Daniel Blloshmi, mbështetës i DSA: Dhuro aq sa ke mundësi, për kauzën që ke më afër zemrës! - Business Magazine Albania

Daniel Blloshmi, mbështetës i DSA: Dhuro aq sa ke mundësi, për kauzën që ke më afër zemrës!

Nga Eni Muça– Në jetën e Daniel Blloshmit, çdo ditë është një dëshmi e forcës, ndjeshmërisë dhe dashurisë për jetën. Ai nuk është vetëm një profesionist i suksesshëm në fushën financiare dhe anëtar i bordit të Global Albanian Foundation, por mbi të gjitha një baba i përkushtuar i tre fëmijëve, njëri prej të cilëve ka sindromën Down. Kjo përvojë ka ndikuar thellësisht në mënyrën se si ai e sheh botën, njerëzit dhe kontributin ndaj komunitetit.

“Po të mos kisha një djalë me sindromën Down, ndoshta nuk do të dija aq shumë apo nuk do të isha aq i ndjeshëm ndaj fëmijëve dhe familjeve që përballen me të njëjtën sfidë,” rrëfen ai . “Njeriu ndryshon kur bëhet prind, mbushet me më shumë kujdes, dashuri dhe empati.”

Për Danielin, jeta në SHBA i ka dhënë familjes së tij mundësinë të përfitojë nga një sistem që ofron mbështetje reale për fëmijët me nevoja të veçanta. Pikërisht kjo diferencë midis përvojës së tij dhe realitetit në Shqipëri e ka bërë atë dhe familjen e tij të angazhohen aktivisht për të ndihmuar Down Syndrome Albania (DSA).
“Ne e dimë sa shumë ndihmë, terapi dhe kujdes u duhen këtyre engjëjve. Shqipëria nuk e ka ende të njëjtën platformë sociale për t’i mbështetur, prandaj ky është motivimi ynë, të japim aq sa kemi mundësi për t’i ndihmuar,” thotë Danieli.

Lexo edhe: Erandi Sula: Suksesi pa qëllim është bosh. Solidariteti është kur nuk mbyll sytë!

Kontributi i tij për DSA ka qenë i qëndrueshëm ndër vite, dhe falë përkushtimit të tij, organizata ka arritur të forcojë kapacitetet, përfshirë regjistrimin e degës së saj në SHBA, një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimeve ndërkombëtare. Për vitin 2025, falë nismës së Danielit dhe mbështetjes së kompanisë ku ai punon, Merrill (Bank of America), DSA do të përfitojë një donacion prej 10.000 dollarësh.
“Gjysma e shumës vjen nga familja ime, dhe gjysma tjetër është një ‘match’ nga Merrill,” shpjegon ai. “Në SHBA, shumë kompani të mëdha inkurajojnë punonjësit të dhurojnë për kauza dhe premtuan se do të dhurojnë po aq vetë, deri në një shumë maksimale të caktuar. Unë e vendosa emrin e kompanisë, sepse nuk dua reklamë personale. Dua që fokusi të mbetet te kauza.”

Në rolin e tij si anëtar i bordit të Global Albanian Foundation, Danieli thekson rëndësinë e ndërtimit të urave midis diasporës shqiptare dhe nismave sociale në Shqipëri. “Diskutojmë shpesh këtë temë,” thotë ai. “Nuk e kemi gjetur ende përgjigjen perfekte, por një gjë është e qartë: nëse secili prej nesh kontribuon, qoftë edhe pak, bota bëhet një vend më i mirë për të gjithë.”

Në fund, mesazhi i tij për të rinjtë shqiptarë në diasporë është i qartë dhe i sinqertë: “Dhuro aq sa ke mundësi, për kauzën që ke më afër zemrës. Jam i sigurt që ajo ndihmë do të ketë më shumë ndikim te të tjerët sesa do të ndjesh ti mungesën e saj.”

Artikull ekskluziv i Business Magazine Albania.
Ky artikull gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Business Magazine Albania” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal

Që nga viti 2015 nxisim shpirtin sipërmarrës, inovacionin dhe rritjen personale duke ndikuar në zhvillimin e një mjedisi motivues dhe pozitiv tek lexuesit tanë. Mbështetja juaj na ndihmon ta vazhdojmë këtë mision.

Na Suporto
Must watch
Business Mag Nr. #40 – Dhjetor 2025

Ky fundvit na gjen duke festuar një dekadë nga botimi ynë i parë. Një dekadë histori, rrëfime e përpjekjesh për të qenë zëri i sipërmarrjes shqiptare, për t’i dhënë hapësirë dhe MOMENTUM çdo biznesi në rrugëtimin e tij për tu rritur e triumfuar. 

Një dekadë si dokumentim i rrugës që ka përshkruar biznesi shqiptar; një dekadë që të zhyt në refletime për çfarë ka kaluar dhe të fton të mendosh sesi do të duket ekonomia e së ardhmes. 

Ndërsa hyjmë në vitin e ri 2026, duket se për bizneset dhe vendimmarrësit një realitet i ri po bëhet më se i qartë: modeli tradicional i rritjes nuk mund të jetë më i mjaftueshëm. Perspektiva europiane e Shqipërisë, teknologjia, pritshmëritë e konsumatorëve, përgjegjësia sociale dhe ajo ambientale po i imponojnë ekonomisë një transformim të domosdoshëm. Koha kërkon një ekonomi që është njëkohësisht digjitale, inovative, por edhe e qëndrueshme. 

Në kopertinë vjen Guvernatori Gent Sejko, i cili flet për një ekonomi që rritet në një dekadë trazirash globale dhe për rolin thelbësor që luan stabiliteti financiar.

Rubrika “Green” i kthehet një prej temave më të nxehta të dekadës: energjia,  klima, ekonomia qarkulluese. Shqipëria ka qenë e bekuar me burime të riciklueshme, …

See more
Follow us
0