Dr. Matina Çobo flet për piramidën e re të ushqimit/ Çfarë duhet... - Business Magazine Albania

Dr. Matina Çobo flet për piramidën e re të ushqimit/ Çfarë duhet të marrë Shqipëria dhe çfarë jo

Udhëzimet e reja ushqimore të publikuara nga administrata Trump për periudhën 2025–2030 kanë rikthyer në vëmendje piramidën ushqimore, këtë herë në një version të “përmbysur”, me theks te proteina, yndyrnat e shëndetshme dhe ushqimi i papërpunuar. Ndryshimi ka ndezur debat në SHBA dhe Europë, por edhe në Shqipëri po ngre pyetje, a është ky model i përshtatshëm për realitetin tonë?

Sipas dokumenteve zyrtare të Departamentit Amerikan të Bujqësisë (USDA) dhe Departamentit të Shëndetësisë (HHS), modeli i ri synon të largojë qytetarët nga ushqimet ultra-të përpunuara dhe sheqeri i shtuar, duke promovuar atë që quhet “Real Food”, ushqim i vërtetë, i freskët dhe sa më pak industrial.

Por ndërsa në SHBA kjo qasje po promovohet si një reformë e madhe ushqimore, ekspertët shqiptarë këshillojnë kujdes në adoptimin e saj pa filtër.

Dr. Matina Çobo: “Të mësojmë nga modelet e tjera, por të ndërtojmë një zgjidhje tonën”

Nutricionistja Dr. Matina Çobo nga FitFood shprehet se, ndonëse piramida e re ka elemente pozitive, Shqipëria nuk duhet ta kopjojë verbërisht modelin amerikan:

“Pajtohem me ndryshimet e piramidës së re të ‘përmbysur’ edhe për faktin se ka ngjashmëri me modelin e dietës mesdhetare, të cilën ne në Shqipëri e kemi si pjesë të traditës sonë ushqimore. Kjo e bën atë interesante dhe në disa drejtime të përshtatshme me stilin tonë të të ushqyerit. Megjithatë, Shqipëria nuk duhet ta marrë si model të gatshëm piramidën e propozuar nga administrata Trump. Ajo mund të shërbejë si burim frymëzimi, por jo si skemë për t’u kopjuar drejtpërdrejt. Dieta mesdhetare që ne tashmë praktikojmë është një pasuri shëndetësore dhe kulturore që duhet ruajtur dhe forcuar. Shqipëria do të përfitonte më shumë duke ndërtuar një model të vetin, të bazuar në shkencë, traditë dhe realitetin e jetës së përditshme të qytetarëve. Në këtë model duhet të merren parasysh edhe mundësitë ekonomike dhe aksesi në ushqime për familjet shqiptare. Në përfundim, qasja më e mirë do të ishte: të mësojmë nga modelet e tjera, por të ndërtojmë një zgjidhje tonën.”

Çfarë ndryshon konkretisht në piramidën e re amerikane?

Modeli i ri ndryshon ndjeshëm nga piramida klasike:

-Proteina në çdo vakt , mish, peshk, vezë, bishtajore dhe produkte qumështi vendosen në qendër të dietës

-Yndyrna të shëndetshme, vaj ulliri, avokado, arra dhe fara rekomandohen si pjesë e përditshme

-Më pak drithëra, sidomos të rafinuarat

-Sheqeri i shtuar pothuajse i ndaluar, rekomandohet minimum absolut

-Fokus te ushqimi i papërpunuar dhe reduktimi i produkteve industriale

Administrata Trump e paraqet këtë si një përgjigje ndaj rritjes së obezitetit dhe sëmundjeve metabolike në SHBA.

Pse po ngjall kaq shumë debate?

Ndërkohë që përkrahësit e shohin modelin si një kthesë drejt ushqimit natyral, kritikët ngrenë disa shqetësime:

-Rreziku i uljes së konsumit të fibrave

-Rritja e konsumit të mishit dhe ndikimi mjedisor

-Paqartësi mbi rolin e yndyrnave të ngopura

-Dyshime për ndikim të industrisë ushqimore në hartimin e udhëzimeve

Çfarë pritet të ndodhë në Shqipëri?

Ekspertët shqiptarë janë të mendimit se vendi ynë ka një avantazh natyror, dietën mesdhetare, e cila përfshin perime, fruta, vaj ulliri, peshk dhe produkte sezonale.

Sipas specialistëve, sfida reale nuk është ndryshimi i modelit ushqimor, por rikthimi te zakonet tradicionale dhe ulja e konsumit të ushqimeve të shpejta dhe të përpunuara.

Piramida e re ushqimore amerikane po hap një debat global mbi mënyrën se si duhet të ushqehemi në të ardhmen. Por siç thekson edhe Dr. Matina Çobo, Shqipëria nuk ka nevojë të importojë modele të gatshme, ajo ka mundësinë të ndërtojë një qasje të vetën, të balancuar mes shkencës moderne dhe traditës mesdhetare.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0