Gabimet që mund t’ju kushtojnë karrierën gjatë vlerësimit vjetor t ... - Business Magazine Albania

Gabimet që mund t’ju kushtojnë karrierën gjatë vlerësimit vjetor të punës

Sezoni i vlerësimit të performancës në punë shpesh shoqërohet me stres dhe pasiguri për shumë punonjës. Sipas coaches së karrierës, Sarah Baker Andrus, mënyra se si silleni gjatë këtij takimi mund të përcaktojë marrëdhënien tuaj me menaxherin për një kohë të gjatë.

Ekspertja thekson se menaxhimi i emocioneve është thelbësor: të qëndroni të qetë, të përfshirë dhe të hapur ndaj feedback-ut lë një përshtypje pozitive, ndërsa reagimet mbrojtëse apo nervozizmi mund të kenë efekt të kundërt.

1. Të shkoni të papërgatitur

Një nga gabimet më të mëdha që bëjnë punonjësit është mungesa e përgatitjes. Andrus këshillon që para vlerësimit, çdo punonjës të analizojë me kujdes sukseset dhe fushat ku mund të përmirësohet.

Shpesh, punonjësit kopjojnë vetëvlerësimin e vitit të kaluar pa reflektuar realisht mbi performancën aktuale. Kjo, sipas saj, dërgon sinjalin se nuk ka angazhim për zhvillim profesional. Vetëvlerësimi duhet parë si një dokument serioz, që do të përdoret edhe nga të tjerë në vendimmarrje.

2. Reagimi negativ ndaj kritikave

Marrja e kritikave nuk është e lehtë, por reagimi i menjëhershëm dhe argumentues konsiderohet një “alarm i kuq”. Ekspertja sugjeron që punonjësit të marrin kohë për të reflektuar, të marrin frymë thellë dhe të mos përgjigjen me impuls.

Nëse nuk jeni dakord me një vlerësim, është më e mençur të kërkoni vazhdimin e diskutimit në një moment tjetër, në vend që të krijoni tension gjatë takimit.

3. Dalja nga tema

Një tjetër gabim i zakonshëm është përdorimi i vlerësimit të performancës për të hapur tema që kërkojnë takime të veçanta, si konflikte me kolegë apo çështje orari.

Sipas Andrus, vlerësimi i performancës duhet të fokusohet në objektivat profesionale, arritjet dhe planet për të ardhmen. Problemet e tjera duhet të trajtohen në kohën e duhur, jo në këtë takim të kufizuar në kohë.

Ekspertja përfundon se një qasje e qetë, e përgatitur dhe profesionale ndaj vlerësimit të performancës jo vetëm që rrit shanset për sukses, por edhe forcon marrëdhënien me drejtuesit dhe hap rrugë për zhvillim të mëtejshëm në karrierë.

cnbc

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0