Evropa lehtëson kontrollet kufitare - Business Magazine Albania

Evropa lehtëson kontrollet kufitare

Vendet evropiane lehtësuan sot kontrollet kufitare ndërkohë që rastet e infektimeve me koronavirusit kanë rënë, pas tre muaj bllokimesh. Megjithatë, vazhdon të jetë e mbyllur pjesa më e madhe e Spanjës, ku janë ende në fuqi rregullat e karantinës dhe ku shumë njerëz që dikur lëviznin përtej kufijve, ende punojnë nga shtëpia.

Aeroportet greke po lejojnë më shumë fluturime ndërkombëtare, ndërsa ky vend përpiqet të ruajë bizneset e sezonit veror. Turistët gjermanë që po dynden në Danimarkën fqinje, krijuan një radhë prej 8 kilometrash. Spanja po lejon si fillim 10,000 pushues nga Gjermania ndërsa qeveria e Madridit po bën plane për turizmin masiv, përpara se të hapet plotësisht në javët e ardhshme.

Qindra gjermanë u bënë sot turistët e parë që mbërritën në Majorka të Spanjës pas mbylljes së kufijve në muajin mars. Për turistët ishin vendosur shenja që i kujtonin ata në gjermanisht dhe spanjisht për të larë duart dhe mbajtur maska, si dhe të qëndronin në radhë në distancë nga njëri-tjetri. Para hyrjes, secilit i matej temperatura dhe dokumentet e tyre kontrolloheshin nga personeli kufitar, gjithashtu me maska në fytyrë.

Zona e Shengenit prej 22 vendesh të BE-së plus Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën, normalisht operon pa kontrolle kufitare. Por, prej tre muajsh, këto vende i kanë mbyllur kufijtë në shumicën e tyre. Zyrtarët shpresojnë se heqja e kontrolleve të brendshme kufitare do të lejojë një rihapje graduale edhe me vendet e tjera, duke filluar nga korriku dhe do të ringjallë industrinë e turizmit që kishte qëndruar e fjetur gjatë periudhës së bllokimit.

Ky sektor përbën rreth 10 për qind të ekonomisë së BE-së dhe zë një peshë edhe më të madhe në vendet mesdhetare. Në Greqi, udhëtarët që hyjnë me anë të ajrit, konsiderohen si rrezik i lartë, prandaj do të testohen dhe do të karantinohen deri në 14 ditë, në varësi të rezultatit. Kufizimet do të mbeten në fuqi për udhëtarët nga Britania dhe Turqia. Udhëtarët që mbërrijnë nga aeroportet e tjera do të testohen në mënyrë rastërore.

Komisioni Evropian ka hapur në internet faqen “Rihapja e BE-së” https://reopen.europa.eu/en, ku jepen informacione mbi udhëtimet, rregullat për mbrojtjen nga koronavirusi, dhe nëse hotelet apo plazhet janë të hapura për pushuesit.

TURISTËT NGA SHBA DHE RAJONE TË TJERA DUHET TË PRESIN

Tani për tani, turistët nga Shtetet e Bashkuara, Azia, Amerika Latine dhe Lindja e Mesme thjesht do të duhet të presin. Komisionerja e çështjeve të brendshme të Bashkimit Evropian, Ylva Johansson, u tha vendeve anëtare javën e kaluar se “duhet të hapen sa më shpejt të jetë e mundur” dhe sugjeroi se e hëna ishte një datë e përshtatshme.

Shumë vende po veprojnë kështu, duke lejuar udhëtimin nga BE-ja, Britania dhe pjesa tjetër e Evropës që zakonisht lëviz pa pasaporta brenda zonës Shengen, ku përfshihen edhe vende që nuk janë anëtare të BE-së, si Zvicra. Rihapja e Evropës nuk do të jetë një përsëritje e kaosit të mbylljeve të pakoordinuara të kufirit në muajin mars, të cilat shkaktuan bllokime të trafikut që shtriheshin me kilometra të tëra. Është megjithatë një punë e komplikuar me gërshetim rregullash të ndryshme. Dhe, megjithëse rajonet turistike po mbajnë shpresat tek hapja, shumë evropianë mund të vendosin të qëndrojnë pranë shtëpisë këtë verë.

Kjo është diçka që vendet e varura nga turizmi mesdhetar si Greqia përpiqen ta shmangin. Kryeministri Kyriakos Mitsotakis pranoi të shtunën se “shumë do të varen nga fakti nëse njerëzit ndjehen të qetë për të udhëtuar dhe nëse ne mund ta projektojmë Greqinë si një destinacion të sigurt”.

Greqia ka theksuar menaxhimin e saj të pandemisë. Në vend pati vetëm 183 vdekje. Në përgjithësi, Evropa ka parë më shumë se 182’000 vdekje të lidhura me virusin këtë vit, sipas një raporti nga Universiteti Johns Hopkins që gjithashtu tregon se Evropa ka pasur 2.04 milionë nga 7.8 milionë infeksione në botë.

Kontrollet kufitare në disa vende tashmë janë zhdukur. Italia hapi kufijtë e saj në 3 qershor dhe qytetet në kufirin gjermano-polak festuan në orët e para të së shtunës ndërsa Polonia hapi portat. Në mesnatë, kryetarët e komunave Goerlitz, Gjermani dhe Zgorzelec, Poloni prenë zinxhirët e një gardhi që kishte ndarë dy qytetet. Gjermania, si Franca dhe të tjerët, po heq të hënën kontrollet e mbetura të kufirit dhe po anullon kriterin që personat që mbërrijnë të dëshmojnë se kanë një arsye të mirë për të hyrë.

Po ashtu, vendi po lehtëson një paralajmërim në mbarë botën kundër udhëtimeve jo-thelbësore në vendet e përjashtuara evropiane – përveç ndoshta Finlandës, Norvegjisë dhe Spanjës, ku mbeten kufizimet e udhëtimit, dhe Suedisë, ku niveli i rasteve të reja të të infektuarve me koronavirusin vlerësohet shumë i lartë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0