Gjermania në shqyrtim për njohjen e patentave nga Shqipëria dhe Kosova - Business Magazine Albania

Gjermania në shqyrtim për njohjen e patentave nga Shqipëria dhe Kosova

patentave

Këshilli Federal po shqyrton aktualisht një projekt-rregullore të re për lejet e drejtimit të automjeteve në Gjermani. Njëra nga pikat është edhe njohja e patentave shqiptare dhe kosovare.

Njohja e patentave shqiptare dhe kosovare për emigrantët me banim në Gjermani së shpejti pritet të bëhet më e lehtë. Ministria Federale e Komunikimeve Digjitale dhe e Transportit i ka kërkuar Këshillit Federal (Bundesrat) që të miratojë disa ndryshime në rregulloren për provimet e lejeve të drejtimit të automjetit, ndër to edhe për konvertimin pa provime shtesë të lejeve të drejtimit të automjeteve nga Shqipëria, Kosova, Moldavia, Britania e Madhe dhe Irlanda e Veriut.

Cilat patenta njihen pa provime?

Sipas draftit të dorëzuar në fund të dhjetorit në Këshilin Federal, qeveria gjermane propozon njohjen e patentave nga Shqipëria pa provime në teori dhe praktike për pothuajse të gjitha kategoritë:

A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE. Vetëm për patentat nga Shqipëria që i përkasin kategorisë AM për konvertimin do të kërkohet një provim praktik.

Për lejet e drejtimit nga Kosova është parashikuar konvertimi pa provime shtesë në këto kategori:  AM, A1, A2, A, B, BE, C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D dhe DE.

Lexoni: Arrestohen katër persona për “skandalin e pagave”: Dolën nga AKSHI dhe u shitën te kompani private

Kursime prej së paku 1000 Euro për çdo emigrant

Ndryshimet priten të lehtësojnë jetën e mijëra emigrantëve që kanë ardhur nga Shqipëria dhe Kosova në Gjermani. Sipas rregullave të deritanishme për emigrantët rezidentë në Gjermani vlefshmëria e patentës skadonte pas gjashtë muajsh qëndrimi. Konvertimi kushtonte deri në 1000 Euro, tha Xhevat Qerimaj, nga Autoshkolla Sieber në Stuttgart të Gjermanisë.

“Deri tani konvertimi i patentave nga këto dy vende kërkonte provime shtesë si në teori ashtu edhe në praktikë, plus edhe gjashtë orë ushtrim praktike. Në total ishin së paku 1000 Euro”, tha Qerimaj. “Shumë prej emigrantëve të ardhur me Rregulloren e Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk e njihnin mirë gjermanishten nuk kishin shans të merrnin provimin teorik,” shtoi Qerimaj. Një kërkesë e bërë tri vjet më parë nga ambasadat e Kosovës dhe të Shqipërisë në Berlin që provimet e lejeve të drejtimit të automjeteve të bëheshin, së paku përkohësisht, në gjuhën shqipe u refuzua.

Miratimi në shkurt?

Projekt-rregullorja pritet të shqyrtohet më 26 janar në seancën e rregullt të Komisionit për Komunikime Digjitale dhe Transporte. Nëse nuk ka propozime për ndryshime, rregullorja mund të miratohet qysh më 11 shkurt, në seancën plenare të Këshillit Federal.

Ndryshimet e propozuara kanë mbi bazë projekt-marrëveshje dypalëshe të Gjermanisë me Shqipërinë, përkatësisht me Kosovën, që pritet të ratifikohen menjëherë pas miratimit nga Këshilli Federal.

Çështja e njohjes së patentave për emigrantët rezidentë në Gjermani kishte shkuar deri në tryezën e ish-kancelares Angela Merkel. Thuajse në çdo takim me krerët e vendeve përkatëse flitej për patentat. Diplomatët në Berlin thonë se ishte pikërisht angazhimi personal ish-kancelares që e përshpejtoi procesin.

/Deutsche Welle

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0