Emiliano Mankolli: Nga modelet e të dhënave te “Deputeti AI”, një hap drejt legjislacionit inteligjent në Shqipëri - Business Magazine Albania

Emiliano Mankolli: Nga modelet e të dhënave te “Deputeti AI”, një hap drejt legjislacionit inteligjent në Shqipëri

Emiliano Mankolli: Nga modelet e të dhënave te “Deputeti AI”, një hap drejt legjislacionit inteligjent në Shqipëri

Nga Eni Muça– Emiliano Mankolli është një nga ata profesionistë që i ka sjellë inteligjencës artificiale një kuptim praktik në Shqipëri. Me formim në inxhinieri matematikore dhe informatikë dhe një karrierë që ka kaluar nga akademia te startup-et ndërkombëtare, ai sot drejton AI Hub Albania, komunitetin më aktiv të AI në vend. Projekti i tij më i ri, “Deputeti AI”, synon të bëjë më të kuptueshëm dhe më të aksesueshëm legjislacionin shqiptar, duke kombinuar teknologjitë më të avancuara të machine learning, RAG dhe agentic AI. Në këtë intervistë, Emiliano ndan përvojën e tij, rrugën që e çoi drejt kësaj ideje dhe vizionin për mënyrën se si inteligjenca artificiale mund të transformojë fushën ligjore në vend.

Mund të na tregosh pak për formimin tënd, çfarë ke studiuar dhe ku është fokusuar karriera jote deri tani?
Unë kam studiuar Inxhinieri Matematike dhe Informatike në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës. Studimet bachelor dhe master i kam përfunduar përkatësisht në vitin 2012 dhe 2014. Që në fillim, më ka tërhequr ideja e përdorimit të matematikës për të kuptuar sjelljen e të dhënave dhe për të ndërtuar sisteme që mund të mësojnë nga to. Në atë periudhë tregu i teknologjisë në Shqipëri ishte ende në zhvillim, ndaj e nisa karrierën në akademi, duke kërkuar vazhdimisht mënyra për të aplikuar njohuritë e mia në fusha reale. Puna ime e parë profesionale ka qenë si pedagog në Departamentin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit. Megjithëse isha i angazhuar në universitet, kërkoja mundësi për të aplikuar analizën e të dhënave në industri. Eksperiencën e parë jashtë akademisë e pata në një kompani të fokusuar në affiliate marketing, ku ndërtuam një algoritëm inteligjent që optimizonte automatikisht fushatat e reklamimit. Në vitin 2019 iu bashkova kompanisë Ritech International AG si drejtues i ekipit të Data Science dhe AI, rol që e kam mbajtur për më shumë se gjashtë vite. Ekipi që drejtoja ishte i angazhuar në dy produkte shumë sfiduese. Projekti i parë ishte për një startup në fushën e rekrutimit, ku aplikoheshin algoritma të Natural Language Processing (NLP) për të gjetur kandidatin më të përshtatshëm për një vend pune. Ishte koha kur nuk ekzistonte ende ChatGPT apo LLM, dhe modelet kërkonin shumë personalizim për t’iu përshtatur skenarëve konkretë. Nga kjo eksperiencë lindi edhe dëshira për kërkim shkencor, ndaj në të njëjtin vit nisa doktoraturën në Akademinë e Shkencave në Sofje. Pas katër vitesh mbrojta tezën me temë “Optimization Methods for Machine Learning Applications” dhe mora titullin PhD. Projekti i dytë ishte një zgjidhje me computer vision dhe machine learning për një nga kompanitë më të mëdha të transportit në botë. Sistemi mundësonte monitorimin dhe optimizimin e procesit të shkarkimit të kontenierëve dhe u implementua me sukses në disa shtete të SHBA. Në vitin 2021, gjatë vitit të dytë të doktoraturës, mora një ofertë nga startup-i suedez Proxify, i cili ndërtonte një platformë që lidh Software Developers me klientët. Ata implementuan shumicën e algoritmave që kisha zhvilluar, çka solli një përmirësim të jashtëzakonshëm në cilësinë e vlerësimit të kandidateve dhe në shpejtësinë e procesit të rekrutimit. Brenda tre viteve, numri i aplikimeve të procesuara u trefishua, koha nga aplikimi deri në punësim u ul ndjeshëm dhe kompania u vlerësua si një nga startup-et me rritjen më të shpejtë në Suedi.

Si lindi interesi yt për të kombinuar ligjin me teknologjinë?

Në fushën ku punojmë është e vështirë të përcaktosh gjithmonë kush është shkaku dhe kush pasoja. Ndonjëherë ndeshesh me një teknologji të re dhe pyetja e parë që i bën vetes është: ku mund ta aplikoj këtë? Në raste të tjera, përballesh me një problem në industri dhe kërkon zgjidhje teknologjike që mund ta adresojnë. Për shembull, gjatë analizës së dokumenteve ligjore, kuptuam sa shumë kohë merr interpretimi i një neni në kontekstin e ligjeve të tjera. Pikërisht aty e pashë qartë rolin që AI mund të luajë në këtë fushë.
Interesi për të kombinuar ligjin me teknologjinë erdhi si një bashkim i dy faktorëve: nga njëra anë ekspertiza jonë e thellë në modelet gjuhësore të AI dhe Machine Learning, dhe nga ana tjetër, hapësira e madhe që ekziston në fushën ligjore në Shqipëri, ku AI pothuajse nuk është aplikuar ende.

Cilat eksperienca profesionale të mëparshme mendon se të kanë ndihmuar më shumë në këtë projekt?

Fusha e Data Science dhe AI i ngjan një puzzle, ku çdo eksperiencë e re është një copë e figurës së madhe. Sa më shumë rritet eksperienca, aq më shumë fillon të kuptosh se si lidhen këto pjesë me njëra-tjetrën.
Çdo projekt i ri më ka mësuar si të ndërtoj sisteme që kuptojnë kontekstin, jo thjesht fjalët, një aftësi kyçe për çdo sistem ligjor të bazuar në AI. Eksperiencat me modelet NLP dhe zhvillimin e Large Language Models kanë qenë thelbësore për krijimin e algoritmeve të personalizuara për retrieval dhe reasoning që përdorim në këtë projekt.

A ke punuar më parë në projekte të lidhura me legjislacionin shqiptar ose me sistemet digjitale të të dhënave ligjore?
Me legjislacionin shqiptar jo drejtpërdrejt. E vetmja eksperiencë ka qenë ndërtimi i një transformeri për të bërë embedding tekste në gjuhën shqipe. Me të dhëna ligjore në gjuhën angleze, kam punuar në një projekt të fokusuar në kontrata, ku duhej ndërtuar një Graf RAG i pa supervisuar për të aksesuar informacione në dokumente të ndërlidhura. Në praktikë është një problem sfidues, pasi kërkon që agjenti të ketë aftësi për multi-hop reasoning, pra të kuptojë lidhjet mes disa dokumenteve të ndryshme për të dhënë përgjigjen e plotë.

Lexo edhe: Konferenca e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike – Tafa: “Mbrojtja kibernetike është sot themeli i sigurisë kombëtare”

Na fol pak për projektin tënd më të ri, si lindi ideja për të ndërtuar një sistem që kombinon RAG me Agentic AI për legjislacionin shqiptar?

Unë jam bashkëthemelues i AI Hub Albania, komuniteti më i madh i AI në vend, si për nga numri i anëtarëve, bashkëpunimet me universitete dhe kompani, ashtu edhe për nga ekspertiza që përfshin. Ekipi i brendshëm përbëhet nga 11 persona, disa prej të cilëve janë ndër ekspertët më të mirë të DS dhe AI që punojnë në projekte ndërkombëtare. Një nga iniciativat tona kryesore quhet “Community Creates”. Qëllimi është që ekipi të ndërtojë produkte të bazuara në AI dhe t’i vërë ato në dispozicion të komunitetit, institucioneve publike apo kompanive. Në këtë kuadër kemi evidentuar disa fusha me potencial të lartë për zgjidhje inovative, dhe një nga më interesantet është “Deputeti AI”. Ky sistem është i pari i këtij lloji në rajon dhe u prezantua për herë të parë në një konferencë për kërkimin parlamentar, ku ngjalli interes të madh. “Deputeti AI” integron disa nga teknologjitë më të avancuara të AI dhe RAG. Në thelb, është një sistem me shumë agjentë (multi-agent system), ku secili agjent është i specializuar në një fushë të caktuar dhe bashkëpunon me të tjerët për të dhënë përgjigje të sakta dhe të argumentuara mbi çështje ligjore. Çdo pyetje që përdoruesi bën krijon një “komision ligjor virtual” që konsultohet për të dhënë përgjigjen më të saktë. Orkestruesi inteligjent përzgjedh cilët agjentë duhet të bashkëpunojnë, duke mundësuar që sistemi të analizojë një çështje nga disa këndvështrime ligjore. Për shembull, nëse një përdorues pyet për një ligj shqiptar dhe kërkon të dijë ndryshimet që ka me ligjin përkatës në BE, orkestruesi bashkon agjentët e të dy legjislacioneve për të dhënë një analizë të detajuar. Kjo qasje është shumë e rëndësishme për përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE. Përveç kësaj, sistemi mund të përdoret edhe në rastet gjyqësore, duke analizuar dokumentacionin dhe duke dhënë një “verdikt” bazuar vetëm në ligj. Një element tjetër thelbësor është transparenca: çdo përgjigje që jep sistemi bazohet në burime të verifikuara ligjore dhe është e gjurmueshme. Kështu, përdoruesi mund të shohë se mbi cilat nene dhe ligje është ndërtuar argumentimi.

Cila ishte sfida më e madhe që keni hasur deri tani gjatë ndërtimit të këtij sistemi?

Sfida kryesore ishte të mësoshim sistemin jo vetëm të gjente një ligj, por të kuptonte lidhjet mes ligjeve. Kjo është zemra e çdo sistemi ligjor inteligjent. Komponenti më me vlerë që kemi ndërtuar është një algoritëm i personalizuar që krijon një strukturë grafi dhe lejon multi-hop reasoning. Kjo kombinon retrieval-in me aftësinë për të ndjekur zinxhirin logjik të referencave ligjore. Ai i mundëson sistemit të marrë informacionin e plotë që i duhet për të dhënë përgjigje të sakta, duke minimizuar rrezikun e hallucinacioneve. Kjo zgjidhje mund të shërbejë si bazë edhe për shumë aplikacione të tjera publike, përtej fushës ligjore. Sfida të tjera lidhen me burimet njerëzore dhe financiare. Projekti është vetëfinancuar nga AI Hub Albania, përfshirë ndërtimin e një mini data center, por për ta zgjeruar do të kërkojmë bashkëpunime me ekspertë ligjorë dhe mbështetje financiare.

Si e sheh rolin e këtij produkti në tregun shqiptar të shërbimeve ligjore?

Ky sistem mund të ofrojë asistencë për ligjvënësit dhe komisionet parlamentare për të cituar, interpretuar, krahasuar apo draftuar ligje më shpejt dhe më saktë. Mund të ndihmojë juristët në akses të shpejtë në ligje, në interpretimin e tyre dhe në menaxhimin e dokumentacionit të çështjeve gjyqësore. Një nga ndikimet më të mëdha mund të jetë në gjykata, ku për shkak të mungesës së kapaciteteve njerëzore proceset zgjasin shumë. Një sistem AI do të mundësonte përpunimin e një numri të madh rastesh rutinë, duke ulur ndjeshëm koston dhe kohën e analizave ligjore. AI nuk zëvendëson juristët, por i fuqizon, duke u dhënë atyre një mjet më të shpejtë, më të saktë dhe më të aksesueshëm. Në të ardhmen, bashkëpunimi me institucionet publike do të jetë thelbësor për të rritur ndikimin e këtij sistemi.

Si planifikoni ta lançoni në praktikë dhe cilët do të jenë përdoruesit e parë?
Synojmë të kemi një version për përdoruesit në muajin nëntor. Do të kemi disa kategori përdoruesish:

  • Përdorues të zakonshëm që e përdorin sistemin për kërkime dhe informacion ligjor

  • Ekspertë ligjorë që e përdorin si asistent për analizë dhe menaxhim çështjesh

  • Komisione parlamentare që e përdorin për krahasime, citime dhe analiza ligjore
    Në fazën e parë, synojmë mbledhjen e sa më shumë feedback-u për përmirësim. Pjesëmarrja e përdoruesve të parë do të jetë një formë bashkëkrijimi, ku përvoja e tyre ndihmon në formësimin e sistemit për përdorim real.

Cili është vizioni juaj afatgjatë,  a mendoni që sistemi mund të zgjerohet përtej Shqipërisë apo për fusha të tjera ligjore?

Sistemi që po ndërtojmë ka aftësinë të bëhet ekspert ligjor në çdo bazë njohurish që i vihet në dispozicion, qoftë Kushtetuta e Shqipërisë, legjislacioni i BE apo ai i një vendi tjetër. Skenari shqiptar është ndoshta më i vështiri për shkak të kufizimeve që kanë modelet gjuhësore në gjuhën shqipe. Kjo e bën projektin edhe më të vlefshëm, sepse po teston kufijtë e AI në një gjuhë me pak burime. Nëse arrijmë ta zgjidhim me saktësi të lartë këtë skenar, nuk do të ketë asnjë pengesë për ta përshtatur në vende të tjera. Fokusi për momentin është tek legjislacioni shqiptar dhe ai i BE, por potenciali është i madh për t’u zgjeruar edhe në fusha të tjera, si administrata publike, arsimi apo ekonomia.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0