Duolingo, platforma më e madhe në botë për të mësuar gjuhë online, ka njoftuar një ndryshim të thellë në mënyrën e funksionimit të saj, duke e shpallur veten një kompani “AI-first” , e orientuar kryesisht nga inteligjenca artificiale. Ky tranzicion përfshin zëvendësimin gradual të punonjësve kontraktorë me sisteme të automatizuara të AI-së që mund të kryejnë të njëjtat detyra.
Në një email të brendshëm që u bë publik në LinkedIn nga bashkëthemeluesi dhe CEO i Duolingo, Luis von Ahn, thuhet se “të jesh AI-first do të thotë të rishikosh rrënjësisht mënyrën se si funksionon kompania. Modifikimet e vogla në sisteme të dizajnuara për njerëz nuk mjaftojnë më.”
Nga njerëzit tek algoritmet: fundi i punës rutinë
Sipas von Ahn, kompania nuk ka për qëllim të zëvendësojë punonjësit ekzistues (“Duos”) me AI, por të eliminojë pengesat dhe të çlirojë kohë për punë më kreative dhe me vlerë të shtuar. Ndër risitë që do të shoqërojnë këtë ndryshim janë:
-Ndalimi gradual i përdorimit të kontraktorëve për detyra që mund t’i kryejë AI
-Përdorimi i AI-së si kriter në rekrutime dhe vlerësime të performancës
-Rritje e automatizimit për të kufizuar nevojën për shtim stafi
-Iniciativa të reja për çdo funksion për të transformuar mënyrën e punës
Lexo edhe: Rreziku i ri në rekrutim, kandidatë të sajuar nga AI po pushtojnë intervistat
AI si motor i rritjes dhe inovacionit
Von Ahn argumenton se AI nuk është vetëm një rritje produktiviteti, por një mënyrë për t’u afruar më shumë me misionin e Duolingo: ofrimi i mësimit cilësor për të gjithë. “Për të mësuar mirë, na duhet të prodhojmë një sasi të madhe përmbajtjeje. Pa AI, do të na duheshin dekada për ta shkallëzuar këtë proces,” shkruan ai.
Kompania ka filluar të zëvendësojë proceset e ngadalta dhe manuale të krijimit të përmbajtjes me AI, si dhe ka zhvilluar veçori të reja si mësimi përmes video-thirrjeve, diçka që më parë ishte e pamundur.
Shembull i ndjekur edhe nga Shopify
Ky vendim pason një tendencë më të gjerë në industrinë teknologjike. CEO i Shopify, Tobi Lütke, kohët e fundit i kërkoi ekipeve të tij që, përpara se të kërkojnë më shumë staf apo burime, të provojnë se AI nuk mund ta bëjë punën që kërkojnë.
Von Ahn e përmbyll mesazhin e tij me një paralajmërim dhe optimizëm: “Ndryshimi mund të jetë i frikshëm, por jam i bindur se ky do të jetë një hap i madh përpara për Duolingo.”
Ky hap i Duolingo ka potencial të tronditë modelin tradicional të punës në sektorin e teknologjisë dhe edukimit online, duke e vënë theksin tek roli gjithnjë e më dominues i AI-së. Pyetja që ngrihet tani është: Sa kompani të tjera do të ndjekin këtë rrugë?
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto