Strategjia për forcimin e së drejtës së autorit dhe pronësisë intelektuale në Shqipëri kërkon rreth 600 milionë lek për katër vitet e ardhshme. Shifra del në draftin e publikuar për konsultim nga ana e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.
Më shumë se gjysma e kësaj shifre, rreth 330 milionë lek parashikohen për rritjen e ndërgjegjësimit të publikut lidhur me të drejtat e pronësisë intelektuale përmes fushatave informuese të përqendruara te të rinjtë, aktiviteteve promovuese dhe hartim i moduleve për nxënësit e studentët.
160 milionë të tjera parashikohen shpenzime për zhvillimin dhe forcimin e institucioneve të përfshira në zbatimin e të drejtave të pronësisë intelektuale, përmes trajnimeve, rritjes së cilësisë së shërbimeve nga administrata dhe forcimi i kapaciteteve të saj. Pjesa e mbetur e parave kërkohet për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe përafrimin e tij me BE dhe identifikimin e treguesve gjeografikë dhe emërtimeve të origjinës në zhvillimin ekonomik të vendit.
Ministria e Financave thotë se vlerësimi i kostove të nevojshme për zbatimin e kësaj strategjie deri në vitin 2025 është bërë në bazë të objektivave të parashikuara në planin e veprimit. Në këtë përllogaritje janë marrë parasysh programet buxhetore. Përllogaritja e kostos për pjesën më të madhe të objektivave është bërë duke pasur parasysh numrin e punonjësve që do të merren me aktivitetin, pagat e tyre dhe koha e realizimit të objektivave.
Burimet financiare bazohen pothuajse plotësisht te buxheti i shtetit, që do të mbulojë 467 milionë lekë, ndërsa hendeku prej 133 milionë lekësh parashikohet të mbushet nga donatorët, apo financime të huaja. Në dokument thuhet se struktura e ekonomisë që bazohet te shërbimet e bën edhe më të domosdoshme të drejtën e pronësisë intelektuale.
Strategjia vendos si objektiv që brenda vitit të ardhshëm të hartohet një reformë ligjore në fushën e pronësisë industriale dhe miratimi i ligjeve të veçanta organike për çdo objekt të pronësisë industriale, patentat dhe modelet e përdorimit, disenjot industriale, markat tregtare e të tjera.
Brenda vitit 2023 synohet aderimi me Ligj në Traktatin e Singaporit të Ligjit të Markave Tregtare. Viti 2023 vendoset si afat për hartimin dhe miratimin e projektvendimit për ngritjen e sistemit anti plagjiaturë të doktoratave, ndërsa deri në 2025 synohet lehtësimi i procedurave për regjistrim të së drejtës se autorit me qëllim që autorët e veprave te kryejnë regjistrimin e veprave të tyre online.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto