Nga Shqipëria drejt Gjermanisë, rruga e Ejona Precit në cybersecurity dhe inteligjencën artificiale është një histori frymëzuese për çdo profesionist dhe veçanërisht për gratë në teknologji. Duke nisur si specialiste IT në Shqipëri, ajo transformoi kuriozitetin dhe pasionin për sigurinë kibernetike në një karrierë ndërkombëtare, duke punuar me kompani të mëdha, si Deloitte dhe LINDAL Group dhe duke udhëhequr projekte inovative në AI dhe sigurinë e informacionit. Përmes eksperiencës së saj, ajo tregon se guximi, mësimi i vazhdueshëm dhe pjesëmarrja në komunitete profesionale janë çelësi për të thyer barriera gjinore dhe për të kontribuar në një fushë që po evoluon me ritme të jashtëzakonshme. Përveç eksperiencës së saj të pasur profesionale, Ejona është bashkëthemeluese e startup-it Antidote, një projekt inovativ që synon të mbrojë integritetin e të dhënave në ekosistemet e Inteligjencës Artificiale, duke identifikuar dhe korrigjuar manipulimet e mundshme nga sulmet kibernetike. Ky startup po tërheq vëmendje të madhe nga investitorët europianë dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një të ardhme më të sigurt digjitale.
Si u gjendët në Gjermani dhe në një karrierë në cybersecurity?
Karriera ime në cybersecurity ka filluar në Shqipëri para 10 vitesh, pasi kisha punuar disa vite si specialiste IT-je në mirëmbajtjen e databazave dhe sistemeve të operimit. Në ato vite, siguria kibernetike nuk ishte ende një karrierë e definuar plotësisht, por për mua ishte diçka që filloi të më intrigonte jashtë mase.
Në vitet e para të karrierës sime, vendosa të hulumtoja më thellë se si mund t’i bëja më të sigurta sistemet që menaxhoja dhe pas një kohe kuptova që do të më pëlqente të bëja karrierë në këtë fushë. Dhe kështu, iu bashkova Deloitte për disa vite si konsulente për sigurinë kibernetike, ku mu dha mundësia të punoja me kompanitë më të mëdha në Shqipëri dhe Kosovë, në shumë sektorë të ekonomisë.
Transferimi në Gjermani erdhi shumë natyrshëm, pas disa vitesh pune në sektorë të ndryshëm në Shqipëri, përfshirë administratën publike, universitete, organizata NGO, sistemin bankar dhe kompani Big 4. Arrita në një pikë të karrierës time ku doja të provoja një eksperiencë ndërkombëtare dhe ishin kushtet e favorshme për ta bërë këtë gjë. Mu ofrua një mundësi për të punuar si menaxhere e Cyber Risk për një kompani joint-venture të Mercedes dhe BMW. Çdo gjë ndodhi shumë shpejt dhe brenda një muaji u gjenda në Hamburg, Gjermani; në një vend të ri, punë të re, dhe një jetë krejtësisht të re. Nuk jam penduar aspak, ishte zgjedhja më e mirë që kam bërë sa i përket karrierës. Mendoj që erdha në Gjermani në momentin e duhur, ku kisha mjaftueshëm maturi profesionale dhe emocionale për të përballuar sfidat që më prisnin.
Nuk u largova sepse doja të largohesha nga Shqipëria, u largova sepse e ndjeja që kisha akoma shumë për të eksploruar dhe për tu rritur në aspektin profesional. Kam qenë gjithmonë një person që i pëlqen ndryshimi dhe mundësitë e reja. Për mua, “të mësuarit e vazhdueshëm” me mendësinë e një fillestari është shumë e rëndësishme. Më pëlqen shprehja e Shunryu Suzuki: “Në mendjen e një fillestari ka shumë mundësi, ndërsa në mendjen e një eksperti ka pak prej tyre.”
Cilat kanë qenë sfidat më të mëdha që keni hasur si grua në një industri kryesisht mashkullore, dhe si i keni kapërcyer, por edhe si shqiptare në një vend të huaj?
Është shumë e vërtetë që siguria kibernetike është një fushë ku dominojnë meshkujt. Jo pak herë jam gjendur e vetmja grua në tavolinë, dhe kjo akoma më shumë në Gjermani. Kemi menduar që Shqipëria ka mbetur mbrapa krahasuar me shtetet e tjera të EU dhe nuk ka diversitet gjinor në fushën e teknologjisë, por mund të them me bindje që në Shqipëri kam pasur më shumë kolege gra se sa në Gjermani apo shtete të tjera.
Një nga sfidat që unë kam pasur është ajo që njihet me termin “imposter syndrome”, që mendoj se çdo kush e ka dhe është e shëndetshme deri diku, sidomos në një shtet të huaj dhe industri ku gratë janë pakicë. Në momente të caktuara, çdo kush prej nesh mund të mendojë që kolegët mund të jenë më kompetentë, mund të dinë më shumë etj., dhe kjo na bën të mos ndihemi mjaftueshëm. Kjo ndjesi shpesh herë na shtyn të përpiqemi të arrijmë më shumë, por ka raste që edhe na kufizon. Unë kam zgjedhur ta përdor për të bërë një version më të mirë të vetes. Praktikisht, lufta më e madhe është ajo me veten: si të jesh racional në pritshmëritë që ke për veten dhe të vlerësosh arritjet e tua. Krahasimi me të tjerët është shumë i gabuar, sepse gjithsecili ka rrugëtimin e tij unik.
Lexo edhe: Të rinjtë shqiptarë përfaqësojnë vendin në Lojërat Olimpike të Robotikës
Megjithatë, vlen të theksoj se asnjëherë gjatë karrierës sime nuk kam ndjerë diskriminim apo mungesë respekti nga kolegët meshkuj; përkundrazi kam pasur marrëdhënie shumë korrekte dhe produktive. Mund të ketë pasur tendenca për diskriminim, por nuk i kam lejuar. Të qenurit shqiptare apo grua në këtë industri nuk na bën më pak të kualifikuar dhe këtë e kemi treguar tashmë përmes shumë grave shqiptare që kanë bërë histori në fushën e teknologjisë në mbarë botën.
Por sigurisht, vështirësi ka pasur dhe do të ketë, edhe në rrugëtimin tim. Një nga sfidat më të mëdha është të përshtatesh në një ambient ku 90% janë meshkuj, të krijosh konfidence për të drejtuar ekipe të kulturave të ndryshme dhe të mbash përgjegjësi mbi shpatulla kur gjërat nuk shkojnë si duhet. Ka qenë një rrugë e gjatë të mësuarit se si të përballesh me situata të ndryshme dhe kjo formon eksperiencën e gjithsecilit. Unë kam zgjedhur të mos përshtatem plotësisht në kompanitë ku kam punuar, por të sjell versionin tim autentik, vizionin dhe botëkuptimin tim në çdo ambient pune.
Eksperiencat e deritanishme më kanë mësuar të jem më fleksibël në vendimet që marr dhe më mendjehapur. Gjithashtu, një ndër mësimet më të rëndësishme që kam marrë është që askush nuk shkëlqen i izoluar; duhet patjetër të jesh pjesë e një komuniteti ku gjen mbështetje, mund të diskutosh sfidat e tua dhe të shkëmbesh eksperienca. Prej disa vitesh jam bërë pjesë e shumë komuniteteve ndërkombëtare në fushën e sigurisë kibernetike dhe kam themeluar Women in Cybersecurity (WiCyS) Germany dhe Global Council for Responsible AI Germany, për të ndërtuar një rrjet suporti për ekspertët e fushës, veçanërisht për gratë.
Cili moment apo projekt do të konsideronit më të rëndësishëm në karrierën tuaj deri tani?
Momenti më i rëndësishëm në karrierën time është ky vit, 2025, ku kanë ndodhur shumë gjëra të cilat as nuk i kam imagjinuar. Kur mu ofrua mundësia të punoja si CISO (Drejtoreshë e Sigurisë së Informacionit) para 2 vitesh për LINDAL Group dhe të menaxhoja sigurinë e informacionit për 12 kompani të grupit në të gjithë botën, mendova se do të ishte kulmi i karrierës sime, por nuk ishte kështu.
Shumë kompani në fushën e sigurisë së informacionit filluan të më kërkonin bashkëpunime, mu ofrua të prezantoja në konferencat më të famshme në botë si GITEX, GISEC, AI Summit, BlackHat etj. Në fillim të këtij viti u përzgjodha si Responsible AI Governor pranë GCRAI Germany dhe mu dha mundësia të bashkëpunoja me Wiley, një ndër shtëpitë botuese më me famë në USA, si redaktore teknike e një libri për AI i cili do të publikohet në fillim të vitit tjetër.
Fillova të shkruaja më shumë artikuj për sigurinë kibernetike dhe u bëra pjesë e Gartner C-Level Communities. Por momenti që mua më pëlqen më shumë në të gjithë karrierën time është drejtimi i timonit në fushën e Sigurisë së Inteligjencës Artificiale (AI), e cila është bërë një temë që po i dedikoj pjesën më të madhe të kohës sime.
Si po ndryshon AI mënyrën se si menaxhohet siguria kibernetik dhe cilat janë rreziqet më të mëdha që vini re si profesioniste?
AI po e ndryshon thelbësisht sigurinë kibernetike. Jo më kot është cilësuar si thikë me dy presa pasi po fuqëzon kompanitë dhe ekipet e sigurisë së informacionit, por nga ana tjetër edhe hacker-ët. Tani vetëm 3 sekonda video ose material zanor mund të trajnojnë Modelet AI për të gjeneruar Deepfake mjaft të sofistikuar. Hacker-ët po e përdorin AI për të programuar viruse të reja akoma më inteligjente, për të dërguar phishing email, për të identifikuar dhe shfrytëzuar vulnerabilitete në pak minuta etj. Sot, me AI, çdo kush mund të bëhet një hacker pa pasur asnjë aftësi teknike.
Për më tepër, sistemet AI mund të shfaqin halucinacione dhe të prodhojnë rezultate të pasakta, por hacker-ët mund të kompromentojnë këto sisteme dhe të “helmojnë të dhënat” (data poisoning/adversarial patching).
Në ditët e sotme po shikojmë që njerëzit gjithnjë e më shumë marrin vendime duke u bazuar vetëm në përgjigjet e chatbot-eve AI si ChatGPT, Gemini, Claude, Deepseek etj. Fakti që AI është një teknologji nga e cila njerëzit kanë krijuar varësi, e bën atë tejet të rrezikshme në rast se nuk implementohen kontrollet e duhura të sigurisë.
Nga ana tjetër, AI po krijon shumë potencial për mbrojtësit e sigurisë kibernetike. Sulmet e reja të bazuara në AI mund të luftohen vetëm me sisteme AI të integruara në perimetrin mbrojtës të sigurisë së organizatave. Tashmë ka sisteme AI në treg që bëjnë analizë të sjelljes së përdoruesve, kategorizojnë dhe bllokojnë transaksionet e dyshimta, sisteme që bllokojnë automatikisht emaile phishing, sisteme që identifikojnë dhe bllokojnë modifikimet e paautorizuara të të dhënave etj.

Mund të na tregoni më shumë për startup-in tuaj dhe si sistemi juaj ndihmon në mbrojtjen e integritetit të të dhënave në AI?
Prej disa muajsh po punoj me një ekip brilant inxhinierësh në fushën e Inteligjencës Artificiale për të ndërtuar një sistem i cili, bazuar në disa funksione matematikore, identifikon, kategorizon dhe korrigjon të dhënat të cilat janë keqklasifikuar ose modifikuar nga hacker-ët përmes sulmeve Data Poisoning ose Adversarial Patching.
Jam shumë krenare të jem bashkëthemeluese e këtij startup-i, i cili po ngjall shumë interes tek investitorët europianë. Qëllimi i këtij sistemi është mbrojtja e integritetit të të dhënave në një ekosistem multi-modal: tekst, foto, video dhe zë.
Imagjinoni sikur jeni duke udhëtuar me një makinë autonome pa shofer. Çfarë do të ndodhte nëse sistemi do të kompromentohej dhe të keqinterpretonte sinjalistikën rrugore? E njëjta situatë në sektorin shëndetësor: nëse një sistem imazherik spitalor degradon apo sulmohet dhe fillon të keqklasifikojë grafitë e mushkërive normale si pneumoni.
Siç pritej, mbrojtja e integritetit të të dhënave po merr më shumë vëmendje se kurrë më parë, sepse tashmë nuk bëhet fjalë thjesht për të dhëna, bëhet fjalë për jetën; dhe ky është pikërisht problemi që sistemi ynë Antidote zgjidh. E konsideroj veten shumë me fat të jem pjesë e një projekti të tillë dhe të jap kontributin tim për një të ardhme më të sigurt në epokën e inteligjencës artificiale.
Çfarë këshille do t’u jepnit grave të reja shqiptare që duan të ndërtojnë një karrierë në tech dhe cybersecurity?
Nuk jam shumë pro këshillave, pasi mendoj që nuk ka zgjedhje të sakta apo të gabuara. Ne mësojmë nga çdo zgjedhje që bëjmë. Prandaj do thoja: guxoni më shumë; mos i lini idetë tuaja në fazën e mendimit. Merrni guximin t’i implementoni ato dhe konsideroni dështimin si një hap që ju sjell më pranë realizimit të tyre. Limitet e vetme janë ato që ne i vendosim vetes, asgjë më shumë.
Për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në tech dhe cybersecurity duhet ta doni vërtet këtë fushë dhe të keni shumë kuriozitet. Është shumë e rëndësishme të bëheni pjesë e komuniteteve ku mund të merrni suportin e duhur për tu rritur profesionalisht. Cybersecurity është një fushë që na kërkon të qëndrojmë relevante dhe kjo mund të arrihet vetëm duke u azhornuar çdo ditë, sepse çdo gjë po ndryshon me ritme të paimagjinueshme.
Si shihni rolin e grave në teknologji në 5–10 vitet e ardhshme, dhe çfarë mund të bëjmë për të rritur përfaqësimin e tyre në pozicione udhëheqëse?
Mendoj se roli i grave në teknologji do të rritet padiskutim. Zhvillimet në teknologji po shndërrojnë çdo profesion në një profesion tech. Praktikisht, pothuajse çdo pozicion pune do të bëhet AI-assisted në një të ardhme të afërt. Rrjedhimisht, mendoj që gratë do të duan gjithnjë e më shumë të jenë pjesëmarrëse në këtë ndryshim, të punojnë në fushën e teknologjisë, sigurisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale.
Për sa i përket përfaqësimit në pozicione drejtuese, mendoj që edhe kjo po ndryshon, megjithëse me ritme të ngadalta.
Mungesa e diversitetit në pozicione udhëheqëse është vulnerabilitet. Nëse nuk kemi gra në tavolinë, do të kemi boshllëqe në procese, produkt, në siguri dhe në etikë. Për të rritur përfaqësimin e grave në pozicione vendimmarrëse, duhet të kalojmë nga mentorship në sponsorship aktiv, nga mendësia e heroit në platforma të qarta promovimi dhe nga premtimet në objektiva të matshme për suport profesional, diversitet, promovime dhe kompensim financiar.
Është mjaft inkurajuese që legjislacionet europiane, si EU Corporate Sustainability Reporting Directive (CSRD) apo Direktiva për Barazinë Gjinore në Borde, tashmë po lobojnë dhe detyrojnë kompanitë për diversitet në lidership. Kjo do të krijojë një presion pozitiv në treg: investitorët, rregullatorët dhe bordet drejtuese do të kërkojnë diversitet gjinor në ekipe drejtuese, jo vetëm për arsye etike, por sepse diversiteti ul riskun, rrit inovacionin dhe përmirëson qeverisjen e organizatave.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.