Gjermania “rrëmben” talentet shqiptare, 3.500 Karta Blu në 5 vite - Business Magazine Albania

Gjermania “rrëmben” talentet shqiptare, 3.500 Karta Blu në 5 vite

Ndërsa tregu i punës në Shqipëri po vuan gjithmonë e më shumë ikjen e forcës së punës së kualifikuar, Europa dhe sidomos Gjermania po marrin talentet shqiptare, duke u dhënë atyre karta blu, që është një leje pune dhe qëndrimi për persona me kualifikime të larta nga vendet jo anëtare të Bashkimit Europian (BE).

Eurostat raportoi se që nga viti 2019 është rritur ndjeshëm numri i kartave blu për shtetasit shqiptarë nga shtetet e BE-së, duke dhënë mesatarisht 650-900 të tilla në vit. Që nga viti 2019 deri në 2023-n janë dhënë gjithsej 3495 karta blu për shtetasit shqiptarë. Në krahasim me vitet e mëparshme rritja është e fortë. Në vitin 2012 ishin dhënë vetëm 15 karta të tilla, ndërsa në 2021-n, që është rekordi i deritanishëm, shifra arriti në 882.

Rritja e dhënies së kartës blu për shqiptarët ka ardhur për shkak të hyrjes në lojë të Gjermanisë. Në vitin 2021 ky shtet dha 823 karta blu për shtetasit shqiptarë, ose 93% të totalit të shteteve të BE-së. Në 2023-n u dhanë 716 leje, ose 87% e totalit. Ata që kanë përfituar këtë kartë në Gjermani paguhen me të paktë 43 mijë euro në vit (rreth 3,600 euro në muaj), që është dhe kriteri minimal për të aplikuar për kartë blu.

Në vend të dytë për kartat blu është Italia, por me nivele shumë më të ulëta në raport me Gjermaninë (23 në 2022 dhe 41 në 2023). Pas saj renditet Austria (11 në 2022 dhe 30 në 2023). Polonia dha 11 karta blu për shtetas shqiptarë në 2023-n, Luksemburgu 6, Belgjika 4 dhe Franca 3.

Gjermania u bë vitet e fundit një destinacion i preferuar i profesionistëve nga Shqipëria, kryesisht nga fusha e teknologjisë së informacionit dhe mjekësisë, që u nxitën të punonin në ekonominë më të madhe të Europës, të joshur nga pagat e larta dhe zbutja e kritereve në shtetin që po vuante mungesën e fuqisë punëtore si rrjedhojë e plakjes së popullsisë.

Lexo edhe: Shtresa e mesme nën presionin e kostove të larta të jetesës! Për 70%, shpenzim kryesor mujor është ushqimi

Kartat blu në BE

Në vitin 2023, rreth 89,000 punonjës të kualifikuar nga vende jashtë BE-së morën një Kartë Blu të BE-së, një leje pune dhe qëndrimi për persona me kualifikime të larta nga vendet joanëtare të Bashkimit Europian, sipas Eurostat.

Gjermania lëshoi numrin më të madh të Kartave Blu (69,000, ose 78% e totalit në BE), e ndjekur nga Polonia me 7,000 (ose 8%) dhe Franca me 4,000 (ose 4%).

Shtetasit e Indisë ishin përfituesit më të mëdhenj të Kartës Blu në vitin 2023, me 21,000 leje (ose 24% të totalit), të ndjekur nga shtetasit e Rusisë (9,000 ose 11%), Turqisë (6,000 ose 7%) dhe Bjellorusisë (5,000 ose 6%).

Çfarë është Karta blu

Karta Blu e BE-së është një leje pune dhe qëndrimi që u jepet shtetasve jo të Bashkimit Europian me kualifikime të larta profesionale, për të punuar në një vend anëtar të BE-së. Ajo synon të tërheqë specialistë të huaj në profesione të kërkuara, duke u ofruar atyre kushte të favorshme pune, përfshirë të drejtën e qëndrimit familjar, mobilitet brenda BE-së dhe mundësi për qëndrim afatgjatë. Karta Blu jepet mbi bazën e një kontrate pune me pagë minimale të përcaktuar dhe kualifikime universitare.

Për të përfituar nga Karta Blu e BE-së, aplikantët duhet të plotësojnë një prag minimal page, i cili ndryshon sipas vendit anëtar dhe sektorit të punës. Këto pragje përcaktohen nga autoritetet kombëtare dhe zakonisht përfaqësojnë një përqindje të caktuar të pagës mesatare bruto në vendin përkatës. Për shembull, në Gjermani për vitin 2025, paga minimale vjetore bruto për Kartën Blu është 48,300 euro për profesionet e përgjithshme dhe 43,759.80 euro për profesionet me mungesë të theksuar, si IT, inxhinieri dhe kujdes shëndetësor.

Profesionet me prioritet të lartë për Kartën Blu të BE-së janë Teknologjia e Informacionit dhe Komunikimit (TIK); Inxhinieri; Mjekësi dhe kujdes shëndetësor; Shkencat natyrore dhe matematika; Arsimi i lartë dhe kërkimi shkencor; Financa dhe kontabiliteti.

Burimi: Eurostat, përpunime të Monitor

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0