Edvina Meta: AI në modë po sfidon kufijtë etikë dhe kreativë, ja çfarë duhet të presim - Business Magazine Albania

Edvina Meta: AI në modë po sfidon kufijtë etikë dhe kreativë, ja çfarë duhet të presim

Nga Fatima Gorezi 

Kur moda takon algoritmin, lind një pyetje thelbësore: a po zëvendësohet krijimtaria njerëzore nga inteligjenca artificiale? Në vitin 2023, bota e modës pa modelen e saj të parë digjitale të krijuar me AI, një figurë mbresëlënëse në një fustan xhins Levi’s, që ngjalli më shumë polemika sesa admirim. Në një industri që prej vitesh është kritikuar për mungesë diversiteti në përzgjedhjen e modeleve njerëzore, reagimi ishte i menjëhershëm: New York Magazine e quajti këtë qasje  asokohe “diversitet artificial”.

Që atëherë, eksperimente të tilla janë shtuar me shpejtësi, por debati shpërtheu sërish pas reklamës së publikuar në Vogue, e cila paraqiste një figurë perfekte… por jo reale.

A është ky thjesht një hap i natyrshëm drejt automatizimit, apo një kthesë e rrezikshme që minon punën e modeleve, fotografëve, grimierëve dhe artistëve të modës? BusinessMag ka biseduar me Edvina Metën, fotografe e njohur në industrinë shqiptare dhe ndërkombëtare të modës, e cila ka kuruar dhjetëra kopertina dhe fushata të rëndësishme në fushën e beauty, fashion dhe reklamës.Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e industrisë? Si e sheh një profesioniste e terrenit përplasjen mes realitetit dhe teknologjisë? Dhe a mundet një imazh i krijuar nga një algoritëm të zëvendësojë ndjesinë që krijon syri i një fotografi apo prania e një modeli real?

Ajo e përshkruan situatën me një qartësi profesionale dhe me një ndjeshmëri të thellë për ndryshimet që po ndodhin:

“Ashtu si çdo risi tjetër, edhe inteligjenca artificiale (AI) pritet të hasë njëfarë rezistence nga profesionistët për t’u pranuar gjerësisht. Megjithatë, kjo rezistencë nuk është shumë e dukshme në kompanitë që tashmë e kanë aplikuar AI-në në fushatat reklamuese dhe në industrinë e modës.
Edhe në Shqipëri, e kam vënë re se kjo teknologji është përdorur në shumë reklama, që nga ato të bankave, deri te qendrat tregtare. Arsyeja është e thjeshtë: kostot ekonomike dhe kohore janë shumë më të ulëta sesa të punësosh një staf të plotë për një fushatë të caktuar. Kjo, natyrisht, do të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë në uljen e mundësive të punës për fotografë, modele, grimierë dhe stilistë.

E pyetur mbi mënyrën se si mund të mbrohet puna e njerëzve në këtë realitet të ri, Edvina ngre një shqetësim konkret dhe një sugjerim të qartë:

E vetmja mënyrë për të ruajtur vlerën e punës njerëzore është që modelet të kenë të drejtën të bëjnë copyright të imazhit të tyre përballë AI-së, sepse, në fund të fundit, kjo teknologji është e bazuar mbi database me fotografi reale të krijuara më parë.
Për kompanitë, përdorimi i AI-së është praktik pasi nuk ka të drejta autori dhe nuk kërkon pagesa shtesë për përdorim të vazhdueshëm. Mund ta përdorin pafundësisht, pa paguar ekstra. Logjika e korporatave të mëdha ka qenë dhe do të mbetet: të shpenzojnë sa më pak dhe të kenë sa më shumë shitje. Për sa kohë kjo formulë të funksionojë, unë besoj se do të ketë një zëvendësim të ndjeshëm të punës njerëzore me përmbajtje të krijuar nga AI në fushën e modës dhe reklamës.”

Lexo edhe: Reklama që tronditi modën, një modele digjitale në faqet e Vogue

Në botën e fotografisë, ku çdo detaj ka rëndësi, nga ndriçimi i saktë te tekstura natyrale e lëkurës, një imazh i bukur nuk është thjesht rezultat i një klikimi, por një proces i ndërlikuar krijimi. Por çfarë ndodh kur këtë proces e merr përsipër një algoritëm?

Për fotografen dhe eksperten vizuale Edvina Meta, dallimi midis një imazhi real dhe atij të krijuar nga inteligjenca artificiale (AI) nuk është vetëm teknik, është një çështje autenticiteti dhe ndjenje. Ajo ndan vëzhgimet dhe përvojën e saj me këtë teknologji në zhvillim:

Siç e përmenda më sipër, një imazh i krijuar nga AI është zakonisht një përmbledhje e referencave të marra nga një bazë të dhënash me imazhe ekzistuese. AI zgjedh atë çka ka më shumë impakt vizual dhe më shumë pëlqyeshmëri dhe ndërton një imazh të ri, bazuar në udhëzimet që merr nga përdoruesi.
Gjithsesi, këto imazhe janë lehtësisht të dallueshme, sepse mungojnë tekstura reale e lëkurës, detajet e flokëve dhe ndriçimi shpesh krijon ndjesinë sikur po sheh një lojë kompjuterike, jo një fotografi reale. Megjithatë, në varësi të buxhetit që një kompani investon për një fushatë, këto detaje mund të rafinohen për t’u dukur sa më realiste.

Edvina tregon gjithashtu për një rast konkret kur ka përdorur AI-në në punën e saj. Në një fushatë produktesh për një kompani amerikane, ajo provoi të përdorte AI vetëm për sfondin e imazheve. Eksperimenti, megjithatë, solli disa sfida praktike:

Unë vetë e kam përdorur AI-në në një fushatë produktesh për një kompani amerikane, vetëm për të ndryshuar sfondin. Për të qenë e sinqertë, do të kishte qenë më e lehtë të krijonim sfondin manualisht, sepse përmes AI më mori 2-3 orë për të gjetur një sfond që i përshtatej produktit. Për më tepër, detajet e produktit i përpunova manualisht, që do të thotë se AI ishte ndihmës, por sërish kishte nevojë për dorën e njeriut për të arritur rezultatin final.

E pyetur nëse e sheh këtë teknologji si sfidë apo si një aleat krijues, ajo e shpreh pozicionin e saj qartë:

“E shoh AI-në si një mjet krijues, jo si një sfidë. Por personalisht, nuk jam gati të zëvendësoj modelet reale me modele të gjeneruara nga AI.
Problemi i vërtetë qëndron në faktin se, nëse do të përdorim vetëm përmbajtje të krijuar nga AI, do të mungojë krijimtaria origjinale, nga e cila AI më pas frymëzohet. Kjo do të na çonte drejt një monotonie vizuale, ku fushatat reklamuese do të ngjajnë gjithnjë e më shumë me njëra-tjetrën.”

A do të humbasë publiku lidhjen emocionale me figurat e modës, nëse ato zëvendësohen nga entitete digjitale? Në një kohë kur teknologjia po sfidon emocionin njerëzor, kjo është një nga pyetjet më të mëdha që ngrihet për të ardhmen e industrisë. Për fotografen dhe eksperten vizuale Edvina Meta, këto zhvillime nuk janë thjesht risi, por shenja të një epoke ku natyralja dhe artificjalja po përplasen çdo ditë.

”Deri më sot po luftohej që imazhet të kenë sa më pak retouch (photoshop) në mënyrë që kemi një vizion real mbi të bukurën pa e bërë perfekte. Jemi në një kohë ku çdo fushatë është inklusive, që të ketë sa më shumë diversitet, mos të ketë vetëm një tip bukurie. Dhe vjen fushata e Guess me AI generated model ku veshja është po AI generated, sigurisht që krijoi shumë polemika, por për sa kohë njerëzit do blejnë një produkt të reklamuar nga AI, kompanitë do vazhdojnë ta përdorin. Koha do e tregojë se si njerëzit do adaptohen me teknologjinë e re apo do e bojkotojnë blerjet në atë kompani. Modelet e vërteta po trajtohen më shumë si influencer në treg, pra sa followers kanë në social media dhe se si imazhi i tyre mund të influencojë në shitjen e një produkti. Mbase profesioni i modelingut ka për të qenë më pak i lakmuar në të ardhmen, ashtu si dhe për fotografët e modës.” – thotë Meta.

Ndërsa inteligjenca artificiale shpalos mundësi të reja për efikasitet, estetikë dhe buxhete të ulëta, dilemat rreth autenticitetit, përfaqësimit dhe etikës mbeten të forta. Sipas Edvina Metës, AI mund të shërbejë si një mjet i fuqishëm krijues, por jo si zëvendësues i njeriut dhe ndjeshmërisë që ai sjell në art. Të ardhmen nuk mund ta ndalim, por mënyra si e udhëheqim atë do të përcaktojë nëse do të jetojmë në një botë më të pasur vizualisht apo në një realitet të standardizuar dhe pa jetë.

Në një botë ku çdo imazh ka fuqinë të tregojë një histori, njeriu me ndjeshmërinë dhe përvojën e tij, mbetet ende faktori kyç që e bën fotografinë të paharrueshme.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

✨ Thënia e ditës
“Kurrë mos iu ndaj parimeve të tua të nderit dhe qëllimit të mirë.”
— Winston Churchill
Must watch
Business Mag Nr. #39 – Shtator 2025

‘’Zgjidhni njeriun’’ … ‘’Punësoni për aftësitë e buta’’….   Janë sot postulate nga ekspertët dhe studiues të tregut të punës, të cilat iu drejtohen stafeve të burime njerëzore. Mund edhe të duket pak romantike për kohën që po jetojmë, por zgjedhja e njeriut të duhur për t’i hapur dyert e zyrës, për ta futur në gjirin e skuadrës tënde dhe për t’i dhënë pushtetin e të folurit në emër të brand-it tënd ka sot vlerë më shumë se kurrë më parë. Rëndësia e ‘aftësive të buta’ qëndron në faktin e të zotëruarit të cilësive si komunikimi, dëshira për të provuar e qenë kurioz, bashkëpunimi, empatia, besnikëria, etika e lartë dhe padyshim ndershmëria; tipare të cilat nuk janë edhe aq të thjeshta për tu gjendur në njeriun modern i cili duket se vrapon pas trendeve, të resë dhe virales dhe për të cilin çdo gjë që ka më shumë ndjeshmëri seç duhet është ‘jashtë mode’.

Për ne shqiptarët shumë nga këto vlera njerëzore janë edhe vlera të familjeve tona, vlera të cilat jan duartrokitur gjithmonë në mjediset ku jemi rritur, por që ndoshta nuk duartrokiten edhe shumë sot, ndër breza më të rinj…, ose të paktën nuk duartrokiten në publik. 

E kush më …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0