Dita Ndërkombëtare e Inovacionit: A po e ndjek Shqipëria ritmin e botës? - Business Magazine Albania

Dita Ndërkombëtare e Inovacionit: A po e ndjek Shqipëria ritmin e botës?

Nga Fatima Gorezi –  21 Prilli celebrohet në të mbarë botën si Dita Ndërkombëtare e Kreativitetit dhe Inovacionit. Më 1 maj 2017, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara publikoi Rezolutën 71/284, duke njohur faktin se qytetarë dhe organizata në mbarë botën kishin filluar të festonin një ditë të dedikuar për Krijimtarinë që prej vitit 2002. Dita Botërore e Krijimtarisë (WCD) është një komunitet global me një qëllim të përbashkët, themeluar nga psikologu dhe sipërmarrësi social Lucas Foster, me synimin për të zbatuar Rezolutën 71/284 të miratuar nga Asambleja e Përgjithshme më 27 prill 2017.

Lucas Foster nisi të festonte krijimtarinë me një ngjarje të quajtur Dita Botërore e Krijimtarisë më 17 nëntor 2014, në São Paulo, Brazil. Në vitin 2018, kjo ditë arriti të angazhonte 6,000 njerëz në 14 qytete nga veriu në jug të vendit, me mbi 360 orë përmbajtje

Në vitin 2019, Dita Botërore e Krijimtarisë, e krijuar nga Foster, u mbajt në 50 qytete në Brazil, si dhe në Portugali, Gjermani etj.

Çfarë është krijimtaria?

Sipas Kombeve të Bashkuara nuk ka një përkufizim të vetëm për termin. Ajo mund të shfaqet në formën e një tabloje, një performance artistike, por edhe në zgjidhjen kreative të problemeve në sferën ekonomike, sociale dhe mjedisore. Pikërisht për këtë arsye, Kombet e Bashkuara kanë shpallur 21 Prillin si Dita Botërore e Krijimtarisë dhe Inovacionit, me synimin për të rritur ndërgjegjësimin mbi rolin kyç që luajnë këto dy vlera në zhvillimin e gjithanshëm të shoqërisë njerëzore.

Në thelb, krijimtaria tregon kush jemi dhe çfarë vlerësojmë. Ajo ndërton ura mes kulturave, nxit zhvillim social e ekonomik dhe hap horizonte të reja për individët dhe komunitetet. UNESCO, përmes Konventës së vitit 2005, vijon të mbështesë vendet në forcimin e industrive kreative dhe mbrojtjen e lirisë artistike.

Shqipëria dhe ekonomia kreative
Edhe pse termi “ekonomi kreative” mbetet i gjerë dhe në zhvillim, ai përfshin të gjitha veprimtaritë që burojnë nga ide origjinale, pronë intelektuale, teknologji dhe dije. Në këtë kategori përfshihen sektorë si: dizajni, kinemaja, arti pamor, botimi, mediat e reja dhe performancat skenike , sektorë që kanë potencial të jashtëzakonshëm për të gjeneruar të ardhura, vende pune dhe eksporte.

Në një vend si Shqipëria, ku të rinjtë përballen shpesh me mungesën e mundësive dhe emigracioni vazhdon të jetë një hemoragji kombëtare, zhvillimi i industrive kreative mund të ofrojë një alternativë konkrete dhe të qëndrueshme. Të rinjtë shqiptarë kanë dëshmuar se kanë talent, ide dhe guxim, ata duan veç një sistem që i mbështet dhe orienton drejt ndërmarrjes së iniciativave.

Sipas të dhënave të fundit të UNESCO-s dhe Raportit Global të Inovacionit nga WIPO (World Intellectual Property Organization), Shqipëria renditet ende në pozicione të ulëta krahasuar me vendet e rajonit. Në indeksin global të inovacionit për vitin 2023, Shqipëria u rendit në vendin e 83 nga 132 vende, një pozicion që tregon se ndonëse ka përpjekje në drejtim të zhvillimit teknologjik dhe kreativ, këto nuk janë të mjaftueshme për të krijuar një ekosistem të qëndrueshëm inovativ.

Lexo edhe: ​Shqiptari Fabian Kamberi shkruan historinë​, pjesë e Forbes ’30 Under 30′

Inovacioni, një nevojë e pashmangshme 
Dita Botërore e Krijimtarisë dhe Inovacionit është një thirrje për të gjithë: inovacioni nuk është luks, por domosdoshmëri. Ai është çelësi për të përmbushur Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs),nga zhdukja e varfërisë, te sigurimi i ushqimit dhe punësimit për të gjithë.

Në Shqipëri, ku sfidat sociale janë reale dhe të përditshme, inovacioni mund të jetë ura mes potencialit dhe realitetit. Mjafton të përmendim start-up-et e reja që kanë nisur të marrin hov vitet e fundit, iniciativat e gjelbërta që synojnë të ulin ndotjen apo projektet që nxisin teknologjinë në edukim.

Politika të reja për një epokë të re
Sipas raportit të UNESCO-s “Re|Shaping Policies for Creativity” (2022), krijimtaria dhe kultura përbëjnë 3.1% të PBB-së globale dhe 6.2% të punësimit. Por pavarësisht këtij ndikimi domethënës, sektori vazhdon të jetë i nënvlerësuar dhe shpesh i pambrojtur nga politikat publike.

Edhe në Shqipëri, krijimtaria dhe kultura rrallë herë trajtohen si motorrë ekonomikë. Ato shihen më shumë si pasion sesa profesion. Por nëse dëshirojmë një zhvillim të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës, është koha të mendojmë ndryshe: arti dhe inovacioni janë gjithashtu ekonomi dhe një kontribut i rëndësishëm në të ardhmen dhe ekzistencën e kombit.

Drejt një të ardhmeje të gjelbër
Agjenda 2030 dhe 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm nuk mund të realizohen pa krijimtari e inovacion. Teknologjitë e gjelbra, të cilat prodhojnë mallra e shërbime me ndikim më të vogël në mjedis, janë në rritje. Por shumë vende në zhvillim, përfshirë Shqipërinë, rrezikojnë të mbeten pas nëse nuk ndërmarrin hapa të guximshëm.

Raporti i fundit i UNCTAD (2023) kërkon që qeveritë të harmonizojnë politikat mjedisore me ato të inovacionit dhe industrisë, një thirrje që vlen edhe për institucionet shqiptare, që duhet të shohin më tej se ciklet zgjedhore dhe të ndërtojnë politika afatgjata që investojnë në pasuri shpirtërore të vendit.

Inovacioni nuk është vetëm teknologji
Në Shqipëri, shpesh inovacioni ngatërrohet vetëm me krijimin e aplikacioneve apo teknologjive të reja. Por inovacioni është shumë më shumë se kaq. Ai është mënyra si ne i zgjidhim problemet tona të përditshme, që nga bujqësia inteligjente, te menaxhimi i mbetjeve, nga turizmi i qëndrueshëm te edukimi përmes realitetit virtual. Dhe në këto fusha, Shqipëria ka plot sfida për të adresuar me ide të reja.

Shqipëria, përkundër mundësive të mëdha që ka në fusha të ndryshme, nuk mund të konkurrojë me vendet më të mëdha në aspektin e tregjeve të gjera. Megjithatë, ajo ka një avantazh të rëndësishëm: idetë. Por për ta shfrytëzuar këtë mundësi, është e nevojshme një ndryshim i thellë në mënyrën se si konceptohet zhvillimi ekonomik. Krijimtaria, sipërmarrja dhe inovacioni duhet të jenë në qendër të politikave shtetërore. Pa këtë orientim, do të vazhdojmë të humbasim breza të rinjsh, të cilët do të kërkojnë mundësi për t’i realizuar ëndrrat e tyre jashtë kufijve të Shqipërisë.

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.

Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.

Must watch
Business Mag Nr. #37 - Prill 2025

Mendo lokalisht, vepro globalisht

Viti 2025 vjen me sfida dhe mundësi të mëdha në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Turizmi shqiptar po përjeton një rritje të jashtëzakonshme, ku duket se pas një prezantimi mbresëlënës në ITB Berlin, Shqipëria është gati të pozicionohet si një destinacion i rëndësishëm në hartën botërore me një ofertë të larmishme turistike. Paralelisht, tregu i pasurive të paluajtshme po përballet me ndyshime të shumta, ku investimet strategjike dhe zhvillimi i qëndrueshëm janë kyç për suksesin e këtij sektori.
Teknologjia vazhdon të transformojë mënyrën se si jetojmë dhe punojmë. Inteligjenca Artificiale nuk është më thjesht një mjet ndihmës, por një faktor vendimtar që po shkruan rregulla të reja në çdo industri.

Bota përballë sfidës së krijimit të një axhende më humane për Inteligjencën Artificiale – si mund ta vendosim atë në shërbim të njeriut, pa e shndërruar në një rrezik për demokracinë dhe ekonominë globale? Ndërsa jetojmë në një botë që ndryshon vazhdimisht, shohim sesi Fintech është një realitet i padiskutueshëm që po lehtëson ditë pas dite jetën dhe veprimtarinë e bizneseve dhe individëve. Ajo që konfirmojmë me siguri në këtë edicion është sesi bizneset shqiptare po përqafojnë gjithnjë e më shumë një qasje europiane në menaxhim, kulturë, lidership dhe investime, duke u nxitur drejt inovacionit dhe …

Shiko më shumë
Na ndiqni në rrjetet sociale
0