Denaj prezanton skemat nxitëse për rritjen e punësimit - Business Magazine Albania

Denaj prezanton skemat nxitëse për rritjen e punësimit

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj në një takim që zhvilloi me përfaqësuesit e bizneseve, në Drejtorinë Rajonale të Punësimit dhe Aftësimit, u shpreh se Agjencia Kombëtare e Punësimit po aplikon 3 skema nxitëse për rritjen e punësimit.

“Janë tre skema të nxitjes së punësimit, të cilat stimulojnë me gati 50%, marrëdhënien kontraktuale të punës mes individit dhe punëdhënësit. Skema e parë dhe skema e dytë, përfshin personat që do të kthehen në tregun e punës, pasi janë larguar nga situata e mbylljes ekonomike. Gjithashtu, kemi një skemë të tretë, ku personat që janë informalë për 12 muaj, u paguhet dhe subvencionohet pjesa e sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore, si punëdhënësit, por edhe punëmarrësit”, u shpreh ministrja Denaj.

Këto tre skema nxitjeje menaxhohen nga zyrat e AKPA-s, e cila në mbështetje të punësimit, ka përfshirë gjithashtu edhe arsimin profesional, ku në qarkun e Vlorës janë dy shkolla; “Shkolla Tregtare” dhe “Pavarësia”.

Sipas ministres, janë tre elemente të rëndësishme që i vijnë në ndihmë biznesit të vogël.

“Tatim fitim 0, rritja e pragut të TVSH-së dhe skemat e nxitjes së punësimit. Këto janë pjesë e rimëkëmbjes ekonomike, ku për biznesin e vogël dhe qytetin e Vlorës impakti do të jetë absolutisht i madh”, theksoi Denaj.

Programet e nxitjes së punësimit janë hartuar si pjesë e paketave mbështetëse të qeverisë për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia. Qëllimi i tyre është ri-integrimi i shpejtë në tregun e punës i punëkërkuesve, që kanë dalë të papunë si pasojë e COVID 19, duke shmangur mbështetjet e tyre përmes skemave pasive të mbështetjes, siç është pagesa e papunësisë apo ndihma ekonomike. Gjithashtu, nëpërmjet financimit të pagës dhe kontributeve të detyrueshme shoqërore, programet nxitin krijimin e vendeve të punës dhe mbështesin kompanitë në procesin e rimëkëmbjes.

Programet e punësimit parashikojnë punësim në periudha 4, 8 ose 12-mujore, në përshtatje me profilin dhe nevojat e punëkërkuesit sipas vendit të lirë të punës. Ndërkohë punëdhënësit do ti ofrohet subvencionim në varësi të periudhës së punësimit të stafit për:

Programi i punësimit 4-mujor:

Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 2 (dy) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuar në muajin e parë, dhe të katërt të kontratës;

Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuar çdo muaj.

Programi i punësimit 8-mujor:

Financimin e pagës në shumën 100% të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuar sipas legjislacionit në fuqi, për 4 (katër) muaj për të gjithë pjesëmarrësit në program, të kompensuar në muajin e parë, të dytë, të shtatë dhe të tetë të kontratës;

Kontributet e detyrueshme shoqërore dhe shëndetësore (pjesë e kontributit të punëdhënësit), të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së punësimit, të kompensuar çdo muaj.

Programi e punësimit 12-mujor:

Subvencionim i kostove te financimit të sigurimeve të detyrueshme (kontribut i punëdhënësit dhe punëmarrësit) në masën 100 (njëqind) %, të llogaritura në bazë të pagës minimale në shkallë vendi, të përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi, të ofruara gjatë të gjithë kohëzgjatjes së programit, të kompensuar çdo muaj.

Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive është institucioni përgjegjës për regjistrimin e punëdhënësve të interesuar dhe ndjek procedurat për përfitimet nga këto programe të punësimit.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0