Gjigandi gjerman i supermarketeve, LiDL, ka fituar zyrtarisht statusin e investitorit strategjik në Shqipëri dhe do të kryejë një investim prej 105 milionë eurosh, ku do të përfshihet edhe ndërtimi i një qendre logjistike.
Vendimi i KIS ka të bëjë me ngritjen e një qendre logjistike të markës së shitjes me pakicë LIDL që pritet të hyjë në tregun shqiptar. Subjekti aplikues “LIDL SHQIPËRIA” SHPK është pjesë e kompanive të rrjetit ndërkombëtar gjerman Schwarz Group, i cili është një lider ndërkombëtar në industrinë e shitjes me pakicë, i pozicionuar në 31 shtete.
Lexo edhe: Shqipëria në vëmendjen e LIDL, rrjetit më të madh të supermarketeve Gjermane
“Vlera e investimit të projektit të investimit “LIDL Shqipëria– Qendër Logjistike” i plotëson kriteret e parashikuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikohet të jetë mbi 105 milionë Euro.
Projekti i investimit synon të zhvillohet në një sipërfaqe totale prej 200 mijë m2, e cila ndodhet pranë zonës logjistike portuale në Porto Romano, Durrës. Projekti i investimit parashikon ndërtimin e një qendre logjistike e cila do të shërbejë si objekt kryesor për magazinimin e produkteve me shumicë.
Produktet e magazinuara synojnë të furnizojnë si tregun shqiptar, duke lehtësuar grumbullimin, mirëmbajtjen dhe shpërndarjen e produkteve vendase, ashtu si dhe promovimin dhe eksportin e jashtëm të këtyre produkteve. Subjekti synon gjithashtu të operojë në tregun shqiptar duke krijuar operacione të shitjes me pakicë përmes një rrjeti të gjerë supermarketesh.
Sipërfaqja e synuar ndodhet brenda konturit të “Masterplanit të Portit të Ri Tregtar të Integruar të Durrësit në Porto Romano”, me zhvillues Autoritetin Portual Durrës, miratuar me Vendim KKTKU me nr. 09, datë 27.07.2022 “Leje zhvillimi për objektin “Porti i Durrësit – Porto Romano”” thuhet në vendim. Ky project investimi parashikon të punësojë të paktën 2500 persona.
Vendimi i KIS i ka miratuar atij Statusiin “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” për tre vjet. Do të jetë Autoriteti Portual Durrës, në cilësinë e zhvilluesit të zonës pas përfundimit të procedurave administrative dhe disponimit të pronës, ai që do të të lidh kontratë qiraje afatgjatë me shoqërinë “Lidl Shqipëria” sh.p.k.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto