FBI konfirmon vjedhjen e 630 mln fjalëkalimeve, ja si të kontroll... - Business Magazine Albania

FBI konfirmon vjedhjen e 630 mln fjalëkalimeve, ja si të kontrolloni nëse llogaritë tuaja janë në rrezik

Një nga zbulimet më alarmuese të sigurisë kibernetike është bërë publike nga FBI, e cila ka konfirmuar se 630 milionë fjalëkalime të komprometuara janë gjetur në pajisjet e sekuestruara nga një hacker i vetëm. Të dhënat tashmë janë shtuar në bazat globale të monitorimit të shkeljeve digjitale, duke ngritur alarmin për miliona përdorues në mbarë botën.

Sipas ekspertit të njohur të sigurisë kibernetike Troy Hunt, krijues i platformës “Have I Been Pwned”, FBI i ka dorëzuar listën për ta integruar në databazën që përmban mbi 17 miliardë kredenciale të komprometuara. Rreth 46 milionë prej këtyre fjalëkalimeve janë zbuluar për herë të parë, çka do të thotë se përdoruesit nuk kishin pasur më parë asnjë paralajmërim për rrezikun.

“Të dhënat vijnë nga tregje të errëta në internet, kanale në Telegram dhe sulme të njohura si ‘infostealer’,” bëjnë të ditur hetuesit. Edhe pse një pjesë e fjalëkalimeve mund të jenë të vjetra, ekspertët paralajmërojnë se edhe një fjalëkalim i vetëm i ripërdorur mund të hapë derën për shumë llogari njëkohësisht.

Si të kontrolloni menjëherë nëse jeni prekur

Lajmi i mirë është se kontrolli është i thjeshtë dhe i sigurt. Përdoruesit mund të hyjnë në shërbimin “Pwned Passwords”, ku mund të verifikojnë nëse fjalëkalimet e tyre janë komprometuar. Sipas Hunt, procesi është i mbrojtur: fjalëkalimet nuk ruhen dhe nuk lidhen me email apo identitet personal, pasi përdoren vetëm forma të enkriptuara (hashed).

Ekspertët këshillojnë që, nëse një fjalëkalim rezulton i komprometuar, ai duhet të ndryshohet menjëherë, përpara se llogaritë të bëhen objekt i sulmeve automatike që përdorin kombinime të vjedhura.

Çfarë duhet të bëni për t’u mbrojtur?

Specialistët e sigurisë kibernetike janë të njëzëshëm në rekomandimet e tyre:

  • Përdorni një menaxhues fjalëkalimesh për të krijuar dhe ruajtur fjalëkalime të forta dhe unike

  • Mos ripërdorni të njëjtin fjalëkalim në disa llogari

  • Aktivizoni verifikimin me dy faktorë (2FA) kudo që është e mundur

  • Kaloni te passkeys, nëse platformat i ofrojnë si alternativë më të sigurt

Menaxherët e fjalëkalimeve si Google Password Manager, Apple Passwords, 1Password apo Proton Pass ofrojnë gjithashtu funksione që paralajmërojnë automatikisht nëse ndonjë kredencial është zbuluar në rrjedhje të të dhënave.

Paralajmërim i qartë nga FBI?

Ekspertët theksojnë se ky nuk do të jetë rasti i fundit i një zbulimi të tillë. “Është vetëm çështje kohe para se të zbulohet databaza e radhës,” paralajmërojnë ata. Prandaj, ky raport i FBI-së shihet si një thirrje urgjente për të përmirësuar sigurinë personale online.

Në një botë gjithnjë e më digjitale, mbrojtja e fjalëkalimeve nuk është më opsion, është domosdoshmëri.

Forbes

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0