Në kuadër të aktiviteteve të zhvilluara nga ofruesit e shërbimeve dhe produkteve të mikrofinancës në gjithë Europën, të emëruara nën një fushatë të quajtur Dita Europiane e Mikrofinancës, e cila organizohet nga Rrjeti Europian për Mikrofinancën (www.european-microfinance.org) dhe Qendra për Mikrofinancën (mfc.org.pl), dhe mbahet për herë të tretë në Shqipëri, Shoqata Mikrofinanca Shqiptare organizoi në datën 25 tetor 2021 një forum të nivelit të lartë për të promovuar përpjekjet e institucioneve të mikrofinancës për të mbështetur mikrondërmarrjet dhe biznesin e vogël në kushtet e pandemisë, si dhe për të hedhur dritë mbi strategjitë e sektorit të mikrofinancës në vijimësi në drejtim të partneritetit me bizneset shqiptare.
Të ftuar në këtë event ishin përfaqësues të lartë nga Qeveria, rregullatorët, institucionet financiare ndërkombëtare, përfaqësues të komunitetit të Biznesit, Shoqata e Bankave, institucionet financiare jo-bankare e dashamirës të aktivitetit të mikrofinancës, të cilët kanë ofruar mbështetje për sektorin në vijimësi.
Forumi u përshëndet në hapje nga Presidentja e Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare, zj. Arlinda Muja, e cila pasi nënvizoi rëndësinë e sektorit në mbështetje të segmenteve të tregut që ende nuk kanë përfshirjen e duhur financiare, paraqiti disa fakte dhe shifra që tregojnë që mikrofinanca ka qëndruar vazhdimisht pranë klientëve mikrondërmarrje dhe biznese të vogla jo vetëm në kushte të favorshme, por sidomos ne kushtet e vështira që u shkaktuan nga pandemia COVID-19 dhe kriza e lidhur me të. Ajo ftoi të gjithë aktorët e jetës së sotme ekonomike financiare të ndërveprojnë në mbështetje të zhvillimit të mikrondërmarrjeve dhe biznesit të vogël, të cilët janë shtylla e zhvillimit të ekonomisë shqiptare, duke njohur tashmë mikrofinancën në Shqipëri si një nga aktorët kyc në këtë zinxhir mbështetjeje.
Më pas fjalën e mori z. Deniz Dëralla, Drejtor i Departamentit të Mbikqyrjes në Bankën e Shqipërisë, i cili vlerësoi rolin e sektorit të mikrofinancës në mbështetje të segmenteve të tregut më të brishta dhe shprehu gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të vijuar komunikimin dhe bashkëpunimin në drejtim të rregullimit të mëtejshëm të kuadrit ligjor dhe rregullator, në të mirë të klientit fundor të mikrofinancës.
Zj. Ines Mucostepa, Kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, e cila e mori fjalën më pas, vlerësoi bashkëpunimin që është vendosur midis përfaqësuesve të sektorit të mikrofinancës dhe komunitetit të biznesit, i cili është reflektuar një sërë projektesh dhe aktivitetesh të përbashkëta. Ajo u shpreh se biznesi sot vijon të ketë nevojë për mbështetje dhe se cdo ndërveprim në të mirë të rritjes së aksesit në financime është e vlerësuar dhe i mirëpritur.
Në emër të Minsitrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, forumin e përshëndeti zj. Ana Petani nga Sekretariati i Këshillit Ekonomik Kombëtar, një entitet i krijuar për të forcuar dialogun midis qeverisë dhe sipërmarrjes private. Ajo nënvizoi disa nga nismat për të rigjallëruar veprimtarinë e këtij entiteti dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me sektorin për të përmbushur objektivat e institucionit në përkrahje të sipërmarrjes shqiptare.
Më pas forumi vijoi punimet me prezantimin e një Vëzhgimi të ndërmarrë nga Shoqata Mikrofinanca Shqiptare në lidhje me situatën e vështirë që biznesi i vogël dhe mikrondërmarrjet përjetuan gjatë pandemisë, si edhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen, një studim që do të publikohet i plotë dhe në faqen zyrtare të Shoqatës: www.ama.com.al
Pjesë e rëndësishme e punimeve të forumit ishte dhe paneli me temë: “Roli i mikrofinancës dhe partneritetet në mbeshtetje të rritjes së aksesit në financime për NVM-të”, ku ishin të ftuar përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Agjensia për Zhvillimin e Investimeve si edhe përfaqësues të sektorit të mikrofinancës. Te ftuarit u njohën me disa iniciativa për mbështetjen e mikrondërmarrjeve dhe bashkëpunime nga institucionet e sipërmendura. Gjithashtu, ata u njohën me inisiativat e insitucioneve financiare për të mbështetur këtë sektor, duke nënvizuar rolin kyc që mikrofinanca luan në financimin e mikrondërmarrjeve në vend.
Në pjesën e fundit të forumit, paneli me temë: “Mikrofinanca dhe inovacioni, a po bëjmë sa duhet?” trajtoi cështjen e inovacionit të parë me syrin e sipërmarrjes, si edhe të sektorit të mikrofinancës. Investimi në teknologjitë e reja si dhe në rritjen e standarteve të shërbimit ishin gjithashtu dy pika të forta të evidentuara si suksese gjatë periudhës që po lëmë pas. Megjithatë, u parashtrua nevoja për një bashkërendim të veprimeve dhe rritje të shkëmbimit të informacionit, për të mundësuar një transformim të plotë inovativ.
Diskutimet evidentuan gjithashtu ambicjet e sektorit si për shëmbull në planin ligjor dhe në përditësimin e ligjit për institucionet financiare jo-banka. Forumi shënoi një hap të rëndësishëm në drejtim të forcimit të dialogut të sektorit mikrofinanciar me qeverinë, institucionet financiare zhvillimore, aktorët e tregut si edhe me komunitetin e biznesit, duke u konsideruar në këtë mënyrë një event i suksesshëm nga partnerët dhe pjesëmarrësit.
Rreth Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare
Shoqata Mikrofinanca Shqiptare është një organizatë sektoriale e themeluar në vitin 2006, e cila bashkon institucionet financiare kredidhënëse më të rëndësishme në vend. Institucionet anëtare të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare janë kthyer në promotore të zhvillimit ekonomiko-social dhe në aktorë të edukimit financiar të sipërmarrjeve private, agro-biznesit dhe individëve. Anëtarët aktualë të Shoqatës Mikrofinanca Shqiptare janë Agro&Social Fund shpk, Agrokredit sh.a., AK-Invest sh.a., Crimson Finance Fund Albania shpk, Fondi Besa sh.a., Fed Invest SHKK, IuteCredit Albania sh.a., Kredo Finance shpk , NOA sha, UniFin SHKK.
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Kjo punë që e bëjmë me shumë dashuri nuk ka të paguar. Ne jemi platforma e vetme e cila promovon modelin pozitiv të sipërmarrjes së lirë. Përmes kësaj platforme mbështesim edukimin gjatë gjithë jetës si mjet për zhvillimin personal dhe profesional të brezave. Kontributi juaj do të na ndihmojë në vazhdimin e këtij misioni në gjithë trevat shqipfolëse.
Mund të kontribuoni KETU. Falemnderit.