Sipërmarrësi shqiptar me bazë në Zvicër, Arbër Sejdiji, është përfshirë nga Forbes Switzerland në listën e inovatorëve që po ndryshojnë sektorin e tregtisë përmes përdorimit të inteligjencës artificiale, raportojnë mediat zvicerane.
Sejdiji është bashkëthemelues dhe drejtor ekzekutiv (CEO) i Zenline AI, një start-up me seli në Zyrih, i fokusuar në zhvillimin e zgjidhjeve të avancuara me inteligjencë artificiale për përmirësimin e vendimmarrjes në tregti dhe sektorin e mallrave të konsumit.
Duke u mbështetur në përvojën e tij të mëparshme në këshillimin strategjik dhe industrinë e produkteve të konsumit, Sejdiji identifikoi një problem të përhapur në treg: shumë kompani marrin vendime kritike mbi çmimet, marzhat dhe përzgjedhjen e produkteve mbi baza të pjesshme të dhënash ose intuitë personale. Këto vendime, ndonëse ndikojnë drejtpërdrejt në buxhete milionëshe, shpesh mungon analiza e thelluar dhe e integruar e të dhënave.
Për t’i dhënë zgjidhje kësaj sfide, ai, së bashku me drejtorin teknik (CTO) Gerrit Merz, zhvilloi platformën Zenline AI. Platforma përdor agjentë të inteligjencës artificiale për të analizuar në kohë reale të dhëna të brendshme dhe të jashtme të tregut, duke gjeneruar rekomandime konkrete dhe të zbatueshme për bizneset.
Sipas kompanisë, Zenline AI ndihmon tregtarët të identifikojnë boshllëqet në asortiment, të përmirësojnë performancën e produkteve individuale dhe të optimizojnë listimet, duke rritur ndjeshëm efikasitetin operacional dhe fitueshmërinë.
Me këtë qasje, Zenline AI po konsolidohet si një nga start-up-et më premtuese në fushën e inteligjencës artificiale në Zvicër, duke reflektuar rolin gjithnjë e më të madh të teknologjisë në transformimin e modeleve tradicionale të biznesit dhe tregtisë globale.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.