të pavlefshme sipas Ligjit për Fuqitë Ekonomike të Emergjencës Ndërkombëtare (IEEPA). Presidenti nuk ka të drejtë të vendosë tarifa në mënyrë të njëanshme. Krenare që e bashkëdrejtova këtë çështje me Oregonin për të mbrojtur familjet dhe bizneset e vogla të Arizonës.”
Gjykata vuri në dukje se tarifat e shpallura nga Trump e tejkalonin qartë autoritetin e dhënë nga Kongresi përmes ligjit IEEPA, një ligj i vitit 1977 që përcakton se kur dhe si presidenti mund të vendosë taksa ndaj importeve gjatë një gjendjeje emergjente.
Lexo edhe: Elon Musk largohet përfundimisht nga administrata Trump
Gjykatësit arsyetuan se tarifat “e Ditës së Çlirimit”, të cilat parashikonin një taksë bazë prej 10% për të gjitha importet, dhe norma edhe më të larta për pothuajse të gjithë partnerët tregtarë të SHBA, “tejkalojnë çdo autoritet që IEEPA i jep presidentit për të rregulluar importet përmes tarifave.”
Ata hodhën poshtë edhe justifikimin e Trump për tarifat ndaj Meksikës, Kanadasë dhe Kinës, duke theksuar se ato nuk përmbushnin kërkesën ligjore që një emergjencë kombëtare duhet të përbëjë një kërcënim “të pazakontë dhe të jashtëzakonshëm”, siç kërkohet nga IEEPA.
Gjykata e përçmoi argumentin e administratës Trump se presidenti ka kompetenca të pakufizuara për të vendosur tarifa në rrethana emergjente. “Një delegim i pakufizuar i autoritetit për tarifat do të përbënte një dorëzim të paligjshëm të pushtetit legjislativ,” shkruan vendimi, duke shtuar se çdo interpretim i IEEPA që i jep presidentit autoritet të pakufizuar për tarifa është antikushtetues.
Avokatët e qeverisë pretenduan se shpallja e emergjencës nga Trump dhe përdorimi i fuqive ekonomike të emergjencës nuk mund të vlerësoheshin nga gjykatat. Ata pranuan megjithatë se Kongresi, teorikisht, mund t’i anulonte tarifat duke rrëzuar shpalljen e emergjencës me një ligj të ri.
Gjykatësit thanë se vetëm shpallja e emergjencës nuk mjafton. Ligji kërkon një kërcënim specifik e të jashtëzakonshëm që justifikon ndërhyrjen ekonomike, dhe ndalon shprehimisht përdorimin e këtyre fuqive për qëllime të tjera.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai, reagoi ashpër ndaj vendimit:
“Gjykata nuk kundërshtoi faktin se trajtimi joreciprok i vendeve të huaja ndaj SHBA-së ka ushqyer deficitin tregtar historik e të vazhdueshëm të Amerikës, duke shkatërruar komunitetet tona dhe dobësuar bazën industriale mbrojtëse. Nuk u takon ‘gjyqtarëve të paemëruar’ të vendosin si t’i qasemi një emergjence kombëtare. Presidenti Trump ka premtuar ta vendosë Amerikën të parën, dhe administrata do të përdorë çdo mjet të pushtetit ekzekutiv për ta rikthyer madhështinë amerikane.”
Shtëpia e Bardhë ka arritur të bllokojë përkohësisht vendime të pafavorshme në gjykata të ndryshme federale apo edhe në Gjykatën e Lartë, por nuk ka të njëjtin ndikim në këtë rast.
Gjykata e Tregtisë Ndërkombëtare është një instancë e specializuar për çështje tregtare, dhe vendimet e saj apelohen vetëm në Gjykatën e Apelit për Qarkun Federal, një tjetër trup gjyqësor me juridiksion kombëtar dhe e vetmja gjykatë apeli në të cilën Trump nuk ka emëruar asnjë gjyqtar.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.