Future2Tech 2025, mbi 5000 vizitorë dhe mbështetje për startup-et dhe bizneset - Business Magazine Albania

Future2Tech 2025, mbi 5000 vizitorë dhe mbështetje për startup-et dhe bizneset

Edicioni i tretë i Future2Tech mbylli dyert më 3 tetor, duke konfirmuar edhe një herë rolin e tij si ngjarja më e madhe e teknologjisë, inovacionit dhe edukimit në Shqipëri. Për dy ditë me radhë, Pallati i Kongreseve u kthye në epiqendrën e ideve, risive dhe vizioneve që po formësojnë të ardhmen digjitale të vendit.

Me 120 ekspozues, 5,000+ vizitorë, 13 panele diskutimi dhe mbi 70 folës kombëtarë e ndërkombëtarë, ky edicion e tejkaloi çdo pritshmëri, duke e konsoliduar Future2Tech si një platformë unike ku ndërthuren biznesi, startup-et, akademia dhe politikat publike.

Ceremonia zyrtare e hapjes u përshëndet nga një sërë personalitetesh që theksuan rëndësinë e teknologjisë dhe inovacionit për zhvillimin e Shqipërisë. Fjalën hyrëse e mbajtën Anuela Ristani, përfaqësuese e Bashkisë së Tiranës dhe kryetare e komanduar, Eduard Shalsi, Kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat, Balázs Révész, CEO i Vodafone Albania, dhe Niklas Ström, Ambasador i Suedisë në Shqipëri. Gjithashtu edhe ministrja e Ekonomise dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj mbajti nje fjale pershendetese ku theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe privat, rolin e rinisë në zhvillimin teknologjik dhe nevojën për ta kthyer Shqipërinë në një qendër të inovacionit rajonal.

Një momentum historik për Shqipërinë digjitale

Në një periudhë kur Shqipëria po tërheq vëmendjen botërore, nga emërimi i Ministres së parë të AI-së, deri te zhvillimet e reja në startup-e dhe teknologji, Future2Tech 2025 u shndërrua në simbolin e këtij momentumi. Ngjarja tregoi se vendi po hyn me hapa të sigurt në epokën e inovacionit, duke lidhur brezat, idetë dhe institucionet në një ekosistem të gjallë bashkëpunimi.

Pikat kulmore të eventit

Edicioni u hap me ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes nga Enejda Sheku dhe Gert Boshnjaku, ndërsa përfaqësues qeveritarë, ambasadorë dhe drejtues kompanish dhanë mesazhe frymëzuese për të ardhmen digjitale të vendit.

Pas hapjes, seria e forumeve dhe paneleve solli diskutime të thelluara mbi temat më aktuale:

Innovation for the Future – Leaders Transforming Today, ku u trajtuan sfidat e inteligjencës artificiale, sigurisë kibernetike dhe edukimit teknologjik.

E ardhmja e edukimit, që vuri në qendër mënyrën se si sistemi arsimor mund të përgatitë të rinjtë për profesionet e së ardhmes.

Forumi i Qëndrueshmërisë, organizuar nga Albanian ESG Network, i cili bashkoi kompani si Titanium, Deloitte dhe Coca-Cola, për të diskutuar praktikat e qëndrueshme të biznesit në Shqipëri.

Fintech Forum nga EasyPay, me fokus në integrimin e Shqipërisë në sistemin SEPA dhe zhvillimin e Open Banking, një hap i madh për transformimin e tregut financiar vendas.

AI Forum nga AmCham Albania, që analizoi përdorimin e inteligjencës artificiale në ekonomi dhe shoqëri.

Future of Marketing, nën moderimin e Rafaela Rica, që eksploroi ndikimin e teknologjisë në industrinë e marketingut.

Gjithashtu, Cybersecurity Forum i organizuar nga InfoSoft Systems, ERP Workshop nga InfoSoft Business Solutions dhe Gaming Forum nga Albanian Gaming Community sollën energji të re dhe ide frymëzuese për profesionistët e fushës.

Startup-et në qendër të vëmendjes

Një pjesë thelbësore e Future2Tech mbeti mbështetja për startup-et shqiptare. Përmes workshop-eve, pitch-eve dhe mentoring sessions, dhjetëra të rinj patën mundësinë të prezantojnë idetë e tyre para investitorëve dhe ekspertëve të industrisë.

Në këtë kuadër, Gaming Zone, e zhvilluar me mbështetjen e Istituto Italiano di Cultura, solli një ndërthurje unike të kulturës, edukimit dhe argëtimit, duke u bërë një nga atraksionet më të vizituara të panairit.

Çmimi “Tan Mezini”, një nderim për vizionin dhe inovacionin shqiptar

Tradita e bukur e ndarjes së çmimit “Tan Mezini” vazhdoi edhe këtë vit, duke nderuar frymën e sipërmarrjes dhe inovacionit që karakterizonte pionierin e teknologjisë shqiptare. Çmimi iu dha startup-it Eco Charger  për qasjen e tij inovative në zgjidhje të gjelbra dhe efikase për energjinë.

Bashkë me ta, u vlerësuan edhe idetë frymëzuese të Katalogim Doll App, Digital Roots and Lookup Parking,  të cilët dëshmuan se kreativiteti dhe pasioni për inovacionin po rriten çdo vit më shumë në Shqipëri.

Një fund që shënon fillimin e një epoke të re

Future2Tech 2025 nuk ishte vetëm një panair,  ishte një deklaratë. Një dëshmi se Shqipëria po kalon nga konsumimi i teknologjisë, në krijimin e saj. Me një ekosistem gjithnjë e më të bashkuar dhe një brez të ri inovatorësh të vendosur të ndryshojnë botën, edicioni i tretë mbyllet me bindjen se e ardhmja e teknologjisë shqiptare sapo ka filluar.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0