Qeveria synon që me sistemin e ri fiskal të biznesit, proces i nisur prej datës 1 janar, të rrisë mbledhjen e të ardhurave në 31.1 për qind në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto brenda katër viteve të ardhshme.
“Ka një parashikim që lidh sistemet e fiskalizimit dhe të gjitha sistemet e integruara së bashku me një rritje me gati 30 për qind për të synuar në një afat të mesëm për të kaluar nga niveli aktual, 27.8 për qind të PBB në 31.1 për qind në fund të mandatit të tretë”, deklaroi në një konferencë për shtyp këtë të martë ministrja e Financave, Anila Denaj.
Shqipëria ka nivelin më të ulët të mbledhjes së të ardhurave në rajon. Objektivi është ambicioz, po të kihet parasysh se ky tregues sot është 27.8 përqind e PPB-së duke u përmirësuar me vetëm 3 pikë përqindjeje nga 2013 deri në 2019, pra në një distancë kohore prej gjashtë vitesh. Kryeministri Edi Rama e cilësoi shifrën 31.1 për qind si nivel si optimal për rajonin.
“Faktikisht është një normë optimale duke pasur parasysh të gjithë rajonin tonë, duke pasur parasysh se çfarë do të sjellë si rritje e mundësive tona për të investuar më shumë në të gjitha investimet dhe çuar përpara projektin e investimit të gjithanshëm”, u shpreh Rama.
Qeveria thotë se ky proces nuk shton koston për biznesin megjithëse grupe të ndryshme interesi thonë se ajo ka kosto të lartë për biznesin që mund të arrijnë edhe deri në 3000 euro në vit .
Drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimi thotë se nga përvoja e vendeve të tjera që aplikojnë, apo kanë nisur të aplikojnë këtë sistem, si Kroacia, Sllovenia dhe Italia, tatimet parashikojnë që rritja më e madhe të realizohet në mbledhjen e TVSH-së.
LEXO: Ministrja Denaj: fiskalizimi është një revolucion digjital për Shqipërinë
“Kemi garantuar që kostoja e fiskalizimit nuk do të shtojë kosto mbi bizneset me shumë se kostot që aktualisht janë. Sot kemi më shumë se 20 kompani të certifikuara që ofrojnë shërbimet e fiskalizimit, të cilat kanë dalë në treg me çmimet e tyre. Vlerat nga 1000 deri në 1500 euro në muaj nuk janë të vërtetë. Sot një biznes i vogël që hapet në Shqipëria, ka një kosto fillestare prej 383 euro për instalimin e kasës fiskale, 8.5 euro në muaj mirëmbajtje të kasës. Ndërkohë, që i gjithë biznesi i vogël mund të përdorë platformën e fiskalizimit dhe nuk do të ketë nevojë aspak që të blejë një software, apo të bëjë një investim nga e para. Investimi që duhet të bëjë biznesi i vogël, përveç atyre bizneseve që mund të mbajnë kasat, ose që do të përdorin platformën pa pagesë të ofruar nga tatimet, është lidhja me internet, një telefon, një tablet dhe printer i çfarëdoshëm”, sqaroi Ibrahimi.
Po në këtë konferencë, Kryeministri Edi Rama u pyet në lidhje me detyrimet tatimore të pa mbledhura nga biznesi i madh, e që janë mbartur ndër vite. Ai e cilësoi situatë të ndërlikuar, për të cilën nënkuptoi se mund të ndërhyhet me ligj për zgjidhjen e saj.
“Bëhet fjalë për një problematikë jashtëzakonisht komplekse dhe jo të lehtë të krijuar ndër vite dhe është një problematikë, pasqyrë e shtetit prej letre që kemi pasur. Kjo do të duhet të adresohet në aspektin teknik dhe aspektin politik. Këtu ka nevojë për ndërhyrje politike dhe për këtë do të shikojmë praktikat më të mira dhe do të hapim një dialog me sipërmarrjen, pra kemi shumë punë për të bërë në mandatin e tretë”, u shpreh Rama.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.