Dita e Verës, festa e veçantë e shqiptarëve! - Business Magazine Albania

Dita e Verës, festa e veçantë e shqiptarëve!

14 Marsi është një ditë festive e veçantë në Shqipëri, e cila nuk festohet në asnjë vend tjetër të botës. Quhet “Dita e Verës” edhe pse festohet ardhja e stinës së Pranverës. Dita e Verës konsiderohej dita e fillimit të vitit sipas kalendarit të lashtë të shqiptarëve dhe kjo ditë kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishtërimi. Ajo festohej më 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, “14 mars”).

Ka qenë një festë mbarëshqiptare, që kremtohej si në Veri edhe në Jug, por me nuanca të ndryshme, sipas krahinave. Për këtë festë ka shkruar dhe Faik Konica duke e konfirmuar se fillimet e saj kanë qenë shumë të hershme.

Dita e Verës filloi të festohej masivisht në të gjithë Shqipërinë në dekadat e fundit, por rrënjët i ka në qytetin e Elbasanit, në qendrën e Shqipërisë. Jo vetëm rrënjët, por dhe gjithë traditat, gatimet dhe mënyra e festimit, janë ekskluzivitet i kësaj zone. Elbasani ka meritën se ka mbajtur gjallë për shekuj këtë festë dhe gjitha ritet e saj. Edhe në kohën e diktaturës, ku kjo festë pothuajse u shua në gjithë Shqipërinë, në Elbasan festohej si festa më e madhe e vitit, çdo 14 mars.

Kush kishte njerëz e të afërm në Elbasan, shkonte dhe festonte me ta. Festimet nisnin me vendosjen e verores në dorë, kryesisht me ngjyrat simbolike të pranverës, e kuqe dhe e bardhë. Pastaj, siç thoshin gjyshet, në mëngjes duhej të kapje një hekur të fortë, që të bëheshe e fortë gjatë gjithë vitit. Të haje një mollë të kuqe, vezë të ngjyrosur nga jashtë. Ndërkohë amvisat bënin gatimet qe nisnin me byrekun me hithra, ose barishte të tjera pranverore, gatime me mish, dhe ëmbëlsira që është mbretëresha e kësaj dite: Ballokumja, një recetë e pashkruar, por dhe e paimitueshme nga vende të tjera.

Legjenda e Ditës së Verës

Dita e Verës është një nga traditat më të vjetra të Elbasanit. Origjina e festës i ka gjurmët në tempullin e Zanës së Malit, të ndërtuar pranë lumit Shkumbin në Elbasan. Zana ishte perëndia e gjuetisë, pyjeve dhe natyrës dhe dilte vetëm në datën 14 Mars, e cila shënonte fillimin e Verës. Në atë kohë njiheshin vetëm dy stinë, dimri dhe vera. Kjo legjendë u kalua brezë pas brezi dhe festivali i Ditës së Verës është i njohur për traditën dhe vlerat e veçanta kulturore.

Simboli i kësaj feste është ballokumja, një ëmbëlsirë e bërë më miell misri. Për këtë ditë të veçantë, çdo familje ka recetën e saj të ruajtur ndër vite, të cilën e konsiderojnë si krenari. Dikur shkonin dhe festonin vetëm në Elbasan, ndërsa tani është bërë festë kombëtare, ku festohet në çdo qytet të Shqipërisë. Kjo festë është bërë e njohur edhe për turistët që vizitojnë Shqipërinë për këtë ditë të veçantë.

Tashmë edhe Tirana ka vite që organizon aktivitet të shumta për këtë ditë si: koncerte, panaire, lojëra dhe sigurisht karanavale. Ndërsa në jug kjo festë kremtohet më së shumti në Përmet, ku amvisat përmetare gatuajnë ushqime të mrekullueshme dhe i servirin në panairin në qendër të qytetit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0