Elon Musk njofton planin për të kontrolluar klimën duke rrethuar Tokën me satelitë - Business Magazine Albania

Elon Musk njofton planin për të kontrolluar klimën duke rrethuar Tokën me satelitë

Pavarësisht fiksimit të tij me  ta bërë jetën multiplanetare dhe zgjerimin e ndërgjegjes drejt yjeve, Elon Musk herë pas here shfaq edhe shqetësim për njerëzit këtu në Tokë.

Pikërisht për këtë ai dëshiron… të bllokojë Diellin, natyrisht. Të hënën, Musk publikoi në platformën e tij X  një ide të re të cilën e quajti “masterplan” për të shpëtuar njerëzimin nga kriza klimatike, një ide që tingëllon shumë si diçka dalë nga filmi The Matrix.

“Një konstelacion i madh satelitësh me energji diellore, të drejtuar nga inteligjenca artificiale, mund të parandalonte ngrohjen globale duke bërë rregullime shumë të vogla në sasinë e energjisë diellore që arrin në Tokë,” shkroi ai, pa ndonjë arsye të qartë apo kontekst. Aktualisht, CEO i SpaceX menaxhon një konstelacion gjigant prej gati 9.000 satelitësh Starlink në orbitë. Këta satelitë nuk po bllokojnë Diellin, të paktën jo ende, por po shkaktojnë një problem të madh për astronomët, të cilët ankohen se po u pengohen vëzhgimet e hapësirës së thellë. I pyetur nga një ndjekës se si këta satelitë mund të kryenin rregullime kaq të sakta pa destabilizuar klimën, pa përmendur pastaj konfliktet e mundshme për kontrollin e një mekanizmi kaq të fuqishëm global, Musk u përgjigj shkurt: “Po.” “Mjaftojnë rregullime shumë të vogla për të parandaluar ngrohjen ose ftohjen globale,” shtoi ai. “Toka ka qenë një herë e bardhë si top bore.”

Lexo edhe: Kush fiton dhe kush humbet në luftën ndaj ngrohjes globale?

Ideja e bllokimit të Diellit për të zbutur ndryshimet klimatike, e njohur si inxhinieri gjeologjike diellore ose më teknikisht modifikim i rrezatimit diellor, është objekt debati dhe polemikash të mëdha në komunitetin shkencor. Shumica e ekspertëve pajtohen se teorikisht është e mundur, por jashtëzakonisht e rrezikshme. Klima e një planeti është një sistem tepër kompleks dhe bllokimi i rrezeve diellore ka gjasa të sjellë pasoja të paparashikuara. Dhe sapo të implementohej, nuk do të kishte më kthim pas. Me fjalë të tjera, konsiderohet një masë ekstreme – por fakti që po diskutohet seriozisht tregon kohën ku jetojmë. Disa eksperimente po planifikohen, megjithëse disa prej tyre përballen me sfida ligjore. Një metodë, e quajtur zbardhja e reve detare, përfshin spërkatjen e reve me aerosole që rrisin reflektimin e tyre dhe dërgojnë më shumë dritë diellore sërish drejt hapësirës. Por metoda më e përhapur është injeksioni i aerosoleve në shtresën stratosferike, ku lëshohen grimca kimi­ke si dioksidi i squfurit për të reflektuar rrezatimin diellor.

Vlen të theksohet se asnjë nga këto metoda nuk përfshin krijimin e një rrjeti global satelitësh AI që vendosin sa Diell meriton secili prej nesh. Por Musk, si zakonisht, mund të jetë duke menduar në një shkallë kohore shumë më të madhe se ajo që imagjinon njeriu mesatar. Në postimin e tij, ai pranoi një koment nga një ndjekës që sugjeronte se kjo teknologji do të ishte një “tipar logjik” i një civilizimi të tipit Kardashev II, një civilizim hipotetik që është në gjendje të shfrytëzojë drejtpërdrejt fuqinë e të gjithë Diellit duke ndërtuar struktura gjigante rreth tij. Njerëzimi, natyrisht, është mijëra vite larg një niveli të tillë, nëse është fare i mundur.

“Po,” u përgjigj Musk. “Vjen me territorin.”

futurism

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0