Epoka e agjentëve AI: Revolucion apo rrezik? - Business Magazine Albania

Epoka e agjentëve AI: Revolucion apo rrezik?

Nga Daron Acemoglu

Laureat i Nobelit për ekonomi në 2024 dhe profesor i ekonomisë në MIT, është bashkautor (me Simon Johnson) i librit Power and Progress: Our Thousand-Year Struggle Over Technology and Prosperity (PublicAffairs, 2023).

Agjentët AI po vijnë, pavarësisht nëse jemi gati apo jo. Edhe pse ka shumë paqartësi mbi kohën kur modelet e AI do të jenë në gjendje të ndërveprojnë në mënyrë autonome me platformat digjitale, mjetet e tjera të AI dhe madje edhe me njerëzit, nuk ka dyshim se ky zhvillim do të jetë transformues – për mirë apo për keq. Megjithatë, pavarësisht gjithë komenteve (dhe hiperbolave) rreth AI agjentike, shumë pyetje të mëdha mbeten pa përgjigje, dhe më e madhja prej tyre është: çfarë lloj agjenti AI kërkon të zhvillojë industria e teknologjisë?

Modele të ndryshme do të kenë pasoja tërësisht të ndryshme. Me një qasje “AI si këshilltar”, agjentët e AI do të ofronin rekomandime të personalizuara për vendimmarrësit (njerëzit), duke i lënë gjithmonë këta të fundit të kenë kontrollin. Por me një model të “AI autonome”, agjentët do të merrnin drejtimin në emër të njerëzve. Kjo është një dallim me implikime të thella dhe me ndikim të gjerë.

Njerëzit marrin qindra vendime çdo ditë, disa prej të cilave kanë pasoja të mëdha për karrierën, jetesën ose lumturinë e tyre. Shumë nga këto vendime bazohen në informacion të paplotë ose të pasaktë, të ndikuara më shumë nga emocionet, intuita, instinktet apo impulsiviteti. Siç ka thënë edhe David Hume, “Arsyeja është dhe duhet të jetë vetëm skllave e pasioneve.” Njerëzit mund të marrin shumicën e vendimeve pa një arsyetim sistematik ose pa analizuar tërësisht pasojat, por siç vuri në dukje Hume me fjalën “duhet”, kjo nuk është domosdoshmërisht diçka e keqe. Kjo është ajo që na bën njerëzorë. Pasioni reflekton qëllim dhe mund të luajë një rol kyç në mënyrën se si përballemi me një botë komplekse.

Me AI si këshilltar, që ofron informacion të personalizuar, të besueshëm dhe të përshtatshëm për kontekstin, shumë vendime të rëndësishme mund të përmirësohen, por motivet njerëzore do të mbeten dominuese. Por çfarë ka të keqe në faktin që AI autonome të marrë vendime në emrin tonë? A nuk mund të përmirësojë ajo vendimmarrjen edhe më shumë, të kursejë kohë dhe të parandalojë gabimet?

Lexo edhe : Gates: ” Këto dy profesione do të zëvendësohen patjetër nga AI brenda 10 viteve!”

Ka disa probleme me këtë perspektivë. Së pari, vendimarrja njerëzore është thelbësore për të mësuarit dhe zhvillimin e njeriut. Vetë akti i marrjes së vendimeve dhe reflektimi mbi rezultatet – edhe kur inputet dhe këshillat vijnë nga agjentë jo-njerëzorë – forcon ndjenjën tonë të kontrollit dhe qëllimit. Shumë nga ato që bëjnë njerëzit nuk kanë të bëjnë thjesht me llogaritjen ose mbledhjen e të dhënave për të vendosur kursin optimal të veprimit; përkundrazi, ka të bëjë me zbulimin – një përvojë që do të bëhet gjithnjë e më e rrallë nëse të gjitha vendimet delegohen tek një agjent AI.

Për më tepër, nëse industria e teknologjisë ndjek kryesisht një AI autonome, mundësia për të automatizuar më shumë vende pune njerëzore do të rritet ndjeshëm. Nëse AI shndërrohet kryesisht në një mjet për të përshpejtuar automatizimin, çdo shpresë për një mirëqenie të ndarë gjerësisht do të venitet.

Më e rëndësishmja, ka një dallim themelor midis AI që vepron në emër të njerëzve dhe njerëzve që veprojnë për veten e tyre. Shumë situata në të cilat ndërveprojnë njerëzit përmbajnë elemente si bashkëpunimi ashtu edhe konflikti. Marrim rastin e një kompanie që ofron një produkt ose shërbim për një tjetër. Nëse ky produkt ka vlerë të mjaftueshme për blerësin, një shkëmbim mes dy kompanive është i dobishëm për të dyja palët (dhe zakonisht edhe për shoqërinë në përgjithësi).

Por për të ndodhur ky shkëmbim, çmimi duhet të përcaktohet përmes një procesi thelbësisht konfliktual. Sa më i lartë çmimi, aq më shumë përfiton shitësi në krahasim me blerësin. Rezultati i këtij negocimi përcaktohet shpesh nga një kombinim normash (siç janë ndjenjat e drejtësisë), institucionet (si kontratat që vendosin kosto nëse shkelet marrëveshja) dhe forcat e tregut (si mundësia e shitësit për të gjetur një blerës tjetër). Por imagjinoni që blerësi ka një reputacion si krejtësisht i paepur – duke pranuar vetëm çmimin më të ulët të mundshëm. Nëse nuk ka blerës të tjerë, shitësi mund të detyrohet të pranojë ofertën minimale.

Lexo edhe: Inteligjenca Artificiale Gjenerative po nxit krimin kibernetik

Për fat të mirë, në transaksionet tona të përditshme, qëndrime të tilla të papajtueshme janë të rralla, pjesërisht sepse nuk është e leverdishme të kesh një reputacion të keq dhe, më e rëndësishmja, sepse shumica e njerëzve nuk kanë as guximin dhe as dëshirën për të vepruar në mënyra kaq agresive. Por tani imagjinoni që blerësi ka një agjent AI autonom që nuk shqetësohet për ndjeshmëritë njerëzore dhe është i programuar të mbajë gjithmonë një qëndrim të paepur. AI mund të trajnohet që gjithmonë të qëndrojë në këtë pozicion, duke mos i lënë asnjë shpresë palës tjetër për një marrëveshje më të favorshme reciprokisht. Nga ana tjetër, në një botë ku AI është thjesht këshilltar, modeli mund të rekomandojë një pozicion të tillë të ashpër, por vendimi final do t’i përkiste njeriut.

Në afat të shkurtër, AI-të autonome mund të sjellin një botë më të pabarabartë, ku vetëm disa kompani ose individë do të kenë akses në modele AI jashtëzakonisht të afta dhe të pamëshirshme. Por edhe nëse të gjithë do të kishin të njëjtat mjete, kjo nuk do të ishte më mirë. E gjithë shoqëria jonë do të përfshihej në një lojë “luftë nervash”, ku agjentët AI do ta shtynin çdo situatë konfliktuale deri në pikën e thyerjes.

Këto përballje janë jashtëzakonisht të rrezikshme. Ashtu si në një lojë “chicken” (kur dy makina shpejtojnë drejt njëra-tjetrës për të parë se kush do të shmanget i pari), ekziston gjithmonë mundësia që asnjëra palë të mos tërhiqet. Në këtë rast, të dyja palët “fitojnë” – dhe të dyja humbin gjithashtu.

Një AI e trajnuar për të fituar në “chicken” nuk do të lëvizë kurrë. Ndërsa AI mund të jetë një këshilltar i shkëlqyer për njerëzit – duke na furnizuar me informacion të dobishëm, të besueshëm dhe të rëndësishëm në kohë reale – një botë e dominuar nga AI autonome mund të sjellë shumë probleme të reja, duke minuar përfitimet që kjo teknologji mund të kishte ofruar.

Daron Acemoglu, laureat i Nobelit për ekonomi në 2024 dhe profesor i ekonomisë në MIT, është bashkautor (me Simon Johnson) i librit Power and Progress: Our Thousand-Year Struggle Over Technology and Prosperity (PublicAffairs, 2023).

Copyright: Project Syndicate, 2025.
www.project-syndicate.org

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #36 - Tetor 2024

Vjeshta solli rikthimin e aktiviteteve biznesore në ritmin e tyre të plotë, pas pushimeve të verës. Sipërmarrjet shqiptare, me dinamikat e tyre të pandalshme, janë aktualisht para një sfide dhe mundësie më të madhe. Proceset e përafrimit me BE-në krijojnë një mundësi për një treg më të madh, por kjo kërkon njëkohësisht përgatitjen të duhur për tregun.

Eventet e fundit, veçanërisht Future2Tech, tregoi se shumë kompani shqiptare, kryesisht në fushën e zhvillimit të Softwareve, po punojnë tashmë për tregun e huaj dhe janë kompani ndërkombëtare në kuptimin e plotë të fjalës. 

Në brendësi të këtij numri ne kemi sjellë histori brandesh dhe histori njerëzore; histori sipërmarrësish dhe profesionistësh, të cilët kanë investuar kohë dhe pasion në punët e tyre për të parë rezultatet që duken sot. Një prej brandeve për të cilin flasim sot, mbyll 3 dekada biznes në Shqipëri, diçka që vlen të marrë përgëzime nga të gjithë. 

Histori nga vendi dhe diaspora, rrugëtime në tregti, shërbim, apo edhe konsulencë, ky numër sjell një gamë të gjerë artikujsh, të shtrirë madje mes biznesit dhe artit, të cilat, kur ndërthuren, sjellin zhvillime shumë të bukura për shoqërinë.

Interesant është fakti se kushdo që …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0