Nga Charles Ferguson – Sulmi i Ukrainës më 1 qershor mbi bazat ajrore në të gjithë Rusinë tashmë ka krijuar një bindje të re konvencionale: armët e shtrenjta dhe të komanduara nga njerëzitsi: tanke, avionë, anije – që për dekada kanë përkufizuar forcat ushtarake të “përparuara” të botës, tani janë të vjetruara përballë dronëve . Por kjo ide është e mangët, madje potencialisht e rrezikshme. Lufta me dronë që po zhvillohet sot ofron mësime të thella, që shkojnë përtej dobësisë së armëve tradicionale dhe integrimi i afërt i inteligjencës artificiale në këtë lloj lufte do të bëjë që realiteti aktual të duket i zbehtë.
Le të shohim disa prej mësimeve të nxjerra nga lufta në Ukrainë.
Së pari, ndikimi i dronëve nuk kufizohet te armët e vjetra. Është e vërtetë që dronët i kanë bërë tanket dhe mjetet e blinduara jashtëzakonisht të prekshme, duke detyruar forcat ruse të përdorin më shpesh këmbësorë, motorë apo mjete të lehta. Por as kjo nuk ka funksionuar: dronët janë po aq shkatërrues kundër njerëzve. Sot, mbi 70% e viktimave në të dyja anët shkaktohen nga dronët.
Dronët janë efektivë thuajse ndaj gjithçkaje: Ukraina ka përdorur dronë për të shkatërruar objektiva të ndryshëm rusë – nga fabrika armësh, trena në lëvizje, depo municionesh e rafineri nafte, deri te anije dhe porte. E megjithatë, mund të kishte qenë më keq: Ukraina ka treguar përmbajtje të habitshme, duke pasur parasysh brutalitetin e Rusisë. Aeroporte, stacione treni në orare piku, stadiume sportive dhe koncertesh, fabrika farmaceutike, spitale, shkolla, shtëpi pleqsh – të gjitha janë potencialisht të prekshme.
Dy mësime të tjera shqetësuese lidhen me bazën industriale që i jep jetë luftës me dronë. Së pari, shpejtësia dhe reagimi janë jetikë. Teknologjitë dhe taktikat e dronëve evoluojnë me një ritëm marramendës. Një model i ri është i vlefshëm vetëm për 2 deri në 6 muaj. Pasi pala tjetër zhvillon kundërmasa, nevojiten pajisje të reja dhe cikli vazhdon pa fund.
Fillimisht, dronët në Ukrainë ishin mjete të thjeshta të komanduar me radio nga afër. Pastaj, kur komunikimet radio u bllokuan nga pajisje për pengim (jamming), u kalua te frekuenca të ndryshme, më pas te kërcej frekuence (frequency hopping), të cilat më pas u goditën nga pengues multifrekuesh. Kjo çoi në krijimin e dronëve që sulmojnë vetë pajisjet që i pengojnë. Pastaj Rusia zhvilloi dronë të komanduar përmes kabllove me fibër optike – të paprekshëm ndaj pengimeve. Ukraina tani përpiqet të ndjekë kabllot dhe të eliminojë operatorët (me dronë). Dhe tashmë edhe Ukraina ka dronë me fibra optike.
Sistemet drejtuese janë po aq të përparuara: dronët shmangin radarët duke fluturuar ulët ose duke përdorur teknologji “stealth”. Por edhe sistemet e zbulimit kanë avancuar – përdorin rrjete telefonash, mikrofona me analiza zanore, radar, kamera dhe Lidar.
Në një mjedis kaq të egër, të mbetesh mbrapa edhe vetëm për një muaj mund të jetë fatal. Procedurat e zakonshme të industrisë së mbrojtjes janë të papërshtatshme. Shumica e dronëve amerikanë dhe prodhuesve të tyre janë shumë të ngadaltë, të shtrenjtë dhe të papërdorshëm në këtë realitet. Përballë kësaj, industria ushtarake dhe ajo e teknologjisë në Ukrainë ka zhvilluar një model revolucionar, që mbështetet te komunikimi i vazhdueshëm mes fronteve dhe prodhuesve të dronëve. Madje, komanda ushtarake dhe Ministria e Transformimit Digjital në Ukrainë kanë ndërtuar një sistem pikësh që përditëson renditjen e njësive sipas efikasitetit të tyre në përdorimin e dronëve.
Kjo është e mundur sepse Ukraina ka një ekosistem të fuqishëm startup-esh, me qindra kompani që krijojnë, prodhojnë dhe dërgojnë në terren një armë të re brenda disa javësh. Këtë vit, Ukraina pritet të prodhojë mbi katër milionë dronë, shumica modele që nuk ekzistonin një vit më parë. Por, fatkeqësisht, edhe Rusia ka mësuar dhe është duke ndjekur një qasje të ngjashme.
Lufta me dronë në Ukrainë sjell edhe një paralajmërim për SHBA-në dhe Europën: hegjemonia e Kinës në industrinë globale të dronëve është një rrezik i madh. Ukraina ndërtoi industrinë e saj sepse NATO dhe SHBA kishin shumë pak, dhe sepse Kina gradualisht i shtrëngoi furnizimet për Ukrainën në favor të Rusisë. Rreth 80% e elektronikës në dronët rusë vjen nga Kina. Ukraina ishte fillimisht shumë e varur, por tashmë e ka ulur varësinë në 20%, pjesa më e madhe e marrë në mënyrë të fshehtë.
Lexo edhe: Njerëzit do të jenë të pavdekshëm deri në vitin 2030, parashikon futuristi Ray Kurzweil!
Megjithatë, SHBA dhe Europa mbeten të ngadalta në kërkimin shkencor dhe prokurim, duke i lënë të pambrojtura përballë dronëve , si në mbrojtje ashtu edhe në përdorim. Pak e dinë, por SHBA dhe NATO tani kanë nevojë jetike për ekspertizën ukrainase në dronë. Ukraina është vendi i vetëm që mund të përballojë teknologjinë dhe shpejtësinë e Kinës apo Rusisë në një luftë të ardhshme. Pa të, dhe pa modernizim rrënjësor, NATO do të pësonte humbje katastrofike dhe mund të humbiste.
Por e ardhmja nuk ndalet këtu. Inteligjenca artificiale do të ndryshojë gjithçka. Operacioni i 1 qershorit përdori 117 dronë të komanduar nga operatorë të trajnuar, dhe raportet thonë se gjysma u penguan nga mbrojtja ruse, kryesisht përmes bllokimit të sinjalit. Por nëse ata dronë do të ishin autonomë, mund të ishin një mijë. Dhe me AI, nuk ka më nevojë për komunikim me pilotin pra, asnjë mundësi për t’u bllokuar – çka rrit ndjeshëm rrezen dhe fuqinë goditëse. Pas pesë vitesh, do të jetë tmerrësisht e lehtë të kryhen sulme parandaluese mbi objektiva konvencionale.
AI gjithashtu rrit saktësinë dhe vdekshmërinë e dronëve ndaj njerëzve. Studiuesit kinezë kanë demonstruar se një turmë dronësh mund të lundrojë përmes një pylli, të shpërndahen e pastaj të riformohen si turmë më tej. Kjo nuk vlen vetëm për luftë – është potencialisht e përshtatshme për sulme terroriste.
Është e vërtetë që AI aktualisht kërkon shumë fuqi përpunimi dhe memorie që nuk mund të futet në një dron të vogël dhe çipi Nvidia, për shembull, mund të kushtojë deri në 50,000 dollarë. Por kjo po ndryshon me shpejtësi, sepse po punohet për të futur AI të avancuar në çdo telefon celular. Kur kjo të ndodhë, e njëjta teknologji do të përdoret edhe në armët dronike.
Dhe me përjashtim të çipave të AI, e gjithë zinxhiri i furnizimit për telefonat dhe dronët dominohet nga Kina.
Stuart Russell, ekspert i AI në Universitetin e Kalifornisë, Berkeley, ka kërkuar prej kohësh një traktat për kontrollin e përhapjes së armëve dronike të vogla, të lira dhe të kontrolluara nga AI. Ai madje financoi realizimin e filmit Slaughterbots, që dramatizon rreziqet e këtyre armëve në duar të gabuara. Gjatë një darke disa vite më parë, më tha se së shpejti do të jetë e mundur të sulmosh individë përmes njohjes së fytyrës, apo çdokënd që mban një kryq, një yarmulkë, apo ndonjë simbol tjetër fetar ose politik.
Por, me gjasë, nuk do të ketë traktat të tillë, duke pasur parasysh klimën aktuale gjeopolitike. Prandaj duhet të përgatitemi për një botë ku këto armë do të jenë të pranishme. Fatkeqësisht, establishmenti perëndimor i mbrojtjes ngjan gjithnjë e më shumë me një kompani “të vjetër” të zënë në befasi nga një revolucion teknologjik. Në treg, kjo sjell humbje financiare. Në luftë, sjell humbje jetësh.
*Charles Ferguson është redaktor për Inteligjencën Artificiale në Project Syndicate, investitor në teknologji, analist politikash dhe regjisor i shumë dokumentarëve, përfshirë fituesin e çmimit Oscar Inside Job.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.