Nga Eni Muça- Sot, më 3 mars 2026, në Piramidën e Tiranës u zhvillua Digital Loop Accelerator (DLA) Demo Day, eventi përmbyllës i një programi katërmujor që ka mbështetur startup-et shqiptare në fushën e ekonomisë qarkulluese. Aktiviteti, i cili u mbajt nga ora 10:00 deri në 14:00, mblodhi bashkë sipërmarrës, mentorë, partnerë, përfaqësues institucionesh dhe aktorë të ekosistemit të inovacionit, duke krijuar një hapësirë për prezantim, reflektim dhe vizion për të ardhmen.
Eventi u hap me fjalën përshëndetëse të z. Kushtrim Shala, Drejtor Ekzekutiv i ALBICT, i cili theksoi rëndësinë e mbështetjes së ideve inovative që kontribuojnë në një ekonomi më të qëndrueshme dhe më miqësore me mjedisin. Më pas, z. Marcel Thomkins, Component Manager i EU4CELC, vuri theksin te roli i bashkëpunimit dhe mbështetja e Bashkimit Evropian në zhvillimin e ekonomisë qarkore në Shqipëri. Udhëtimi i programit gjatë katër muajve të fundit u prezantua nga z. Vikas Malhotra, Project Head i DLA. Ai ndau me të pranishmit progresin e ekipeve, punën intensive me mentorë dhe mënyrën se si idetë fillestare u zhvilluan në modele konkrete biznesi.
Pjesa kryesore e ditës ishte prezantimi i startup-eve pjesëmarrëse. Secili ekip pati 5 minuta për të prezantuar idenë e tij dhe 7 minuta për t’iu përgjigjur pyetjeve të jurisë.
Sesioni i parë
Në sesionin e parë prezantuan:
Tritech – që synon të reduktojë mbetjet elektronike përmes testimit dhe shitjes online të laptopëve të përdorur.
Taste, Don’t Waste – që ndihmon bizneset HoReCa të shesin produkte pranë afatit të skadencës me çmime të ulëta, duke reduktuar mbetjet ushqimore.
Stoa – platformë online për shitjen e veshjeve second-hand, që promovon ripërdorimin dhe modën e qëndrueshme.
Sesioni i dytë
Në sesionin e dytë prezantuan:
Daily Meals – që ofron vakte të pashitura me çmime të reduktuara për konsumatorët.
Vish Unik – që riciklon dhe transformon mbetjet tekstile në produkte të reja për tregun.
Market Box – që shet produkte pranë skadencës nga supermarketet me çmime më të ulëta.
Startup-et prezantuan përpara një jurie të përbërë nga përfaqësues të GIZ, sektorit privat dhe ekosistemit të startup-eve, të cilët vlerësuan potencialin e tyre për ndikim ekonomik dhe mjedisor.
Gjatë kohës që juria po diskutonte rezultatet, u zhvillua një panel me temë “Albanian Startups: Go Global From Day 1”. Diskutimi u fokusua në rëndësinë e të menduarit global që në fillim të rrugëtimit të një startup-i, duke inkurajuar sipërmarrësit të kenë ambicie ndërkombëtare, modele të shkallëzueshme dhe vizion përtej tregut lokal.
Lexo edhe:AIatWork, ekosistemi i parë europian i të mësuarit të AI hap aksesin për tregun shqiptar
Çmimi i Parë: Tritech
Tritech është një marketplace me fokus në ekonominë qarkulluese, që po transformon mënyrën si blihen dhe shiten pajisjet elektronike në Shqipëri dhe Kosovë. Si platforma e parë e dedikuar online në Shqipëri për elektronikë të përdorur, Tritech ofron lista të verifikuara, dërgesë derë më derë, pagesa të sigurta dhe politika kthimi, duke e bërë teknologjinë e dorës së dytë të sigurt, të aksesueshme dhe të besueshme.
Çmimi i Dytë: Stoa
Stoa është një aplikacion për blerjen, shitjen dhe marrjen me qira të produkteve të përdorura, me fokus në modë dhe artikuj të vegjël për shtëpinë. Ajo përdor një strukturë inovative ankandi dhe bashkëpunon me dyqane të veshjeve të përdorura për të zgjatur ciklin e jetës së produkteve dhe për të reduktuar mbetjet tekstile. Gjithashtu, ofron shërbime shtesë si autentifikimi i artikujve me vlerë të lartë, riparimi dhe partneritete për upcycling (ripërdorim kreativ).
Çmimi i Tretë: DailyMeals.al
DailyMeals.al është një aplikacion inteligjent ushqimi në Shqipëri që transformon tepricat ushqimore të restoranteve në vakte të përditshme me çmime të përballueshme për konsumatorët. Duke reduktuar mbetjet ushqimore, duke rritur të ardhurat e restoranteve dhe duke përmirësuar aksesin në vakte cilësore, platforma krijon ndikim si ekonomik ashtu edhe social.
Programi zhvillohet nga ALBICT dhe Maverick Nation në kuadër të projektit “EU 4 Circular Economy and Livable Cities”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), dhe zbatuar nga GIZ Albania në partneritet me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit.
Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal
Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.
Na Suporto