Dyzetë rekomandime për të nxitur investimet e huaja - Business Magazine Albania

Dyzetë rekomandime për të nxitur investimet e huaja

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka hartuar 40 rekomandime drejtuar qeverisë sonë për përthithjen e investimeve të huaja dhe përmirësimin e klimës së biznesit. Ekonomia shqiptare ka nevojë që të rimarrë veten pas goditjes që i dha pandemia, por kjo nuk është shumë e lehtë duke marrë parasysh se bizneset janë dëmtuar tepër dhe pandemia ende nuk është zhdukur plotësisht.

Kështu, pas vrojtimeve të bëra në terren për 10 muajt e fundit, AmCham publikoi agjendën e investimeve, ku i rekomandon qeverisë sonë hapat që duhet të ndjekë për të pasur rritje sa më të shpejtë.  Një nga rekomandimet kryesore kërkon që, të eliminohen të gjitha procedurat burokratike, të cilat pengojnë nxitjen e investimeve të huaja. Një tjetër rekomandim kërkon që, qeveria të jetë më transparente me projekte në lidhje me biznese, për të shmangur kështu hapësirat për korrupsion. “Rekomandohet rritja e transparencës në çdo projekt të qeverisë. Qëllimi është të rritet vendosja e platformave transparente nga qeveria tek biznesi, për të tërhequr më shumë investitorë që besojnë dhe minimizuar rrezikun nga korrupsioni”, përcakton një nga rekomandimet. Gjithashtu, rekomandohet ristrukturimi i sistemit fiskal për të stimuluar ekonominë formale. Pasi, sipas AmCham, ekonomia e Shqipërisë vazhdon të ketë një nivel të lartë të informalitetit, sidomos në sektorin e bujqësisë, por edhe në shumë sektorë të tjerë.

Monitorimi i koncesioneve

Një tjetër rekomandim i rëndësishëm është rreth monitorimit të koncesioneve. AmCham shprehte se, duhen përforcuar kontrollet në hartimin dhe lidhjen e kontratave për tenderët dhe PPP. Për këtë pikë rekomandohet që, çdo kontratë duhet të lidhet në bazë të direktivave europiane për çështjet e koncesioneve. “Është nevojë urgjente forcimi i transparencës dhe i kontrollit të detajuar në procedurat e kontratave për prokurimet publike. Duhen hartuar rregullat brenda kornizave ligjore të BE. Konkretisht, duhen respektuar standardet europiane sipas OCDS, dhe kompanitë e përfshira duhet të raportojnë mbi çdo të dhënë të kontratës të nënshkruar; të rritet konkurrenca e ndershme gjithashtu sipas standardeve europiane”, rekomandon AmCham.

Kontroll i shtuar për entet publike

Sipas AmCham, në përmirësimin e klimës së biznesit dhe përthithjen e investimeve ndikon shumë dhe mënyra se si përdoren fondet publike. Për këtë arsye rekomandohet që, tani e në vijim të kontrollohen më shumë institucionet që shpërdorojnë pa kriter dhe në projektet pa rëndësi fondet publike. Madje, rekomandohet që të mos lëshohen më fonde për raste përjashtimore. “Duhet të përcaktoni kushte të cilat zvogëlojnë përdorimin “me përjashtim të e veçantë”, të fondeve publike. Përdorimi i fondeve të mëdha për projekte jo të rëndësishme dhe jo transparente dëmton shumë tregun. Aktualisht disa lloje të fondeve publike anashkalojnë totalisht standardet europiane me justifikimin se përdoren në interes të publikut dhe kjo nuk duhet toleruar më”, theksohet në dokument. Në këto kushte, rekomandohet që qeveria të hartojë sa më parë një legjislacion të përforcuar, i cili do të rrisë kontrollin ndaj institucioneve publike dhe do t’i vërë ato para përgjegjësisë për shkeljet dhe abuzimet që bëjnë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0