Dashuria si terapi, studimi tregon se marrëdhëniet... - Business Magazine Albania

Dashuria si terapi, studimi tregon se marrëdhëniet e forta shërojnë zemrën

Dashuria nuk është vetëm çështje emocionesh,ajo mund të jetë edhe një aleate e fuqishme e zemrës. Një rishikim i ri shkencor sugjeron se marrëdhëniet e forta dhe mbështetëse mund të ndihmojnë realisht në përmirësimin e shëndetit të personave që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare.

Dihet se humbjet e mëdha emocionale, si vdekja e një personi të dashur, mund të shkaktojnë të ashtuquajturën “sindromë të zemrës së thyer”, një gjendje e përkohshme që prek funksionimin e zemrës. Por studimi i fundit tregon se ana tjetër e medaljes është po aq e fortë: dashuria, përkujdesja dhe mbështetja emocionale mund të ndihmojnë zemrën të shërohet.

Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në mbarë botën, dhe gjithnjë e më shumë ekspertë theksojnë se rikuperimi nuk është vetëm fizik, por edhe emocional dhe social. Në këtë kuadër, janë analizuar 12 studime që përfshinin pacientë me probleme kardiake dhe partnerët e tyre, për të vlerësuar ndikimin e programeve të trajtimit të bazuara te çiftet.

Rezultatet janë domethënëse: 77% e studimeve treguan përmirësime të sjelljeve shëndetësore, si ndjekja e rregullt e aktivitetit fizik, marrja korrekte e medikamenteve dhe lënia e duhanit. Ndërsa efektet në mirëqenien mendore, marrëdhënien në çift dhe cilësinë e jetës ishin të përziera ose jo gjithmonë statistikisht të forta, ndikimi pozitiv në zakonet e përditshme ishte i qartë.

“Sëmundja e zemrës ndonjëherë i afron çiftet, por shpeshherë është një provë e vështirë për marrëdhënien,” shprehet Heather E. Tulloch, autore kryesore e studimit. “Ngjarjet kardiake nuk i ndodhin vetëm pacientit, por gjithë çiftit.”

Ndryshe nga kujdesi tradicional kardiak, i cili fokusohet vetëm te pacienti, këto programe përfshijnë edhe partnerin në procesin e shërimit: nga gatimi i ushqimeve të shëndetshme, te inkurajimi për aktivitet fizik dhe kujtesa për marrjen e ilaçeve. Një rol që po rezulton vendimtar në rikuperim.

Për këtë arsye, gjithnjë e më shumë spitale dhe sisteme shëndetësore po i japin përparësi kujdesit të orientuar nga familja, i cili jo vetëm ndihmon pacientin, por mund të përmirësojë edhe shëndetin e vetë partnerit.

Ekspertët propozojnë edhe një model të ri rehabilitimi kardiak, të quajtur “stepped care”, që synon të identifikojë në kohë problemet emocionale dhe të ofrojë mbështetje të përshtatshme për çiftet që përballen me stres dhe ankth pas sëmundjes.

“Duhet të trajtojmë zemrën dhe njëkohësisht të ushqejmë marrëdhëniet,” thekson Tulloch. “Kjo mund të përmirësojë sjelljet shëndetësore, shëndetin mendor dhe, ndoshta, edhe rezultatet kardiovaskulare.”

Mesazhi është i qartë, dashuria, mbështetja dhe lidhjet njerëzore nuk janë thjesht emocione, ato mund të jenë pjesë e terapisë.

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Business Mag Nr. #41 – Mars 2026

Shqipëria… e brezit që po vjen!

Arsimimi dhe edukimi janë kura që ndal çdo të keqe. Një komb i arsimuar, një komb që investon në rininë e tij, në gjeneratat që i lënë vendin njëra-tjetrës, është padyshim një komb që do të ketë prosperitet dhe stabilitet afatgjatë. Shqipëria ka ende shumë mangësi në këtë aspekt; strukturat arsimore dhe programet edukative të vjetëruara shpesh nuk i përgjigjen kërkesave të kohës dhe tregut të punës. Por diçka ka nisur të lëvizë. Reforma të reja, iniciativa private, bashkëpunime ndërkombëtare dhe, mbi të gjitha, një valë e re entuziazmi tek të rinjtë po krijojnë shenja të qarta optimizmi.

Ky edicion i revistës vë në qendër të vëmendjes pikërisht këtë frymë të re. Në kopertinë kryesore sjellim historitë frymëzuese të pesë adoleshentëve të talentuar, të motivuar, me ambicie të mëdha dhe shpirt luftarak. Ata nuk janë thjesht nxënës të shkëlqyer, por ambasadorët e vërtetë të Shqipërisë të së nesërmes, dëshmi e gjallë se potenciali ynë kombëtar është vital.

Në faqet e brendshme, Bledar Shella, kreu i  bordit të Shoqatës së Bankave të Shqipërisë, na flet hapur për të ardhmen e sektorit financiar, sfidat e digjitalizimit dhe rolin e bankave në mbështetjen e ekonomisë reale. …

See more
Follow us
0