Në vitin 2024, vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore regjistruan të ardhurat neto mesatare më të larta për individët. Edhe pse hendeku mes vendeve ngushtohet kur llogaritet fuqia blerëse, diferenca mbetet e konsiderueshme. Rrogat bruto nuk janë treguesi më i saktë për të krahasuar nivelin e pagave mes vendeve europiane, pasi tatimi mbi të ardhurat personale dhe kontributet për sigurimet shoqërore ndryshojnë shumë nga një shtet në tjetrin. Disa vende ofrojnë gjithashtu mbështetje më të madhe financiare për familjet me fëmijë. Për këtë arsye, të ardhurat vjetore neto përbëjnë një matës më të dobishëm për krahasime reale.
Cilat vende europiane ofrojnë të ardhurat mesatare më të larta neto?
Të ardhurat vjetore neto ndryshojnë ndjeshëm në të gjithë Europën, edhe pas përshtatjes sipas standardeve të fuqisë blerëse (PPS), sipas të dhënave të Eurostat. Në vitin 2024, të ardhurat neto vjetore në vendet e BE-së shkonin nga 11,074 euro në Bullgari, deri në 50,410 euro në Luksemburg.
Mesatarja në nivel BE-je ishte 29,573 euro, për një individ pa fëmijë që fiton 100% të pagës mesatare në vendin e tij.
Fitimet më të larta regjistrohen jashtë BE-së
Duke përfshirë të dhënat për tre vendet e EFTA-s dhe vendin kandidat për BE, Turqinë, shifra më e lartë arrihet nga Zvicra me 85,631 euro, ndjekur nga Islanda me 57,573 euro. Norvegjia zë vendin e pestë me 47,232 euro, çka tregon dominimin e vendeve jashtë BE-së në këtë tregues.
Edhe vende të tjera nordike që janë pjesë e BE-së performojnë mirë: Danimarka (43,913 €), Finlanda (36,877 €) dhe Suedia (36,147 €) – të gjitha mbi mesataren e BE-së.
Brenda BE-së, përveç Luksemburgut, edhe Holanda (47,892 €) dhe Irlanda (46,208 €) renditen ndër më të paguarat.
Europa Jugore dhe Lindore mbeten pas
Vendet e Europës Jugore si Italia (24,797 €), Spanja (24,571 €) dhe Greqia (18,709 €) janë ndjeshëm nën mesataren e BE-së. Ndërsa vendet anëtare nga Europa Lindore – si Rumania (12,655 €), Bullgaria (11,074 €) dhe Hungaria (13,883 €) – renditen ndër më të ulëtat në bllok. Turqia (11,440 €) qëndron menjëherë mbi Bullgarinë.
Brenda “të mëdhenjve” të BE-së, Gjermania prin; Italia dhe Spanja mbeten pas
Në grupin e katër ekonomive më të mëdha të BE-së, Gjermania prin me 39,594 euro, ndjekur nga Franca me 32,354 euro. Italia dhe Spanja janë dukshëm nën mesataren europiane. Pas rregullimeve sipas fuqisë blerëse (PPS), të ardhurat neto vjetore variojnë nga 16,784 euro në Sllovaki, deri në 40,948 euro në Holandë, me një mesatare të BE-së prej 28,906 euro. Kur përfshihen vendet jashtë BE-së, Zvicra ruan epërsinë me 48,331 PPS, ndjekur nga Norvegjia (38,712 PPS) – që renditet e treta pas Holandës. Luksemburgu (37,630 PPS) dhe Austria (37,359 PPS) plotësojnë pesëshen e parë.
Lexo edhe: Eurostat/Shqipëria kryesoi Europën gjatë 2024-ës me gati gjysmën e popullsisë në varfëri
Të dhënat tregojnë për një ndarje të fortë Lindje-Perëndim në fuqinë blerëse, ku vendet lindore, baltike dhe ballkanike rezultojnë me nivele më të ulëta. Portugalia mbetet një përjashtim: gjeografikisht në Perëndim, por me një fuqi blerëse nën 20,000 euro – më pranë vendeve lindore. Në termat nominalë, diferenca mes më të lartës dhe më të ulëtës (Luksemburg dhe Bullgari) është mbi 4.5 herë. Kur llogaritet fuqia blerëse, diferenca ngushtohet në 2.4 herë, mes Sllovakisë dhe Holandës.
Familjet me fëmijë përfitojnë më shumë
Në përgjithësi, familjet me fëmijë kanë të ardhura neto më të larta se individët pa fëmijë. Për shembull, ndërsa një person i vetëm pa fëmijë fiton mesatarisht 29,573 euro, një çift me një të punësuar dhe dy fëmijë përfiton 35,656 euro – falë përfitimeve nga taksat dhe subvencioneve për familje.
Turqia është e vetmja përjashtim, ku niveli i të ardhurave është i njëjtë për të dy kategoritë. Në Qipro, Finlandë, Norvegji, Spanjë dhe Suedi, familjet me fëmijë fitojnë më shumë, por diferenca është relativisht e vogël – më pak se 10%. Përfitimi më i madh për familjet me fëmijë vërehet në Sllovaki, Poloni, Luksemburg dhe Belgjikë, ku të ardhurat neto janë mbi 40% më të larta krahasuar me familjet pa fëmijë. Për shembull, në Sllovaki, të ardhurat rriten nga 14,070 € për një person të vetëm, në 19,851 € për një çift me një të punësuar dhe dy fëmijë.
Çiftet me dy të punësuar dhe dy fëmijë zakonisht kanë të ardhura neto edhe më të larta se familjet pa fëmijë, por përfitimi është më i kufizuar krahasuar me familjet me një të punësuar. Në BE, ato përfitojnë mesatarisht 63,523 euro në vit.
Çfarë janë të ardhurat neto dhe pse janë të rëndësishme?
Të ardhurat mesatare vjetore neto përfaqësojnë shumën që mbetet pasi zbaten taksat mbi të ardhurat personale dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, duke shtuar edhe çdo përfitim financiar familjar. Ky tregues ndryshon sipas kushteve familjare – nëse dikush është i martuar, beqar apo me fëmijë në ngarkim.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.