Elton John dhe Dua Lipa kërkojnë mbrojtje nga Inteligjenca Artificiale - Business Magazine Albania

Elton John dhe Dua Lipa kërkojnë mbrojtje nga Inteligjenca Artificiale

Një peticion i pazakontë dhe i fuqishëm ka mbërritur në zyrën e kryeministrit britanik. Mbi 400 figura të njohura të artit dhe kulturës në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë yjet ndërkombëtarë Elton John, Dua Lipa, Sir Ian McKellen dhe këngëtaren Florence Welch, po kërkojnë që qeveria të ndërhyjë urgjentisht për të rregulluar mënyrën sesi Inteligjenca Artificiale (AI) po përdor krijimtarinë e tyre.

“Nëse nuk merren masa, rrezikojmë të japim pa asnjë kundërvlerë gjithë punën tonë kompanive teknologjike gjigante,” thuhet në letër. “Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë jo vetëm për të ardhurat tona, por për vetë ekzistencën e krijimtarisë britanike si një forcë ndërkombëtare.”

Artistët kërkojnë transparencë të plotë nga kompanitë që zhvillojnë inteligjencë artificiale , një kërkesë që përfshin detyrimin për të treguar nëse dhe si janë përdorur materiale me të drejtë autori për trajnimin e modeleve të tyre.

Në thelb të shqetësimit qëndron frika se këngë, skenarë, piktura apo vepra të tjera artistike mund të përdoren për të trajnuar inteligjencën artificiale pa miratimin e autorëve, një praktikë që, sipas tyre, bie ndesh me çdo parim të drejtësisë dhe të të drejtave të pronës intelektuale.

Lexo edhe: Amazon: Punët e reja për njerëzit në një botë të dominuar nga robotët!

Artistët i kërkojnë qeverisë të mbështesë një ndryshim në projektligjin “Përdorimi dhe Aksesi i të Dhënave”, i cili do të detyronte zhvilluesit e AI të jenë transparentë me pronarët e të drejtave të autorit kur përdorin materialet e tyre për trajnimin e modeleve inteligjente.

Letra vjen në një kohë kur debatet rreth përdorimit të përmbajtjes së krijuar nga njeriu për të ushqyer teknologjitë digjitale janë bërë gjithnjë e më të nxehta. Shtëpitë botuese, mediat, dhe tani edhe bota e artit po kërkojnë mbrojtje ligjore të qartë, përballë një industrie teknologjike që po përparon me hapa të shpejtë, shpesh pa pyetur.

Mbretëria e Bashkuar, thuhet në letër, rrezikon të humbasë statusin si një “superfuqi krijuese”, nëse nuk ndërmerr hapa të guximshëm për të mbrojtur ata që i japin jetë kulturës dhe identitetit britanik.

BBC

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0