Philip Gilpin, CEO i Catalyst, sjell mbi 20 vite përvojë në industrinë globale të filmit dhe televizionit në Tiranë. Me misionin për ta kthyer Shqipërinë në një qendër të prodhimeve ndërkombëtare filmike, Catalyst ofron programe të plota trajnimi, përvojë praktike në vendin e xhirimeve dhe mundësi zhvillimi karriere për skenaristët lokalë.
Mund të na tregoni pak për veten tuaj—sfondin tuaj profesinal dhe çfarë ju solli në Tiranë?
Kam lindur në Boston, Massachusetts dhe rrugëtimi im krijues nisi herët me teatër dhe realizimin e filmave të vegjël në VHS në shtëpi. Kam përfunduar studimet në Fizikë dhe Matematikë në Boston College, por pasioni im për tregimin e historive më çoi në Los Angeles. Atje punova si analist në çështjet e biznesit në HBO, duke u përfshirë në seriale të njohura si The Sopranos, Sex and the City dhe The Wire. Kam shërbyer gjithashtu në bordin e Guvernatorëve të Degës Upper Midwest të Akademisë Kombëtare të Arteve dhe Shkencave të Televizionit. U bëra CEO i Catalyst në vitin 2013 dhe vizitova për herë të parë Tiranën në 2023. Duke eksploruar skenën lokale të filmit dhe artit, kuptova se Shqipëria ka të gjitha elementet për t’u bërë një qendër globale e filmit. Që atëherë, kemi fokusuar resurset e Catalyst për ta bërë këtë vizion realitet.
Çfarë është Catalyst dhe çfarë përfaqëson?
Catalyst bazohet mbi idenë se tregimi i historive është monedha jonë globale kulturore; na lidh, na frymëzon dhe formëson botën rreth nesh. Të punosh në televizion dhe film mund të jetë emocionues, por të krijosh një karrierë të qëndrueshme është sfidues. Nuk ekziston një rrugë e vetme drejt suksesit; çdo udhëtim është unik.
Ne ofrojmë një platformë ku regjisorët, shkrimtarët, aktorët dhe të gjithë krijuesit mund të zhvillojnë aftësitë artistike dhe teknike, të ndërtojnë rrjete të besueshme dhe të avancojnë karrierën e tyre. Pjesëmarrësit e Catalyst kanë gjetur punë, kanë nënshkruar kontrata me agjentë, kanë shitur projekte dhe kanë ndërtuar karriera të qëndrueshme. Më e rëndësishmja, qasja jonë u mundëson artistëve të punojnë nga çdo vend, jo vetëm në Los Angeles ose New York.
Çfarë metodash përdor Catalyst dhe çfarë sjell të re në industrinë filmike në Shqipëri?
Programet tona janë të dizajnuara për të mbështetur ciklin e plotë të ndërtimit të një karriere afatgjatë në film. Programi Storieroad udhëheq pjesëmarrësit përmes workshop-eve, seminareve, festivaleve dhe ngjarjeve që fokusohen në: mirëqenie, strehim, menaxhim të kohës, frymëzim, arsim, financim, prodhim dhe distribuim.
Përmes Catalyst, krijuesit mund të prezantojnë punën e tyre, të zhvillojnë aftësi dhe të zgjerojnë rrjetet profesionale. Ne ofrojmë një pikënisje të sigurt dhe një udhërrëfyes të besueshëm gjatë gjithë rrugëtimit në industrinë e filmit.
Si janë të strukturuara kurset tuaja?
Një set filmik i madh ka mbi 180 lloje punësh, secila me aftësi specifike. Trajnerët tanë janë profesionistë të nivelit më të lartë nga industria globale e filmit. Catalyst Tirana ofron trajnime për të gjitha rolet: aktrim, regjizurë, shkrim, kinematografi, produksion, departamentet artistike, operim kamerash, flokë dhe make-up, ndriçim, post-produksion, zë, efektet speciale, skenografia, dekorimi, transport dhe shumë të tjera. Disa aftësi mësohen në një hark kohor javësh, të tjera kërkojnë vite, por çdo pjesëmarrës merr udhëzime profesionale.
Kush është i përshtatshëm për Catalyst dhe si duket rrugëtimi i tyre?
Catalyst është i hapur për të gjithë, nga mosha 7 vjeç e lart, pa marrë parasysh përvojën. Programi ynë ndjek katër faza:
-
Prezantimi dhe bazat
-
Kuptimi i mënyrës se si funksionon një set filmik
-
Trajnim i drejtpërdrejtë në rolin e zgjedhur
-
Trajnim profesional në vendin e xhirimeve në një mjedis filmik live
Pjesëmarrësit dalin me njohuri teknike dhe përvojë reale, të përgatitur për të hyrë në industrinë globale të filmit.
Si e shihni industrinë e filmit në Shqipëri dhe cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Ne e shohim Shqipërinë potencialisht si “Hollywood-i i Europës”. Prodhimet globale filmike dhe televizive shpenzojnë mbi 1 miliard dollarë në javë në mbarë botën. Qëllimi ynë është të zhvillojmë infrastrukturën që lejon prodhime ndërkombëtare të xhirojnë këtu, duke trajnuar të paktën 400 shqiptarë lokalë në të gjitha profesionet e filmit. Kjo siguron që talenti vendas të përfitojë nga investimet e reja që vijnë.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto