Ferdiana Hoti është 23 vjeçare nga qyteti i Gjilanit, një shkencëtare që premton shumë dhe një shembull suksesi dhe inkurajimi për të rinjtë kosovarë.
E lidhur fort me punën dhe profesionin, ajo po kontribuon në mënyrën më të mirë për shoqërinë dhe promovon Kosovën kudo në botë përmes arritjeve dhe hulumtimeve të saj shkencore.
Ajo kishte pasion shkencat shoqërore, ndaj vendosi që rrugëtimin e saj akademik ta fillojë në Fakultetin e Shkencave Politike në UBT. Më pas aplikoi në programin Erasmus+, ku fitoi bursë njëvjeçare për të vazhduar studimet në Universitetin e Salzburgut, në Austri.
Pas diplomimit, ajo filloi studimet master në Universitetin e Antwerpenit në Belgjikë, ku përveç studimeve, falë njohurive dhe eksperiencave të marra, Ferdiana ka arritur të bëhet edhe asistentja e parë kosovare në po të njëjtin universitet.
“Gjithmonë do të kemi raste dështimesh, mirëpo në vend që t’i përdorim këto dështime si mur për të izoluar veten, duhet t’i përdorim si shkallë drejt arritjes së qëllimit tonë. Rrethojeni veten me njerëz që ju shtyjnë përpara dhe që besojnë në aftësitë tuaja. Asnjë vizion nuk është i paarritshëm dhe limitet e vetme që ekzistojnë janë ato që ju ia vendosni vetes”, i këshilloi ajo të rinjtë kosovarë.
Aktualisht, Ferdiana është studente e doktoraturës në Akademinë më të madhe shkencore në Europë, “SCK-CEN”, ku është duke doktoruar për mënyrat e komunikimit të pasigurive që janë të pranishme në situatat me rreziqe radiologjike. Ndërkohë ajo është duke hulumtuar tema të ndryshme që lidhen me mënyrën se si mund të integrohen shkencat shoqërore dhe interesat e publikut në çdo disiplinë, në bashkëpunim me Institutin Shkencor për Energji Nukleare.
Përveç këtyre angazhimeve, ajo udhëton dhe merr pjesë në konferenca të shumta shkencore, ku së fundi prezantoi hulumtimin e saj në Universitetin e Oxford-it, në Angli. Ndërkohë, me qëllim përkrahjen ndaj grave në shkencë, Ferdiana është duke organizuar një konferencë në Barcelonë, që ka për qëllim krijimin e hapësirës për prezantimin e rezultateve shkencore të shkencëtareve të reja.
/UBT-Higher Education Institution
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.