Fabion Kallaku, nga rrethinat e Fushë-Krujës te bashkëpunimet me kompani multimilionëshe në AI - Business Magazine Albania

Fabion Kallaku, nga rrethinat e Fushë-Krujës te bashkëpunimet me kompani multimilionëshe në AI

I rritur në Bubq, në një familje të thjeshtë shqiptare dhe me një fillim jo të lehtë, Fabion Kallaku nuk e kishte të qartë që në fillim drejtimin që do të merrte, ashtu sikundër shumë bashkëmoshatarë të tij. Ai nisi të krijonte përmbajtje online në vitin 2020, më shumë nga pasioni sesa nga një strategji e mirëpërcaktuar. Edhe pse përfundoi studimet në shkenca kompjuterike, nuk e gjeti veten në kodim dhe vendosi të ndjekë një rrugë më kreative, ndërtimin e një identiteti online.

Dy vitet e pra ai krijoi pa përfitime financiare, duke eksperimentuar dhe kërkuar mënyra për të gjeneruar të ardhura. Kthesa erdhi në periudhën 2022–2023, me shpërthimin e Inteligjencës Artificiale. Duke e kapur këtë valë në kohë, ai ndërtoi lidhje të reja, përshpejtoi rritjen e tij dhe zhvilloi një brand personal më të strukturuar dhe serioz, i cili u shndërrua në burim të ardhurash të qëndrueshme.

Sot, Fabion Kallaku ka ndërtuar një komunitet me mbi 240 000 persona në AI,  është mentor për krijues përmbajtjesh, bashkëpunëtor dhe “ad creative” për kompani të Inteligjencës Artificiale si ElevenLabs, Lumalabs, ClickUp, Higgsfield etj ndërsa po hedh hapat drejt krijimit të platformës së tij SaaS, me ambicie për të konkurruar në tregun ndërkombëtar. 

Ne patëm mundësi ta intervistonim Fabionin, për punën e tij dhe për të ndarë këshilla praktike për të rinjtë e  apasionuarit pas AI-së. Përgjigjet e tij japin udhëzime të vlefshme për çdo të ri që po hedh hapat e parë në botën e përdorimit të mediave sociale dhe Inteligjencës Artificiale në mënyrë profesionale.

Shumë krijues përmbajtjeje e shohin AI si një mjet revolucionar. Si e përkufizoni ju rolin e Inteligjencës Artificial për një krijues përmbajtjesh, sa e rëndësishme është?

Inteligjenca Artificiale, për mendimin tim, nuk është vetëm revolucion në krijimin e përmbajtjes, por edhe në perceptimin e saj. Media është një nga industritë që po evoluon më shumë nga Inteligjenca Artificiale gjenerative (Gen AI), e cila po zëvendëson dita-ditës gjithnjë e më shumë procese teknike, duke ulur kostot e bizneseve dhe kompanive. Me pak fjalë, Inteligjenca Artificiale është “dora e dembelit”, në kuptimin që edhe një njeri i thjeshtë, me një kuptim mesatar të saj, mund të rritet në media dhe rrjete sociale në ditët e sotme me më pak lodhje.

Ju keni ndërtuar një komunitet të madh që mëson si të përdorë AI-në për të rritur praninë online. Cilat janë tre gabimet më të shpeshta që bëjnë krijuesit kur përpiqen të përdorin AI-në?

Krijimi i një komuniteti masiv për Inteligjencën Artificiale nuk ka qenë një sfidë e lehtë; përkundrazi, kërkon konsistencë, përkushtim dhe një mënyrë të menduari pozitive: “Po sikur të funksionojë nesër?”. Tre gabimet më të shpeshta janë:

-Mosdhënia e një konteksti të mjaftueshëm rreth çështjes ose problemit. Është e rëndësishme t’i japësh informacion të plotë për të marrë zgjidhjen më efikase.

-Mendimi që AI mund të zgjidhë çdo gjë. Në fakt, është e kundërta: Inteligjenca Artificiale është po aq e aftë sa edhe personi që e përdor, sidomos në aspektin kreativ.

-Dalja në konkluzione të nxituara dhe përdorimi sipërfaqësor i mjeteve. Shumë persona arrijnë në përfundime të shpejta si “nuk vlen ky mjet”, pa e kuptuar ende kapacitetin e tij apo pa e përdorur në mënyrën e duhur.

Çdo model ka avantazhet dhe disavantazhet e veta dhe shërben për procese të ndryshme në krijimtari. Shpesh, problemi nuk qëndron te modeli, por te personi që e përdor.

Lexo edhe: Balkan Cybersecurity Days 2026/ Shkodra mbledh ekspertët e rajonit për sigurinë kibernetike

Në një kohë kur përmbajtja gjenerohet gjithnjë e më shumë nga algoritmet, si mund të ruajë një krijues autenticitetin dhe identitetin e tij personal? Ka disa strategji që mund të ndjekë?

Në një kohë kur interneti është i mbushur me përmbajtje të gjeneruar nga Inteligjenca Artificiale, është shumë e rëndësishme të ruhet autenticiteti, pasi njerëzit kërkojnë lidhje reale me krijuesit e përmbajtjes. Në fund të ditës, njerëzit ndjekin njerëz dhe jo logo.

Përdorimi i AI për skriptim nuk ndikon shumë në autenticitet, por ajo që ka më shumë rëndësi është strategjia. Një gjë që nuk do ta sugjeroja janë avatarët AI, pasi në fund të ditës është një “robot” që komunikon me përdoruesin dhe e bën shumë të vështirë ndërtimin e një brandi personal me vlerë në afatgjatë. Strategjia është e thjeshtë:

  • Ndarja e informacionit me ndihmën e AI në skriptim, por jo në krijimin e videos
  • Ndarja e historive personale përmes postimeve dhe “stories” për të krijuar lidhje
  • Mbajtja e qëndrimeve që reflektojnë personalitetin dhe mënyrën si e sheh botën
  • Të qenit vetvetja në çdo hap

Sepse, në një kohë kur interneti do të jetë i mbushur me përmbajtje artificiale dhe të pavërteta, të qenit vetvetja do të jetë avantazhi më i madh.

Shumë të rinj sot duan të ndërtojnë një biznes online. Sa reale është mundësia për të krijuar të ardhura përmes AI-së dhe cilat janë aftësitë që duhet të zhvillojnë fillimisht?

Sot, mundësia për të ndërtuar një biznes online është më e madhe se kurrë, por edhe konkurrenca është rritur. Në Shqipëri kemi një avantazh të madh: AI ende nuk është përqafuar në mënyrë masive, sidomos në aspektin profesional.

Të fitosh sot është më e lehtë, por kërkon punë. Megjithatë, është një mundësi reale që, me udhëzimin e duhur, mund të arrihet më shpejt.

Aftësia kryesore që duhet zhvilluar nuk është teknike, por mënyra e të menduarit. Biznesi kërkon konsistencë, vullnet dhe pranimin e dështimit si pjesë të procesit.Aftësitë kryesore janë:

-Gjuha, komunikimi dhe aftësitë e shitjes

-Përdorimi i modeleve AI dhe aftësia për t’i “promptuar” siç duhet

Në përvojën tënde si mentor i AI-së për krijues dhe sipërmarrës, cilat industri po përfitojnë më shumë nga përdorimi i saj?

Industritë që përfitojnë më shumë janë ato që lidhen me përmbajtjen dhe gjenerimin:

  • Marketingu dhe reklamimi
  • Teknologjia dhe zhvillimi softuerik
  • Media dhe krijimi i përmbajtjes
  • Shëndetësia (ende në faza të hershme, por me ndikim të madh në të ardhmen)

Si mendon se do të ndryshojë puna e krijuesve të përmbajtjes në 3–5 vitet e ardhshme?

Duke parë ritmin e zhvillimit, është e vështirë të jepet një përgjigje e saktë. Por një gjë është e sigurt: çdo njeri duhet t’i kushtojë të paktën 2 orë në javë për të mësuar dhe për t’u përshtatur me mjetet e reja të AI. Krijuesit që do të fitojnë janë ata që kuptojnë fuqinë e AI, e  përdorin atë në mënyrë strategjike dhe ruajnë autenticitetin dhe personalitetin.

Nëse një i ri në Shqipëri do të fillonte sot, cilat do të ishin tre hapat e parë që do t’i rekomandoje?

  • Zgjedhja e identitetit online – të përcaktojë qartë rolin dhe imazhin e tij
  • Përdorimi i AI në mënyrë strategjike – për skriptim, editim dhe planifikim
  • Qartësimi i mënyrës së monetizimit – produkt, shërbim, konsulencë apo bashkëpunime

Në fund, pavarësisht drejtimit që zgjedh, gjëja më e rëndësishme është të jesh vetvetja, me vetëbesim, dhe të ndërtosh besim real me njerëzit sepse kjo është ajo që ka më shumë vlerë në këtë treg.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0