E thotë shkenca, shpresë e re për personat që vuajnë nga astma dhe ekzemat - Business Magazine Albania

E thotë shkenca, shpresë e re për personat që vuajnë nga astma dhe ekzemat

Një kuptim i ri mbi një receptor kyç në reagimet alergjike dhe anafilaksi mund të hapë rrugën për trajtime të reja për miliona njerëz që vuajnë nga sëmundje si astma, ekzemat dhe alergjitë e rënda. Ky është premtimi i një studimi të realizuar nga studiuesit në universitetet e Shenzhen dhe Wuhan në Kinë, të cilët kanë identifikuar një mekanizëm që mban të aktivizuar lirimin e molekulave që shkaktojnë alergji në trupin e njeriut.

Sëmundjet alergjike si astma (që prek rreth 28 milionë vetë në SHBA) dhe ekzema (31.6 milionë) janë në rritje të vazhdueshme në dekadat e fundit. Këto gjendje shfaqen për shkak të aktivizimit të një tipi të caktuar të qelizave të bardha të gjakut, të quajtura mastocite, të cilat lëshojnë molekula inflamatore që nxisin reagime alergjike si kruarje, fryrje apo vështirësi në frymëmarrje.Reagimet alergjike fillojnë kur antitrupat e quajtur IgE, të prodhuar nga sistemi imunitar, lidhen me një receptor të quajtur FcεRI në sipërfaqen e mastociteve, dhe me antigjenin (substancën që shkakton reagimin imunitar). Kjo “përgatit terrenin”, siç shpjegojnë studiuesit, për lirimin e molekulave që përforcojnë reagimin alergjik.

Megjithëse FcεRI është konsideruar si një objektiv premtues për terapi, deri më tani zbatimi i saj në praktikën klinike ka qenë sfidues.Në studimin e ri, vëmendja është përqendruar te një enzimë e quajtur USP5, e njohur për rolin e saj në kontrollin e qëndrueshmërisë së proteinave dhe e lidhur më parë me sëmundje inflamatore si sëmundjet e mishrave të dhëmbëve.

Studiuesit zbuluan se mastocitet varen nga USP5 për të liruar molekulat që sinjalizojnë alergjinë, si histamina dhe β-hexosaminidaza, pas kontaktit me IgE dhe antigjenin. Ky zbulim, sipas tyre, tregon se USP5 mund të jetë një objektiv kyç për trajtimin e sëmundjeve alergjike të tipit I, ku përfshihen: riniti alergjik, alergjitë ushqimore, anafilaksia, pjesa më e madhe e rasteve të astmës dhe urtikaria.

“Të gjitha këto janë reagime të ndërmjetësuara nga IgE dhe kanë mastocitet si objektiv të përbashkët, por përfshijnë rrugë të ndryshme që ndikojnë në ashpërsinë e simptomave, prandaj nuk mjafton vetëm bllokimi i një receptori. Megjithatë, ky mund të jetë një shtesë e vlefshme ndaj terapive ekzistuese,” – shpjegon për Newsweek Dr. Elena Salagean, alergologe pranë Holistic Allergy, që nuk ishte pjesë e studimit.

Lexo edhe: 6 mënyra për të ndërtuar besimin e fëmijës suaj dhe për të qenë i hapur me ju

Ajo shton se pjesa më novatore e këtij studimi është se, ndryshe nga përpjekjet për të bllokuar receptorët në tërësi, këtu fokusi është brenda qelizës, në “mekanizmin e receptorit”, më konkretisht në vetë enzimën USP5.

“Trajtimet aktuale veprojnë më shumë në fazat e mëvonshme të reagimit alergjik, duke bllokuar pasojat e aktivizimit të mastociteve. Antihistaminikët dhe steroidet bllokojnë mediatorë të caktuar, ndërsa biologjikët ndërhyjnë në molekula dhe enzima të ndryshme përgjatë rrugës së alergjisë,” – sqaron më tej Dr. Salagean.

“Një frenues i USP5 do të ishte një bllokues më i drejtpërdrejtë, duke vepruar në ‘pultin qendror’ të receptorëve të mastociteve. Kjo mund të reduktojë njëkohësisht disa mediatorë dhe të dobësojë reagimin alergjik.”

Aktualisht, anafilaksia trajtohet kryesisht me epinefrinë (adrenalinë), e administruar përmes injektorëve automatikë si EpiPen, si dhe me kujdes urgjent mjekësor.

“Këto janë ende të dhëna të hershme nga studime te kafshët, por nëse do të mund të krijohej një ilaç që e frenon në mënyrë specifike USP5, atëherë potenciali është real. Sfida më e madhe do të jetë se si ta dërgosh te qeliza e duhur dhe të mos ndikojë te enzima të tjera apo procese të panevojshme. Është një rrugë e gjatë deri tek përdorimi klinik,” – përfundon ajo.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.



Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0