Gjashtë tregje, një problem – Pse besimi dhe jo paraja, është monedha që mungon - Business Magazine Albania

Gjashtë tregje, një problem – Pse besimi dhe jo paraja, është monedha që mungon

Shkruar nga Alfred Sogja

Radha për një kafe ishte goxha e gjatë dhe, ndërsa njerëzit prisnin, kishin nisur bisedat mes të ftuarve në event. “Unë mund t’u dërgoj 1000 euro familjarëve me një klikim”, tha një klient. “Po, por provo të investosh 5000 euro në një startup në rajon, procesi do të jetë shumë më i koklavitur.” Aty pranë, një sipërmarrës i suksesshëm shtoi: “Startup-et mendojnë përtej kufijve. Dhe ndërkohë duhet të ndjekin Politikat dhe rregullat.” Të pranishmit aprovuan, sepse e dinin që problemi nuk është te paratë apo idetë. 

Të gjithë ranë dakord se ajo që mungon është në fakt besimi. Besimi tek rregullat të cilat nuk ndryshojnë, te pilotime që i mbijetojnë kufijve dhe tek kapitali i pritur. Këtë frymë Keiretsu Forum Southeast Europe u përpoq ta përcjellë në Western Balkans Convergence Forum, mbajtur në Tiranë më 15 tetor 2025.

Roli i Keiretsu SEE këtu nuk është tipik. Në vende të tjera, një përfaqësi e Keiretsu mjaftohet me mbrëmje prezantimesh; ndërsa në Evropën Juglindore, puna është më e madhe: Keiretsu trajnon investitorë engjëj, i fton të bashkë-investojnë, edukojnë tregun dhe bëjnë së bashku ministritë, ligj-vënësit, vendimmarrësit, fondacionet dhe qendrat e inovacionit; në mënyrë që kapitali privat të qarkullojë përtej kufijve. Kjo është arsyeja pse axhenda e eventit të fundit në Tiranë u nda në dy tema që tingëllojnë teknike, por u ndjenë emergjente: Këshilli i Kapitalit për Ballkanin Perëndimor (WBCC), për të bashkë-dizajnuar mjete financimi rajonale, dhe një korridor testimesh për të pilotuar inovacionin, ku rregullat ndjekin praktikën.

Nëse po e lexon këtë që nga ndonjë prej gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor, me siguri njeh sfidat e përbashkëta: tregje të vogla, politika që ndryshojnë pas çdo sfide elektorale, projekte donatorësh që i kanë mësuar aktorët të fitojnë fonde e jo të ndërtojnë biznese, diasporë që dëshiron të kontribuojë por nuk ka një strukturë të përbashkët dhe sipërmarrës që humbasin muaj të tërë me sfida bankare, fiskale e burokratike ndërkufitare. 

Forumi nuk pretendoi t’i zgjidhte të gjitha në një ditë.  Synimi ishte më realist – të kthente energjinë dhe ndjenjën e përbashkët në një strukturë funksionale dhe të qëndrueshme. Ja si duket nje tablo me procese interesante që po ndodhin në çdo shtet. Pyetja që mbetet është si të krijojmë lidhjet mes tyre.

  • Serbia ka harmonizuar sektorin publik e privat për më shumë se një dekadë përmes Innovation Fund dhe Digital Serbia Initiative. Modeli i saj tregon se harmonizimi funksionon, por mbetet i kufizuar në nivel kombëtar. 
  • Maqedonia e Veriut, përmes FITD, ka treguar se financimi i përzier mund të tërheqë kapital privat kur është i qëndrueshëm dhe i pavarur nga politika. 
  • Mali i Zi ka provuar stimuj për kërkim dhe zhvillim, por ndryshimet politike dobësuan efektet – mësimi është i qartë: vazhdimësia ndërton besim. 
  • Bosnja dhe Hercegovina ka ndërtuar kapacitet teknologjik dhe eksportues përmes rrjeteve si NSoft, Symphony dhe BIT Alliance, edhe pa një strategji kombëtare; pa mbështetje politike, ato mbeten të fragmentuara. 
  • Shqipëria po ndërton lidhje të reja si Durana Tech Park dhe ka një diasporë të motivuar, por kapitali dhe politika ende funksionojnë në binarë të ndarë. 
  • Kosova sjell një element thelbësor: talent të kualifikuar dhe qendra inovacioni që tashmë bashkëpunojnë përtej kufijve.

Lexo edhe:‘Thinking Machines’ e Mira Muratit synon financim në vlerën 50 miliardë dollarë

Në tërësi, modeli është i qartë – çdo vend ka diçka që funksionon, por asgjë nuk është e sinkronizuar. Një treg me përmasa të mëdha nuk ndërtohet me përpjekje të izlouara. Zgjidhja mund të ndërtohet mbi një shtresë besimi rajonal.

1) Sinjali i parë është normalizimi i sjelljes ndërkufitare: standardizimi i trajnimit dhe njohjes së investitorëve engjëj në të gjithë rajonin WB6, në mënyrë që një investitor në Shkup të trajtohet njësoj në Podgoricë. Krijimi i paketave të përbashkëta KYC/KYB, që mund të ripërdoren nga bankat, PSP-të, inkubatorët dhe akseleratorët në çdo vend, do të thjeshtonte proceset dhe do të kthente prezantimet në marrëveshje reale. 

2) Faza e dytë është strukturimi – platforma të përbashkëta testimi ku rregullat vijnë në vijimësi të praktikës; korridore pilotimi ndërkufitar (p.sh. për pagesa ndërkufitare), modele prokurimi për AI dhe mikro-projekte klimatike me një listë të unifikuar miratimesh.

3) Dhe më në fund ndërtimi i instrumenteve mbi kapitalin që i mbijetojnë qeverive. Këtu hyn në lojë Këshilli i Kapitalit të Ballkanit Perëndimor (WBCC), një platformë bashkëpunimi mes ministrive, investitorëve dhe diasporës për të bashkë-krijuar nxitje tatimore dhe mekanizma bashkë-investimi. Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka shprehur gatishmëri për të pritur diskutimet e para nën kuadrin e SEE2030, për të ruajtur vazhdimësinë dhe vrullin përtej cikleve politike.

Nëse dikush ndihet skeptik, është shenjë e mirë. Rajoni është lodhur nga projekte që mbyllen me raporte e jo me rezultate; këtë herë ndryshimi synohet të jetë praktik: grupe pune të hapura, proces transparent dhe projekte pilot të përbashkëta, të bashkë-dizajnuara me ata që do t’i zbatojnë. Pa heronj, pa premtime magjike – vetëm punë reale dhe bashkëpunim. 

Qëllimi nuk është të gjykohet historia e rajonit, por të ndërtohen mekanizma që funksionojnë: standarde të përbashkëta, rregulla që nxisin inovacionin dhe një mjedis ku të rinjtë sipërmarrës mund të rriten në vendet e tyre.

Në Forum morën pjesë përfaqësues të ministrive, RCC, themelues të startupeve si Native Teams dhe DigitSapiens, investitorë engjëj, universitete dhe qendra inovacioni nga gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, si edhe partnerë ndërkombëtarë të gatshëm të verifikojnë projektet pilot. Diskutimet u ndanë publikisht edhe në LinkedIn për të rritur transparencën dhe për ta ruajtur gjallë vrullin e bashkëpunimit.

Keiretsu SEE është pjesë e një rrjeti më të gjerë ndërkombëtar bashkëpunimi. Roli i tij është neutral dhe praktik: të trajnojë investitorë engjëj, të përzgjedhë mundësi të mira biznesi, të bashkë-investojë me fondet rajonale dhe të ndihmojë në ndërtimin e lidhjeve reale ndërmjet vendeve për ta bërë rrezikun privat më të lëvizshëm dhe më të sigurt. Organizata të tjera kanë arritur shumë brenda kufijve të tyre, por Keiretsu SEE vlerëson se, duke bashkëpunuar, këto arritje mund të lidhen në një ekosistem të përbashkët rajonal.

Nëse ndonjë nga këto ide të duket e vlefshme, mund të përfshihesh duke marrë pjesë në grupet e punës për financim rajonal, projekte testimi dhe bashkë-investime të diasporës, duke caktuar një person kontakti nga institucioni yt ose duke kontaktuar organizatorët për të qenë pjesë e bisedës dhe për të mësuar se ku mund të kontribuosh.

Ky aktivitet u organizua nga Keiretsu Forum Southeast Europe me mbështetjen e Open Society Foundations – Western Balkans.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

✨ Thënia e ditës
“Suksesi arrihet më shpesh nga ata që nuk e dinë se dështimi është i pashmangshëm.”
— Coco Chanel
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0