Euronext, bursa europiane që përfaqëson mbi 1,700 kompani me një kapital tregu prej rreth 6.5 trilionë euro, ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në konsolidimin e tregjeve të kapitalit në Europë. CEO i saj, Stéphane Boujnah, përshëndeti idenë e kancelarit gjerman, Friedrich Merz, për krijimin e një Bursë Europiane të vetme.
“Euronext është e gatshme të kontribuojë në nivelin tjetër të konsolidimit të tregjeve në Europë, duke krijuar një rezervë më të thellë likuiditeti për të financuar rritjen e kompanive europiane,” tha Boujnah për Euronews. Ai theksoi se konsolidimi i infrastrukturës së tregut do të sjellë përfitime direkte për kompanitë e kontinentit.
Merz në parlamentin gjerman nënvizoi rëndësinë e një tregu të integruar kapitali që do t’u mundësojë kompanive europiane, si BioNTech, të mos kenë nevojë të listohen në bursat amerikane. Projekti për Bashkimin e Tregjeve të Kapitalit (CMU) ka për qëllim të ofrojë akses më të lehtë për startup-et në një bazë të madhe kapitali dhe ka qenë duke u zhvilluar për dekada.
Lexo edhe: Suksesi i ‘Plug and Play Tirana Expo 2025’/ 10 startup-e shqiptare drejt Silicon Valley
Megjithatë, sfidat janë të mëdha: fragmentimi rregullativ dhe konkurrenca mes shteteve anëtare, si dhe nevoja për të dhënë autoritet mbikëqyrës një entiteti të vetëm, si Autoriteti Europian i Letrave me Vlerë dhe Tregjeve (ESMA), janë pengesa kryesore. Komisioni Europian pritet të propozojë deri në fund të vitit një kornizë mbikëqyrëse për institucionet financiare qendrore, përfshirë depozituesit qendrorë, tregjet e bursave dhe platformat e kriptove.
Sipas Euronext, një integrim më i madh i tregjeve mund të shfrytëzojë potencialin e plotë të 13 trilionë eurove kursime private në BE, të ulë fragmentimin rregullativ dhe të reduktojë kostot e përputhshmërisë. Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se sfidat logjistike dhe politikë janë të mëdha, duke përfshirë konkurrencën kombëtare dhe dallimet në rregullore.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto