Europa përgatitet për ndërprerje të funksionimit të rrjetit celular - Business Magazine Albania

Europa përgatitet për ndërprerje të funksionimit të rrjetit celular

Megjithëse dikur kjo ishte e paimagjinueshme, telefonat celularë mund të dalin jashtë përdorimit në Europë këtë dimër, nëse ndërprerjet e energjisë ose racionimi i saj prekin edhe disa pjesë të rrjeteve celulare të Europës. Vendimi i Rusisë për të ndërprerë furnizimet me gaz përmes linjës kryesore të furnizimit të Europës pas konfliktit në Ukrainë, ka shtuar mundësinë që të ketë mungesa të energjisë. Në Francë, situata është përkeqësuar akoma më shumë nga mbyllja e disa centraleve bërthamore, për arsye që lidhen me mirëmbajtjen e tyre.

Zyrtarët e industrisë së telekomunikacionit thonë se druhen që një dimër i ashpër do të vërë në vështirësi infrastrukturën e telekomunikacionit në Europë, duke i detyruar kompanitë dhe qeveritë që të bëjnë përpjekje për të zbutur ndikimin e tij. Aktualisht, sistemet rezervë që përdoren për të përballuar ndërprerjet e përmasave të mëdha të energjisë nuk janë të mjaftueshme në shumë vende europiane, sipas katër drejtuesve në industrinë e telekomunikacionit, duke shtuar kështu mundësitë për ndërprerje të funksionimit të sektorit të telefonisë celulare.
Vendet e Bashkimit Europian, duke përfshirë Francën, Suedinë dhe Gjermaninë, po përpiqen të sigurojnë vazhdimësinë e komunikimeve, edhe nëse ndërprerjet e energjisë do të sjellin nxjerrjen jashtë loje të baterive rezervë të instaluara në mijëra antena celulare që ndodhen në të gjithë territorin e këtyre vendeve.
Europa ka gati gjysmë milioni antena të larta që shërbejnë për sektorin e telekomunikacionit dhe shumica e tyre kanë bateri rezervë që zgjasin rreth 30 minuta për të mundësuar funksionimin e antenave celulare.

Franca

Në Francë, plani i paraqitur nga organizata e shpërndarëjes së energjisë elektrike Enedis, përfshin ndërprerje të mundshme të energjisë për deri në dy orë në skenarin më të keq të mundshëm, sipas dy burimeve për Reuters.

Ndërprerjet e përgjithshme do të preknin vetëm disa pjesë të vendit, por jo njëkohësisht. Shërbimet më të rëndësishme, të tilla si spitalet, policia dhe qeveria nuk do të ndikohen nga këto ndërprerje, thanë burimet.

Qeveria franceze, operatorët e telekomunikacionit dhe Enedis, një njësi e ndërmarrjes shtetërore EDF, kanë zhvilluar bisedime lidhur me këtë çështje gjatë verës, sipas qeverisë franceze dhe burimeve për Reuters.

Federata Franceze e Telekomunikacionit (FFT), një grup lobimi që përfaqëson Orange, Bouygues Telecom dhe SFR, e vuri përgjegjësinë mbi Enedis, për pamundësinë e saj për t’u siguruar që antenat e telekomunikacionit të mos preken nga ndërprerjet e energjisë.

Enedis tha në një deklaratë për Reuters se të gjithë klientët e rregullt trajtohen në mënyrë të barabartë, në rast të ndërprerjeve të jashtëzakonshme të energjisë.

Organizata e shpërndarjes së energjisë elektrike tha se ishte në gjendje të izolonte disa pjesë të rrjetit, për të furnizuar klientët me më shumë përparësi, si për shembull spitalet, komplekset kryesore industriale dhe ushtrinë, si dhe shtoi që u takonte autoriteteve lokale që të bëjnë pjesë të listës së klientëve prioritarë edhe infrastrukturën e operatorëve të telekomunikacionit.

Suedia, Gjermania dhe Italia

Kompanitë e telekomunikacionit në Suedi dhe në Gjermani kanë ngritur gjithashtu shqetësime për mungesat e mundshme të energjisë elektrike, duke i adresuar këto shqetësime me qeveritë e tyre respektive, thanë disa burime për Reuters.

Agjencia rregullatore e telekomunikacionit në Suedi, PTS, po punon me operatorët e telekomunikacionit dhe me agjencitë e tjera qeveritare për të gjetur zgjidhje. Kjo punë përfshin edhe bisedimet për atë që do të ndodhë nëse do të ketë kufizime të energjisë elektrike.

PTS po financon blerjen e stacioneve të transportueshme të karburantit dhe të stacioneve bazë celulare, të cilat mund të lidhen me telefonat celularë për të përballuar skenarin e ndërprerjeve të gjata të energjisë, tha një zëdhënës i PTS.

Agjencia italiane e lobimit në fushën e telekomunikacionit tha për Reuters se ajo kërkon që rrjeti celular të përjashtohet nga çdo ndërprerje e energjisë elektrike ose kufizim i furnizimeve për të ruajtur energjinë, si dhe deklaroi që do ta ngrejë këtë çështje me qeverinë e re të Italisë.

Ndërprerjet e energjisë rrisin mundësinë që komponentët elektronikë të dëmtohen në rast të ndërprerjeve të menjëhershme të energjisë elektrike, tha në një intervistë drejtuesi i agjencisë italiane të lobimit në fushën e telekomunikacionit, Massimo Sarmi. Reuters

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #34 - Mars 2024

Për një vit të mbarë!

Viti 2024 ka nisur me sfidat dhe mundësitë e tij. Ndërsa kompanitë do të duhet të përballen me disa ndryshime ligjore dhe njëkohësisht trendet e tregjeve: si rritje çmimesh dhe rritje e kostos së fuqisë punëtore, startupet janë para mundësive dhe një klime favorizuese. Thirrje të shumta janë hapur në fushën e biznesit, kulturës dhe ideve të gjelbërta. Ndër më të rëndësishmit, programi i qeverisë për financimin e 80 startupeve në tre faza zhvillimi të tyre

Për të kuptuar rëndësinë e bizneseve të reja, veçanërisht në teknologji, mjafton të shohim që edhe sipërmarrje të konsoliduara vendase, si një grup kompanish si Balfin, kanë një vëmendje të theksuar tek startupet. Z. Samir Mane, President i këtij grupi, prej kohësh ka treguar interes, duke i mbështetur, por edhe duke investuar në një prej startupeve që pritet të sjellë revolucion në bio-inxhinieri. Vëmendja tek risia dhe inovacioni vlerësohet të jetë një nga arsyet kryesore, përse audienca jonë e zgjodhi në kompeticionin tonë të dhjetorit si Sipërmarrësi i Vitit. Në një intervistë ekskluzive, z. Mane tregon për ne copëza domethënëse nga …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0