Evropa duhet të krijojë një vend në tryezë për brezat e ardhshëm - Business Magazine Albania

Evropa duhet të krijojë një vend në tryezë për brezat e ardhshëm

brezat e ardhshëm

Nga Béla Kuslits dhe Katalin Sulyok

BRUKSEL/BUDAPEST – Fushata e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për një mandat të dytë përmbante një premtim për të emëruar një komisioner të ri “i cili do të përfshihet në sigurimin e drejtësisë ndërmjet brezave.” Ky njoftim reflekton një ndërgjegjësim në rritje për nevojën për të marrë parasysh efektet afatgjata të politikave të BE-së, sidomos në pasojë të një cikli politik të përqendruar, kryesisht në krizat afatshkurtra. Ndoshta në mënyrë të kundërt, adoptimi i një qasjeje të orientuar nga e ardhmja gjithashtu mund të ndihmojë politikëbërësit të adresojnë në mënyrë më efektive sfidat aktuale.

Por, ndërsa vendimi i von der Leyen – rezultat i një avokature të vazhdueshme nga shumë OJQ, përfshirë Iniciativën për Brezat e Ardhshëm – përfaqëson një evolucion të rëndësishëm në qeverisjen evropiane, ka ende punë për të bërë.

Më e rëndësishmja, Komisioneri i Ri për Drejtësinë Ndërmjet Brezave duhet të jetë i pajisur me mjetet e duhura dhe një mandat të qartë. Duke bashkëpunuar ngushtësisht me komisionerët e tjerë, komisioneri i drejtësisë ndërmjet brezave mund të ketë një ndikim të konsiderueshëm në të gjitha legjislacionet e BE-së. Por, arritja e ndryshimeve transformuese kërkon gjithashtu një ndryshim të thellë në mentalitet. Për të ndihmuar në ndërtimin e një qasjeje gjithëpërfshirëse në vendimmarrje, konsideratat afatgjata duhet të inkorporohen në diskursin e përditshëm. Ndërtimi i besimit ndërmjet qytetarëve është kritik për suksesin e kësaj përpjekjeje.

Disa parime themelore mund të ndihmojnë në formësimin e rolit të ri të komisionerit dhe në nxitjen e politikave të orientuara nga e ardhmja. Si fillim, të drejtat e brezave të ardhshëm duhet të përkufizohen dhe të jenë të zbatuara me ligj. Vlen të përmendet se konceptet e “solidaritetit ndërmjet brezave” dhe “zhvillimit të qëndrueshëm” janë tashmë të shënuara në Artikullin 3 të Traktatit mbi Bashkimi Evropian dhe pasqyrohen në parimin e kujdesit që mbështet ligjin e BE-së.

Për të siguruar zbatimin e efektshëm, megjithatë, politikanët duhet të përcaktojnë qartë të drejtat që kërkojnë mbrojtje. Kjo do të thotë të deklarohet qartazi se barra e lehtësimit ose përshtatjes ndaj kërcënimeve të mëdha si, ndryshimi klimatik nuk duhet të lihet për brezat e ardhshëm. Ashtu siç theksoi Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në një vendim të fundit të rëndësishëm, politikat e shteteve anëtare duhet të udhëhiqen nga “rëndësia e shpërndarjes ndërmjet brezave” dhe të mbrojnë “anëtarët e shoqërisë që mund të jenë më të prekur” nga këto sfida, edhe nëse ata janë “në një disavantazh të dukshëm përfaqësues.”

Kjo është e vërtetë sidomos në fusha si politika klimatike, ruajtja e natyrës, zhvillimi I teknologjisë dhe përgatitja për pandemi, ku vendimet e dobëta dhe afatshkurtra mund të çojnë në dëme të qëndrueshme, të pakthyeshme. Për të shmangur këto rezultate, është e nevojshme të vendosen përparësi të qarta afatgjata dhe të sigurohet që përfaqësimi i interesave të brezave të ardhshëm të ndihmojë në balancimin e vendimmarrjes afatshkurtër.

Për më tepër, është thelbësore të dallohen “brezat e ardhshëm” dhe fëmijët e të rinjtë e sotëm. Ndërsa interesat e këtyre grupeve janë të ngjashme, ato janë ndjeshëm të ndryshme dhe nuk duhet të ngatërrohen. Politikat e orientuara ndaj brezave të ardhshëm nuk kanë të bëjnë domosdoshmërisht me çështje si arsimi ose tregu i punës; përkundrazi, ato synojnë të fusin një perspektivë afatgjatë në procesin legjislativ.

Parashikimi duhet të bëhet një komponent thelbësor i legjislacionit të BE-së. Çdo propozim i ri duhet të kalojë në një vlerësim rigoroz të ndikimit, për të siguruar që është në përputhje me objektivat afatgjata, mund të arrijë objektivat e tij të shpallura dhe të adresojë çështjet që synon të zgjidhë në mënyrë efektive, bazuar në njohuritë dhe dëshmitë e fundit shkencore. Ky proces mund të ndihmojë në testimin e qëndrueshmërisë së iniciativave të reja, për të parë nëse mund të përballojnë goditjet dhe sfidat e papritura.

Së fundi, perspektivat e qytetarëve të zakonshëm duhet të inkorporohen në diskutimet strategjike. Duke krijuar forume publike që ndjekin iniciativa si Konferenca e Komisionit Evropian mbi të Ardhmen e Evropës dhe Panelët e Qytetarëve Evropianë, politikanët mund të ruajnë vlefshmërinë e angazhimeve afatgjata dhe të sigurojnë që interesat e brezave të ardhshëm të luajnë një rol qendror në mënyrën se si Evropa adreson problemet sociale të mëdha.

Zyrtarët e zgjedhur shpesh u japin përparësi përfitimeve afatshkurtra për elektoratin e tyre mbi planifikimin afatgjatë, duke krijuar tensione të thella ndërmjet brezave që përbëjnë rreziqe sistemike. Duke pasur parasysh këtë realitet, emërimi i një komisioneri për drejtësi ndërmjet brezave ka potencialin të transformojë procesin e vendimmarrjes evropiane.

Propozimet tona mund të ndihmojnë për të siguruar që vendimet e sotme nuk komprometojnë mirëqenien e atyre që nuk janë lindur ende. Por, që ky autoritet i ri të përmbushë mandatin e tij, organizatat e shoqërisë civile, akademikët dhe qytetarët duhet të angazhohen me të, të japin input dhe të ndihen përgjegjës. Vetëm përmes pjesëmarrjes aktive dhe shqyrtimit publik kjo përpjekje novatore mund të realizojë potencialin e plotë.

Duke pasur mbështetje dhe burime të mjaftueshme, Komisioneri për Drejtësinë Ndërmjet Brezave të BE-së mund të krijojë një shembull se si institucionet demokratike mund të përfaqësojnë më mirë interesat afatgjata të shoqërisë. Në mes të sfidave globale të paprecedentë, nga ndryshimi i klimës deri tek shpërthimet teknologjike, një qeverisje e orientuar nga e ardhmja nuk është vetëm e dëshirueshme – është e domosdoshme.

Béla Kuslits është Oficere e Lartë për Ekologjinë në Qendrën Sociale Evropiane të Jezuiteve dhe Menaxher i Fushatës për Iniciativën e Brezave të Ardhshëm. Katalin Sulyok, Asistente Profesore e Ligjit Ndërkombëtar për Mjedisin dhe Ligjit Klimatik në Universitetin Eötvös Lorand, është Këshilltarja Kryesore Ligjore për Avokaturën e Hungarisë për Brezat e Ardhshëm.

Project Syndicate, 2024. Project Syndicate 

Artikulli është publikuar më parë në Project Syndicate  me të cilën Businessmag ka krijuar një bashkëpunim

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0